Kryengritësit kurdë vranë 24 ushtarë turqë

Së paku 24 ushtarë dhe policë u raportuan të vrarë, pas një sulmi të ndërmarrë kundër forcave të sigurisë në Turqinë juglindore, që dyshohet të jetë kryer nga kryengritësit kurdë.
Raportet e medieve lokale kanë bërë të ditur se 18 ushtarë të tjerë janë plagosur, kur militantët nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit sulmuan disa vende në provincën Hakari, pranë kufirit me Irakun.
Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga ushtria turke, por raportet e medieve theksuan se njësitë turke kanë kaluar kufirin në Irakun verior, për të ndjekur kryengritësit.
Me të dëgjuar për këtë sulm, kryeministri turk, Recep Tajip Erdogan, ka anuluar një udhëtim të planifikuar më parë për Kazakistan.