E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeparlamentarja Topalli hap dyert e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ka drejtuar një seancë plenare krejt ndryshe nga herët e tjera, ku debati politik është kryefjalë. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Topalli hapi dyert e Kuvendit për nxënës e studentë nga e gjithë Shqipëria. Për kryeparlamentaren, kjo vizitë në tribunën e demokracisë, në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, merr një kuptim të veçantë në këtë vit historik të 100 viteve të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë bisedës me nxënësit, ajo ndau refleksione mbi 100 vitet e shtetit shqiptar, duke theksuar se ky ka qenë një shekull i vështirë, një rrugë e trazuar gjatë të cilës shqiptarët kanë kaluar dy luftra botërore, pastaj një gjysëm shekulli nën diktaturën komuniste. Kryetarja e Kuvendit, vuri në dukje se Shqipëria është vendi që falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së jashtëzakonshme arriti të rekuperojë shekuj të tërë gjatë të cilëve ora e historisë ishte ndalur.
Por, edhe në këtë takim Topalli nuk mundi t’i shpëtojë të bërit politikë. Duke renditur ato që i cilësoi si suksese, ajo tha se vendi tashmë pret votën e opozitës për 3 ligjet e integrimit në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat e të përshpejtohen hapat drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. 
Më tej, Kryetarja e Kuvendit theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët, veçanërisht të rinjtë ta njohin historinë e tyre ashtu siç është, me të gjitha të vërtetat dhe dritëhijet e saj, për të kuptuar më mirë çfarë duhet të projektojnë në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›