Kryeministria: Berisha nuk i ka propozuar postin e presidentit opozitës
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e kryeministrit ka deklaruar se nuk është bërë kurrë një propozim që opozita të marrë postin e presidentit.
Zëdhënësja e Kryeministrit sqaron se Kryeministri Berisha nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Kjo deklaratë është kryekëput trillim i këtyre mediave që thjesht shënon një rekord dizinformimi mediatik. Kryeministri ka qenë dhe është i palëkundur në qëndrimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, thuhet në një njoftim të qeverisë.
Dy gazeta pranë saj kishin deklaruar se Berisha ka ofruar presidentin për opozitën, duke iu referuar një deklarate të vetë Berishës që i ofron opozitës postet që votohen me 3/5 e votave.
Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca ti votojë, pati deklaruar Berisha.