Kryengritja e Bregut të Matës
100 vjet më parë - 22.06.1912
Që në fund të shekullit të XIX si rezultat i veprimtarisë intensive të rilindasve tanë dhe punës së palodhur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për organizimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në luftë për pavarësinë e Atdheut edhe në krahinën e Kurbinit u bënë një sërë përpjekjesh për të organizuar popullin në kryengritje të vazhdueshme për liri dhe pavarësi. Këto kryengritje nxorën në pah edhe punën e palodhur të shumë patriotëve tanë të cilët punuan ditë e natë për të organizuar popullin në kryengritje duke mbajtur kurdoherë lidhje edhe me krahinat e tjera, si dhe duke organizuar kuvende dhe Besëlidhje për t’i shërbyer çështjes së lartë të atdheut dhe lirisë. Një besëlidhje e tillë u organizua edhe nga malësorët gurzakë në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në Gurëz të Kurbinit filloi popullimi aty nga mesi i shek.XIX. Malësorë të ardhur nga zona e Mbishkodrës u vendosën në Ultësirën Perëndimore kryesisht për shkaqe ekonomike. Aty krijuan pronat e tyre dhe ndërtuan shtëpi. Shumë prej tyre ishin të pasur,sepse ditën të shfrytëzonin tokën duke qenë edhe një familje punëtore. Duhet theksuar se ata ruajtën zakonet dhe traditat,ritet dhe të folmen e tyre tradicionale. Ashtu si popullsia vendase edhe këta të ardhur provuan mbi vete zgjedhën e rëndë të pushtuesit osman. Në këtë zonë u vendosen shumë fise të njohura të ardhura nga malësia e Kelmendit, dalluar ndër shekuj për trimëri dhe bujari. Sipas të dhënave historike, kelmendasit gjatë gjithë periudhave të historisë kanë mundur tu bëjnë ballë sulmeve të pushtuesve turq dhe planeve djallëzore të shovinistëve fqinj sllavë. Në këtë truall plot tradita lindën dhe u rritën edhe burrat më të shquar të kësaj zone Mark Mir Miri, Nikollë Mir Miri dhe Pjetër Mir Miri, Kolë Lekë Bori,Pjetër Miri,Dedë Mirash Ulaj, Kolec Mark Koleci, Prengë Mjeshtri, Mirash Ujk Mirashi, Pjetër Bici etj të cilët nuk i lëshuan kurrë armët nga dora jo vetëm në trevën e Kelmendit,por edhe në krahinën e Kurbinit. Luftuan pa u përkulur në të gjitha kryengritjet e organizuara,në vitet 1906-1912 në Kurbin,Kruje dhe Durrës përkrah Dedë Cokut,Gjin Pjetrit,Gjeto Cokut dhe Nikollë Kaçorrit. Padyshim Mark Miri ishte frymëzuesi dhe prijësi i malësorëve të Gurëzit në luftë për liri. Kështu,ky fis do të shkruante historinë,me gjakun e tij,për të kujtuar ndër breza po për tu mbuluar nga pluhuri i harresës për një periudhë gjysmëshekullore.
Në fakt, krenët e Gurëzit ose të besëlidhunit kanë qenë prezent në shumë kryengritje të zhvilluara në prag të pavarësisë si në Durrës, Rrushkull të Durrësit,Lezhë,Shëngjin etj.Këta përpjekje kishin nisur që me 11 maj 1912,kur malësorët e krahinave të Mirditës,Kurbinit,Lezhës dhe Bregut të Matës lidhën besën në prani të at Pal Dodajt në kishën e Rubikut.Për këtë arësye u mblodh edhe Kuvendi i Zejmenit ku morën pjesë Gjeto Çoku, Gjin Pjetri, Mark Miri, Zog Sokoli etj,ku u morën vendime për të organizuar kryengritjen e Bregut të Mates. Madje at Marin Sirdani veçon Dedë Çokun, Mark Mirin dhe Zog Sokolin si njerëzit më aktivë për organizimin e kryengritjes së 22 qershorit 1912. Në Gurëz malësorët u mblodhën te kasha dhe bënë betimin nën drejtimin e Mark Mirit dhe Kolë Lekë Borit,pastaj u dha kushtrimi,sepse me dt.22 qershor 1912, Turgut Pasha do të niste disa taborrë nga Shkodra,nëpër Lezhë,për në Durrës. Sipas vendimeve të kuvendit të Zejmenit, zunë pozicione në dy drejtime nga vinte armiku, në afërsi të Gurëzit dhe në kodrat e Pllanës.
Duke gdhirë 22 qershori 1912 armiku u vu nën zjarrin e luftëtarëve,duke i detyruar forcat turke të tërhiqeshin në drejtim të Lezhës. Kjo ngjarje i shqetësoi autoritetet turke,të cilët u detyruan të organizonin mësymje tjetër po atë ditë. Beteja u zhvillua tek Trapat e Gurëzit. Ishte një nga betejat më të forta dhe më të përgjakshme të asaj periudhe,por malësorët tanë nuk u përkulën. Në këtë betejë dhanë jetën për liri patriotët Nikollë Miri,Kolë Lekë Bori, Pjetër Miri,Dedë Mirash Ulaj,Kolec Mark Koleci,Prengë Mjeshtri,Mirash Ujk Mirashi, Pjetër Bici, Llesh Sokol Leknicaj, të cilët mbetën të pavdekshëm,burim frymëzimi për brezat e ardhshëm. Humbjet e armikut ishin të mëdha. Kjo pasqyrohej edhe në telegramin e konsullit austriak Zombaneri i cili i dërgonte Vjenës, ndër të cilat theksonte se: “…Simbas lajmeve të mytesarifit të Durrësit,pardje ka ndodhun një luftim pranë lumit Mat.Kanë vra komandantin e kompanisë së mitralozëve, një kapiten,një nëntoger edhe 11 vetë.Jan zanë plaçkë 40 ngarkesa kuajsh municion,shumë arka me pushkë dhe gjithë armët e ushtarëve të tjerë…”.
Sukseset e kryengritësve bregamatas në kryengritjen e qershorit të vitit 1912 rritën shpresën e masave popullore për fitore. Kjo, veç të tjerash tregoi se fitorja e popullit tonë ndaj pushtuesit osman nuk ishte larg. Goditjet e herëpashershme të taborreve turke në këtë zonë dhe në gjithë Shqipërinë po përgatisnin për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. E në këtë fitore po jepnin një kontribut të shquar edhe vëllezërit Mark Miri, Nikollë Miri dhe Pjetër Miri, Kol Lek Bori, Ded Marash Ulaj, Prenge N.Mjeshtri etj.
MARK MIRI 1863 - 1947.Padyshim,një nga protagonistët më të shquar të lëvizjeve për pavarësi ishte Mark Mir Gjeri, luftëtarë dhe organizator i kryengritjeve të malësorëve të Gurëzit në vitet e stuhishme të pavarësisë. Familja e Mir Gjerit erdhi nga fshati Brojë i malësisë së Kelmendit dhe u vendos në Gurëz nga mesi i shek.XIX, ku lindi edhe Mark Miri më 12.02.1863.Ishte një familje e urte,me tradita që për shumë kohë u mor me bujqësi dhe blegtori. Duke qenë familje e vuajtur dhe punëtore,shpejt u bë një familje e kamur në këtë zonë. Marku ishte djalë i zgjuar,i shkathët dhe punëtor. Mësoi të shkruajë dhe të lexojë me ndihmën e priftit të Gurëzit të cilit i mëkoi edhe besimin tek Zoti dhe dashurinë e pakufishme për liri dhe atdhe. Organzioi çetën e malësorëve të Gurëzit,ku morën pjesë edhe dy vëllezërit e tij Pjetër dhe Nikollë Miri dhe bashkërendoi veprimet luftarake me patriotë të tjerë kryengritës si Gjin Pjetri, Dedë Coku etj, për të dhënë goditjet e fundit pushtuesit osman.Mori pjesë në Kuvendin e Zejmenit me 11 Maj 1912,ku u lidh besa mes krahinave më në zë të Shqipërisë së veriut Mirditës,Kurbinit,Lezhës, Bregut të Mates dhe Gurëzit të cilët ishin betuar të mos e pushonin për asnjë çast luftën për lirinë e vendit deri në fitoren e plotë të Pavarësisë.
Një nga kryengritjet më të mëdha ku protagonist ishte edhe patrioti Mark Mir Gjeri ishte ajo e 22 qershorit 1912,që përbënte një nga vendimet e Kuvendit të Zejmenit,Mark Miri udhëtoi për në Gurëz, mblodhi çetën e tij dhe pasi sejcili prej tyre u betua në Kishën e vjetër të fshatit, nisi organizimin luftarak. Malsorët trima, u pozicionuan në kodrat e Pllanës nga ku taborri osman do të kalonte për në Durrës. Kështu, në mëngjesin e 22 qershorit 1912, Kajmekani i Lezhës nisi një ushtri prej 700 ushtarësh për të transportuar armë dhe pajisje ushtarake për në Durrës. Prita e vënë tek trapat e Gurëzit e dëmtoi rëndë ushtrinë osmane.Për këtë përpjekje mytesarifi i Durrësit njoftonte se “… kanë vrarë komandantin,një kapiten,një nëntoger dhe 11 vetë.Jan marrë plaçka,40 ngarkesa kuajsh municion dhe shumë arka me pushkë…”. Kjo do të quhej një nga humbjet më të mëdha të komandës së ushtrisë osmane në veri të Shqipërisë.Në këtë përpjekje dhanë jetën për çeshtjen e pavarësisë luftëtarët trima nga Gurëzi,Kolë Lekë Bori, Nikollë Miri, Prengë Nikollë Mjeshtri, Pjetër Miri, Pjetër Bici, Dedë Mirash ujka, Gjokë Dedë Shkreli, Llesh Sokol Leknicaj, mirash ujk Mirashi, Kolec Mark Koleci, duke mbetur shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Por krenat e kryengritjes nuk do të gjenin qetësi,pasi rreth një muaj më vonë luftimet do të zhvendoseshin në Durrës, do të mësynin depot e armatimit të këtij qyteti bregdetar dhe do të ngrinin flamurin e pavarësisë. At Klement Miraj kujton: “…Shifshin nevojën të bahej një hap prej të cilit të mirrte vesht jo vetëm Shqipnia,por edhe Evropa…morën vendim me msy skelën e Durrësit e aty me ngrehë flamurin kombëtar e me u deklarua autonomia…” Në këtë përpjekje plagosen dy trima Dedë Coku dhe Llesh Nikë Daka të cilët luftuan si trima. Edhe se në kryengritjen e 22 qershorit Mark Miri humbi dy vëllezërit,kjo nuk e pengoi të ngjeshte armët dhe të luftonte heroikisht edhe në betejën e Durrësit. Edhe pas kësaj beteje nuk reshti së luftuari për pavarësinë e Shqipërisë. Ishte një nga pjesëmarrësit e ngritjes së flamurit në Milot më 28 Nëntor 1912. E priti me armë në dorë pushtimin e Lezhës nga ushtritë serbe në nëntor 1913 dhe pas largimit të tyre në prill 1914, Mark miri u vu në krye të lëvizjeve në mbështetje të vendimeve të qeverisë së Vlorës. Mbështeti me forcë Ismail Qemalin dhe ishte kundër Princ Vidit. Në vitet e monarkisë, Marku mbështeti mbretin Zog,madje qe një nga ushtarakët më të zotët.Mbreti Zog i dha gradën kapiten.Mark miri mori pjesë aktive në luftën nacional-çlirimtare deri në shtator të vitit 1943,ku u mblodh Konferenca e Mukjes,pas kësaj ngjarje ishte pjesë e “Lidhjes së Legalitetit” me Abaz Kupin në krye që doli hapur kundër vendosjes së diktaturës komuniste.
Pas çlirimit të atdheut familja Miraj do të persekutohej në mënyrë barbare me vrasje,internime dhe persekutime. Një fat të tillë do të kishte edhe Mark Mir Gjeri i cili kaloi një jetë të tërë në luftë,do të persekutohej në masakrën e turpshme të 28 gushtit 1946 bashkë me dhjetë burra të tjerë nga Gurëzi,3 prej të cilëve të fisit të Mirajve. Duke parë aktivitetin e këtij burri të shquar për liri,pavarësi dhe përparim shoqëror,themi se ai nderon Gurëzin, Kurbinin dhe mbarë Shqipërinë.
NIKOLLË MIRI DHE PJETËR MIRI - Fisi i Mirajve është një nga fiset më të njohura në krahinën e Kurbinit,jo vetëm për atdhetarizëm,por edhe si fis me besë dhe derë bujare.Ardhur në fund të shek.XIX nga fshati Brojë i Malësisë së Kelmendit,fisi i Mirajve u vendos në fshatin Gurëz të Kurbinit.Në këtë fshat lindën dhe u rritën edhe vëllezërit Nikollë dhe Pjetër Miri,në skamje dhe varfëri,por u edukuan me tradita patriotike dhe atdhetare.Në vitet 1906-1912,dy vëllezërit,të udhëhequr nga Mark miri dhe Kolë Lekë Bori,morën pjesë në shumë kuvende krahinore sin ë Delbnisht,Rubik dhe Zejmen ku u bënë pjesë e besëlidhjes për të luftuar pushtuesin osman deri në pikën e fundit të gjakut.Në qershor të vitit 1912,malësorët e Gurëzit,u mblodhën tek kasha në qendër të fshatit dhe lidhën besën për të filluar kryengritjen e armatosur deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.Pasi u armatosën,kryengritësit i zunë pritë taborrit turk të udhëhequr nga Turgut Pasha në Barbullojë të Lezhës.Lufta nisi e ashpër dhe përpjekjet vazhduan disa ditë duke u zhvendosur deri në Breg të Mates.Nikollë dhe Pjetër Miri luftuan me heroziëm.Lufta vazhdoi gjatë atë ditë të 21 qershorit 1912,ku luftëtarët gurzakë vranë rreth 186 ushtarë dhe oficerë turq.Në fushën e betejës ranë edhe shtatë trima luftëtarë të njohur në Gurëz dhe rrethinë.Mjerisht në fushën e betejës u vranë me armë në dorë edhe Nikollë dhe Pjetër Miri.Ata janë shpallur dëshmorë të Pavarësisë nga shteti demokratik.
LLESH SOKOL NICAJ 1882-1912.Familja e Sokol Zefit,pati jetuar për shumë kohë në fshatrat Vukël të Malësisë së Mbishkodrës.Kushtet e rënda ekonomike dhe jeta e vështirë në malësitë tona të veriut e detyruan Sokolin të largohej nga vendlindja dhe të vendosej në fshatin Ishull-Lezhë bashkë me vëllezërit e tij.Aty nga fund ii vitit 1902,Sokol Zefi vendoset përfundimisht në fshatin Gorre të Kurbinit ku lëroi një copë tokë dhe ndërtoi nja kasolle.Pikërisht në këta kushte u rrit edhe Lleshi,djali i mad hi Sokol Zefit. Lleshi ishte vetëm 10 vjeç kur u vendos në fsahtin Gorre,por u rrit dhe u burrërua në këtë familje malësore me tradita atdhetare.Kushtet e vështira ekonomike,vështirësitë e jetës dhe lëvizjet për liri dhe pavarësi e burrëruan para kohe.E urrente pushtuesin osman dhe shpesh bashkë me patriotë të tjerë nga Bregu i Mates kishte luftuar me armë në dorë kundër formacioneve të ushtrisë së huaj.Ishte ndër të parët që u inkuadrua në kryengritjen e 22 qershorit të vitit 1912 në Bregun e Mates nën komandën e Mark Mirit. Pikërisht në këtë betejë me 22 qershor 1912,bie heroikisht duke luftuar me armë në dore kundër pushtuesit osman.
PRENGË NIKOLLË MJESHTRI 1884-1912.Familja e Prengë Nikollë Mjeshtrit erdhi nga fshati Shpalë i Mirditës reth vitit 1900,për tu vendosur në fshatin Gurëz të rrethit të Kurbinit.Prenga lindi në Shpalë në vitin 1884.Në fshatin Gurëz,Prenga u mor me bujqësi dhe blegtori.Shpejt u përfshi në atmosferën e lëvizjeve patriotike që kishin shpërthyer aso kohe në Kurbin dhe mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e organizuar në vitet 1906-1912.Këta lëvizje ndihmuan shumë në formimin e personalitetit patriotic dhe atdhetar të Prengës,prandaj bashkohet me çetën e trimave gurzakë me Mark mirin në krye për ti dalë në pritë garnizonit turk me Turgut Pashën në krye.Përpjekja qe e ashpër,sepse forcat turke ishin organizuar dhe të armatosura rëndë,por edhe burrat e shquar të Gurëzit luftonin me trimëri të pashoqe.Lufta qe e përgjakshme.Në betejë ranë disa burra të shquar gurzakë mes të cilëve edhe Prengë Nikollë Mjeshtri.Data 22 qershor 1912,kujtohet si një nga datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë,sepse kjo datë i dha kombit tonë shtatë martirë që sot prehen në varrezat e dëshmorëve të kombit në Krujë.
DEDË MARASH ULAJ 1899 – 22.06.1912.Fisi i Ulajve erdhi nga malësia e Mbishkodrës në fund të shek. XIX dhe u vendos në fshatin Gurëz të Kurbinit.Këtu Mirash Ulaj siguroi një copë tokë dhe ndërtoi një kasollë për të banuar.Jetoi për shumë vite në kushte të vështira ekonomike.Në këtë gjendje jetoi edhe djali i tij Deda që pati lindur në Gurëz në vitin 1899.Duke qenë një familje me tradita patriotike u përfshinë shpejt në lëvizjet për pavarësi.Deda pati marrë pjesë në kuvendet e krahinës për të organizuar kryengritjet për pavarësi.Bashkëluftëtarë i ngushtë i Mark Mirit dhe Kolë Lekë Borit.Mori pjesë në Kuvendin e Zejmenit dhe lidhi besën për të luftuar kundër pushtuesit osman.Në zbatim të këtij kuvendi në qershor të 1912 bashkohet me forcat kryengritëse për të organizuar kryengritjen e Bregamatasve.Kajmekani i Lezhës e mori vesh planin e kryengritësve dhe me 22.06.1912 nisen me një ushtri prej 600 ushtarësh për t’u bërë ballë sulmeve të malësorëve bregamatas.Ushtria turke u rreshtua në shkallën e Pllanës,ndërsa vetë u nis me një tabor për në Shënkoll. Luftimet që u zhvilluan tek Trapat e Gurëzit qenë të përgjakshme. Pikërisht këtu,me 22.06.1912,bie heroikisht Dedë Mirash Ulaj.
GJOKË DEDË SHKRELI 1877 – 22.06.1912. Rreth vitit 1900,familja e Dedë Shkrelit largohet nga malësia e Mbishkodrës dhe vendoset në fshatin Gurëz të Kurbinit. Asokohe Gjoka ishte ende i ri. U rrit në një familje të varfër, por të urtë dhe punëtore. Në moshë fare të re u lidh me lëvizjet kryengritëse për liri dhe pavarësi. Ishte vetëm 24 vjeç kur u bë pjesë e çetës së Gurëzit të drejtuar nga Zef Arapi,patriot dhe atdhetar i shquar. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjithë aksionet e organizuara gjatë viteve 1909-1912 në Kurbin, si dhe në kryengritjet e zhvilluara në atë kohë.Luftoi me armë në dorë kundër operacionit të organizuar nga Turgut Pasha në qershor 1912 në Bregun e Matës. Në shtypin e kohës kjo betejë përshkruhej: “…U bë një luftë e përgjakshme disa orëshe. Kajmekani mbet dekun me 187 asqerë, prej malësorëve mbetën në fushën e betejës 19 vetë…, e një prej të cilëve ishte edhe Gjokë Dedë Shkreli, patriot dhe luftëtarë i shquar.
KOLEC MARK KOLECI 1857-1912. U vendos në fshatin Alk të Kurbinit në fund të shek.XIX.U përfshi në lëvizjen kundër pushtuesit osman për çlirimin e vendit. Pjesëmarrës me armë në dorë, në përpjekje kundër osmanëve në Kurbin.Me 1904 njihet me Albanologun e shquar austriak Franc Nopça, të cilin e pati mik dhe e ndihmoi në studimet e tij albanologjike. Mori pjesë në luftën e bregamatasve kundër taborrit turk të Turgut Pashës. Pas kësaj beteje lufta për liri mori përmasa kombëtare. Me 14 gusht 1912 katërqind luftëtarë u mblodhën në Milot dhe u nisën në Durrës për të përgatitur terrenin për ngritjen e flamurit kombëtarë në këtë qytet. Në përpjekje me forcat osmane vritet edhe Kolec Mark Koleci duke luftuar me armë në dorë. Aktin e tij heroik e përmend edhe Imzot Krreqi arqipeshkv i Shkodrës,në një letër drejtuar Atë Pal Dodajt Famullitar në kishën e Rubikut me 24 gusht 1912,ku shkruan: “…Ky lajm i zi na ka trishtue net ë gjithë… M’i përshnet të gjithë ata malcorët e mi, Gjeton, Dedën e tanë të tjerët e mu thuej se edhe unë vajtoj tanë piëllim bashkë me ta…”, në këtë letër veçohet edhe emri i patriotit luftëtarë Kolec Marku.
PJETËR PAL BICI 1884 – 22 qershor 1912. Një luftëtarë në zë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë qe edhe patrioti Pjetër Bici. Që në moshën 22 vjeçare u rreshtua në radhët e luftëtarëve patriotë të cilët luftuan për liri dhe pavarësi. Ishte një nga të besëlidhurit dhe pjesë aktive e çetës së trimave gurzakë që u bënë ballë sulmeve të garnizonit turk të udhëhequr nga Turgut Pasha në Gurëz, Barbullojë dhe Kodrat e Pllanës. Madje nga shtypi i kohës theksohet se në luftën e zhvilluar në Kodrat e Pllanës me 22.06.1912,i pari që nisi sulmin qe Kolë Lekë Bori dhe pas tij edhe Pjetër Bici prandaj kënga thotë: “Kot kët luftë kush e nisi,/Kolë Lekë Bici e Pjetër Bici,/Për mas tyne Nikollë Miri,/Ky Kolë Bori ka çon fjalë,/Mos u nis Pasha me ardhë,/S’e kalon lumen për t’gjallë…”.Lufta qe e ashpër dhe Pjetri tregoi trimëri të rrallë. Në betëejë ranë shumë trima malsorë e mes tyre edhe Pjetër Pal Bici.
KOLË LEKË BORI 1877 – 22.06.1912 Lindi në fshatin Gurëz të Kurbinit në një familje me tradita patriotike.Ridhte nga një familje e varfër,por bujare.Ishte një nga udhëheqësit e kryengritjes së qershorit të vitit 1912 në Breg të Mates.Ishin Nikollë Kaçorri dhe Abdi Toptani që po përpiqeshin të koordinonin veprimet kryengritëse mes Krujës,Kurbinit dhe Bregut të Mates.Në këtë kohë një garnizon prej 40 ushtarësh do të dërgonin në Krujë një sasi armësh,shoqëruar nga një regjiment prej 700 ushtarësh.Forcat kryengritëse hartuan planin me qëllim që të merreshin armët dhe municionet.Prita u zu tek Trapat e Gurëzit organizuar nga Kolë Lekë Bori.Sipas shtypit të kohës atje u ba një kasaphanë e vërtetë “…u morën 6 mitroloza,30 barrë municion …ushtria turke humbi gjysmën…”. Një trimëri të rrallë në këtë përpjekje tregoi edhe Kolë Lekë Bori,për të cilin kënga thotë: “… Kolë Lekë Bori i trim drangu,/M’at breg Mate tuj luftu,/N’breg t’Mates,n’breg të Zallit,/T’madhin vrap ia ka dhanë kalit,/Vrap të madh kalit ka dhanë,/Ma ban hallal o babë e nanë,/ban hallall me u hallallu,/Me asqer jam tuj luftu,/Bregut detit tuj gjimu…”. Në këtë betejë ra heroikisht edhe Kolë Leka,biri i paharruar i Gurëzit dhe i mbarë Kurbinit.
MIRASH UJK MIRASHI 1892 – 22.06.1912.Një nga heronjtë që sakrifikoi jetën për lirinë e atdheut kundër pushtuesve osmanë ishite edhe Mirash Ujka.Edhe familje e varfër e Ujk Mirashit u vendos në Gurëz rreth fundit të shek.XIX.Mirash qe fëmijë 8-vjeçar në atë periudhë,prandaj u rrit në varfëri të plotë.U edukua në një ambient me tradita patriotike dhe me urrejtje për pushtuesit osmanë,prandaj në moshën 18 vjeçare ngjeshi armët dhe doli malit për liri.U bashkua me çetën luftarake të Gurëzit dhe mori pjesë në aksionet për asgjesimin e postkomandës turke në Zhejë dhe Gjormë.Ishte pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve gurzakë kundër taborrit turk të udhëhequr nga Turgut Pasha në Kodrat e Pllanës,ku ra heroikisht në fushën e betejës me 22.06.1912.Për aktin e tij heroic kënga popullore thotë: “…Gjithsejcili gati rrinë,/Tuj pritë pushkën kur ta ndinë,/Pushka e parë-o kur kërsiti,/Dedë Cak Preka i shpirt graniti,/Ishte i pari ai që qiti,/Ndërsa i dyti që e përsëriti,/Mirash Ujka i zog petriti…”.Ishin këto trima të Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë që shkruan me gjak historinë dhe tash do të kujtohen ndër mote.