E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia italiane bastis grupet e ekstremit të majtë

Qindra policë italianë në të gjithë vendin janë duke kërkuar për mjetet që përdorën grupet anarkiste, gjatë trazirave të dhunshme në Romë, në protestën kundër grykësisë së korporatave dhe pabarazisë së të ardhurave.

Zyrtarë të sigurisë italiane kanë konfirmuar se polica ka bërë kontrolle të befasishme tek grupet anarkiste të ekstremit të majtë, si kundërpërgjigje ndaj përleshjeve me policinë në fundjavë, ku për pasojë u lënduan 135 persona.

Ajo që nisi të shtunën si pjesë e një demonstratë mbarëbotërore kundër grykësisë së korporatave dhe pabarazisë në të ardhura, e frymëzuar nga lëvizja “Occupy Wall Street” në New York, degjeneroi në një luftë urbane mes protestuesve dhe policisë.

Gurët dhe copat e trotuareve binin mbi policinë, dritaret e dyqaneve dhe bankomatet u thyen dhe makinave iu vu zjarri, ndërkohë që kryetari i bashkisë deklaroi se dëmi shkaktuar është të paktën 1 milionë euro.

Ministri i Brendshëm Roberto Maroni e ka quajtur “dhunë të paprecedentë”, duke thënë se “protestuesit e dhunshëm përdorën marshimin si mburojë.”

Hetuesit kanë bërë të ditur se po ekzaminojnë dosjet kompjuterike dhe pamjet video, gjithashtu po kërkojnë edhe për depo të mundshme armësh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›