Edhe pse mbrohet me procedurë e imunitet, Meta kërcënon prokurorinë: Të pret reforma

Ilir Meta gjatë takimit me presidentin Bashar Al Asad, kasapin e Sirisë
(E PERDITESUAR- Edhe pse po mbrohet me procedurë e imunitet, kryetari i LSI-së Ilir Meta nuk ka frikë aspak nga ndëshkimi i drejtësisë për atë çfarë panë e dëgjuan të gjithë shqiptarët në video-skandalin, ku ai shfaqej duke kërkuar ndere e duke premtuar ryshfete 700 mijë euro. Ish numri dy i qeverisë Berisha dhe aleati i tij kryesor ka kërcënuar dje prokurorinë e përgjithshme duke i treguar se e pret reforma për atë që ka bërë duke hetuar mbi video-skandalin e tij. Ai është shfaqur i sigurt para mediave dje, ndërkohë që çështja e tij është në Gjykatën e Lartë dhe pret gjykimin, i akuzuar për korrupsion nga ana e prokurorisë. Meta, i cili po kërkon të shpëtojë me procedura duke mos kërkuar pafajësi, tha dje se procesi është i politizuar sepse sipas tij prokuroria është e politizuar. Që prokuroria është politike këtë e dinë të gjithë, aq më tepër pas ngjarjeve të 21 janarit. Pro këtë çështje ne do ta provojmë me ekspertizë ndërkombëtare në gjykatë dhe ju do ta ndiqni me shumë vëmendje të gjithë këtë proces dhe natyrisht që kjo çështje do të ngrejë, jam i bindur, edhe më tej nevojën për të bërë një reformë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, sidomos në atë të prokurorisë, tha Meta dje duke folur si një funksionar shtetëror dhe jo si një i akuzuar para drejtësisë. Ky është kërcënimi i radhës që i vjen kryeprokurores Ina Rama nga ata që janë sot në pushtet. Pas 21 janarit kryeministri Berisha arriti ta fyejë publikisht duke e quajtur lavire bulevardi vetëm sepse prokuroria lëshoi urdhër-ndalimi për gardistët që qëlluan mbi protestuesit e 21 janarit.