Kryeministri Berisha inauguron shkollën e re “Mjull- Bathore” në komunën e Farkës, Tiranë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e shkollës së re 9-vjeçare “Mjull- Bathore” në komunën e Farkës, Tiranë. Ndërtimi i kësaj shkolle ka një vlerë investimi prej rreth70 milion lekë të reja dhe i shtohet zinxhirit të shkollave dhe kopshteve të ndërtuara gjatë këtyre viteve në mbarë vendin.
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit kryeministri Berisha ka vizituar ambientet e brendshme të shkollës, për të cilat bëri vlerësimet maksimale dhe shprehu kënaqësinë, që ndodhej në një nga shkollat me standardet më të larta të infrastrukturës arsimore.
Kryeministri Berisha vlerësoi ndërtimin e shkollave të reja duke theksuar faktin se shtimi i numrit të tyre krijon kushte më të mira mësimdhënie sipas standardeve evropiane. “Kënaqësia ime më e madhe - tha Berisha - ishte fakti se, gjeta klasa në të cilat numri i nxënësve varionte nga 20 ne 24, duke u bërë kështu një nga shkollat me standardet më të larta për mësimin në vend”.
Duke u ndalur tek investimet që qeveria ka bërë gjatë këtyre viteve në komunën e Farkës, Kryeministri theksoi se në këto vite janë ndërtuar 6 shkolla dhe 6 kopshte të reja, janë ndërtuar 50 kilometra rrugë, 14 ujësjellësa dhe kanalizime, 5 qendra shëndetësore”.
Kryeministri Berisha theksoi faktin se kjo qeverisje përparësi të të gjitha përparësive ka pasur arsimin dhe bëri të ditur faktin, se nga 2005 dhe deri më tani janë dyfishuar pagat dhe kjo rritje do të vijojë edhe në vitet e ardhëshme.
Kryeministri Berisha theksoi se në një hark kohor 2006-2012, janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla në të katër anët e Shqipërisë pra 71% të të gjitha shollave dhe shprehu vendosmërinë që në të 2-3 tre vitet e para të mandatit të ardhshëm të finalizohet projekti i infrastrukturës më moderne për arsimin shqiptar”.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur nxënës dhe nxënëse
Të dashur mësues dhe mësuese
Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë se ndaj me komunitetin tuaj, ndaj me fëmijët tuaj, ndaj me mësuesit dhe mësueset e tyre gëzimin e përurimit të shkollës së re, shkollë, e cila ka standardet më të larta të infrastrukturës arsimore.
Unë e vizitova shkollën. Kënaqësia ime ishte e madhe, sepse gjeta klasa në të cilat numri i nxënësve varionte nga 20 në 24, duke u bërë kështu një nga shkollat me standardet më të larta për mësimin në vend. Kjo shkollë i shtohet zinxhirit të shkollave dhe kopshteve të ndërtuara gjatë këtyre viteve në mbarë komunën e Farkës. Janë ndërtuar në këto vite 6 shkolla dhe 6 kopshte të reja, janë ndërtuar në këto vite në komunën e Farkës 50 kilometra rrugë, 14 ujësjellësa dhe kanalizime, 5 qendra shëndetësore. Nga 2 mijë banorë që kishte komuna juaj, sot ajo numëron 22 mijë banorë dhe paraqet një nga pamjet më panoramike të Tiranës dhe të vendit në tërësi.
Të dashur nxënës dhe nxënëse, mësues dhe mësuese të shkollës Mjull - Bathore
Për qeverinë time, për mazhorancën aktuale, arsimi është përparësia e të gjithë përparësive. Gjatë këtyre viteve ne kemi bërë gjithçka , që fëmijët tanë të shkollohen në kushtet më të mira, që fëmijët tanë të shkollohen njëlloj si fëmijët e vendeve të zhvilluara. Në rast se kthehemi sëbashku vetëm në Tiranë dhe periferinë e saj në vitin 2006 do të gjenit klasa me nga 50 nxënës. Ndërsa në Kamzë, Paskuqan, shkollat funksionin me 3 turne dhe natyrisht, jo pak fëmijë mbeteshin pa i ndjekur ato.
Rrjeti i fuqishëm i shkollave të ndërtuar gjatë këtyre viteve, ka bërë që në tërësi numri i nxënësve në klasa të normalizohet. Në një hark kohor 2006- 2012, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar për djemtë dhe vajzat e këtij vendi, mbi 1300 shkolla në të katër anët e Shqipërisë. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 71% të të gjitha shollave dhe jemi të vendosur që në të 2-3 vitet e para të mandatit të ardhshëm, ne të finalizojmë projektin e infrastrukturës më moderne, për arsimin shqiptar. Për ne shkollimi juaj, shkollimi i fëmijëve të Shqipërisë, të rinjve dhe të rejave të këtij vendi është “Leva e Arkimedit” për të vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara dhe më të zhvilluara.
Sot sërish ne nuk jemi një vend i zhvilluar, por sot në këtë fushë, ne kemi arritur qartësisht disa nga treguesit më kryesore të vendeve të zhvilluara. Shqipëria ecën drejt zero analfabetizmit, i cili po merrte përmasa të frikshme vetëm pak vite më parë. Shqipëria është vendi në të cilin, 91% e të gjithë atyre që mbarojnë shkollën 9-vjeçare, vazhdojnë shkollën e mesme. Shqipëria është vendi në të cilin 71% e atyre që mbarojnë maturën, hyjnë në universitete. Shqipëria këto 6 vite ia doli të inkurajojë fuqishme pjesëmarrjen e iniciativës së lirë në sektorin privat, kontributin e tij në shkollimin e fëmijëve tanë.
Sot në arsimin parauniversitar, funksionojnë 256 shkolla private, fëmijët që shkollohen në këto shkolla i kanë dyert e hapura për shkollat publike, por prindërit e tyre preferojnë ti shkollojnë ata, në shkolla private. Shqipëria sot, me iniciativën private mbulon 9 % të arsimit parauniversitar, kurse në arsimin universitar kontributi i sektorit privat është rreth 21 %, i këtij arsimi. Ne sërish nuk jemi një vend i zhvilluar, por këto vite nga viti 2006 deri në vitin 2012, ne kemi mbi trefishuar numrin e studentëve për 1 mijë banorë, nga 12 që ishte në vitin 2005, këtë vit tejkalon 50. Sot shqiptarët duhet të ndihen krenarë, sepse në auditorët e universiteve këtë vit shkollor hyjnë 164 mijë studentë. Shqipëria, për numër studentësh për frymë tejkalon një pjesë të mirë të vendeve të zhvilluara. Shqipëria në përpjekjen e saj për “Shqipërinë e dijes”, një nga aktet e para madhore të projektit të “Shqipërisë Dixhitale”, ishte shtrirja e internetit në çdo shkollë. Ju garantoj ju se ne shumë shpejt do të bëjmë të mundur që të gjitha klasat të funksionojnë me teknologjinë dixhitale, që mësimi dixhital të jetë standardi i ardhshëm në të gjitha shkollat tona, por ne krahas këtyre përpjekjeve, besoj se përpjekjen më madhore për “Shqipërinë e dijes”, e kemi bërë me mësuesen me mësuesin, për mësuesen për mësuesin.
Me programin tonë të 6 viteve më parë ne deklaruam para shqiptarëve, se arsimi që po rrënohet ne do ta rindërtojmë dhe këtë do ta bëjmë, para së gjithash duke vendosur mësuesin në piedestalin që ai meriton. Sot mësuesit janë më shumë se gjysma e administratës publike të vendit, por sot mësuesit marrin që të gjithë, një rrogë nga 120 deri në 140 % më të lartë, se rroga që merrnin në fillim të vitit 2006. Sot mësuesit nga 227 mijë lek që merrte ne vitin 2005, merr 550 mijë lek në vitin 2012, kjo për mësuesit e shkollave 9-vjeçare. Mësuesit e shkollave të mesme nga 270 mijë lek që merrnin në fillim të vitin 2006, sot marrin 590 mijë lek. Në rast se 6 vjet më parë, kryeministri i vendit merrte një rrogë të barabartë me atë të 9 arsimtarëve, sot kryeministri i vendit merr një rrogë të barabartë me 4.5 rroga arsimtarësh dhe ju garantoj se, kjo do të shkojë duke u ngushtuar, se qëllimi ynë kryesor është rritja e rrogave tuaja, ne do të bëjmë gjithçka për kualifikimin tuaj, ne do të bëjmë gjithçka për shpërblimin e punës suaj. Ne jemi të bindur, se ky është një kusht vendimtarë, që gara e dijes të shkëlqeje gjithnjë e më shumë, që gara e dijes të ndriçojë gjithnjë e më shumë mendjen e shqiptarëve.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria në këtë periudhë në këto vite, do të më thoshte një mik i imi, ka bërë një hop të jashtëzakonshëm një “quantum leap” duke përdorur një term të fizikës. E vërteta është se me gjithë vështirësitë, me gjithë të përpjetën e madhe që kemi pasur për të ngjitur dhe që kemi për të ngjitur përsëri. Askush nuk ka ecur më shpejt se ne shqiptarët.
Po të hidhni sytë këtu, në këto kodra , 90% mos 95% e të gjithë këtyre vilave, shtëpive të bukura që i shihni në të katër anët e kësaj komune 20 vjet më parë nuk kanë ekzistuar dhe fare pak prej tyre kanë ekzistuar 10 vjet më parë. Këto 10 vite ishin vitet, të cilat shqiptarët ndërtuan më shumë për veten e tyre më shumë se të gjitha kombet europiane, përveç njërit që ka ndërtuar në 30 vjet banesa për vete.
Kjo bën që shqiptarët, në standardet e strehimit dhe banimit, të lënë prapa 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo bën që shqiptarët në standardet e banimit dhe të ndërtimeve për banim të lënë mbrapa 5 vende anëtare të klubit të vendeve më të zhvilluara të Botës.
U ndala në këto të dhënë jo se ne jemi bërë tërësisht një vend i zhvilluar, jo se ne kemi rrugën bulevard përpara, por se ne, kemi një energji të madhe për të ecur me shpejtësi drejt realizmit të ëndrrës sonë Shqipëri është vend i zhvilluar, Shqipëri vend i integruar në Bashkimin Evropian. Ndaj edhe njëherë ju uroj gëzuar dhe ju garantoj se, qeveria do të bëjë gjithçka për standardet më të shkëlqyera të arsimit tonë, se qeveria do të bëjë gjithçka për ritmet më të shpejta të zhvillimit, se qeveria do të bëjë gjithçka për ritmet më të shpejta të integrimit.
Gëzuar shkollën e re”.
19/09/2012