E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepeshkopi Janullatos: Ti largohemi korrupsionit dhe të zgjedhim ndershmërinë e drejtësinë

Share

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Janullatos, ka uruar sot gjithë besimtarët ortodoks për Festën e Pashkës. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh Pashka simbolizon edhe ringjalljen shpirtërore të njeriut. Ai ka bërë thirrje për shqiptarët që ta dalin nga korrupsioni dhe mashtrimet, për tu drejtuar drejt ndershmërisë dhe të vërtetave.

Në të kremten e Pashkës, Kisha jonë nuk na fton thjesht në një mallëngjim sipërfaqësor, që përkëdhel ndjenjën fetare, por në një dalje jetike: nga plogështia shpirtërore në vigjilencën e frymës.

Duke kremtuar Pashkën, ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati shumëformësh dhe shpesh i vështirë për tu dalluar. Sipas terminologjisë së sotme kjo do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, paligjësia, mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore duke minuar kohezionin e popullit. Do të thotë zgjedhje e vendosur e së vërtetës dhe e ndershmërisë. Dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë.

Pashka na fton gjithashtu të kalojmë nga egocentrizmi ynë në vëllazërim me të tjerët. Lodhja, mosbesimi, shija e hidhur e jetës sonë të përditshme na shtyjnë shpesh në egocentrizëm. Sillemi vërdallë rreth vetes, problemeve dhe interesave tona. Është detyrë urgjente dalja nga kulla e unit, që të takojmë të tjerët me mirëkuptim dhe respekt. Pashka, le të përqafojmë me gëzim njëri – tjetrin. Tu japim të tjerëve falje, dhembshuri dhe dashuri jo të shtirur. Le ti falim të gjitha në dritën e Ngjalljes.

Njëkohësisht, Pashka na fton të dalim nga zona e ankthit, shkurajimit, në atë të shpresës. Të dalim nga frika, që mbush shpirtin tonë me hidhërim të thellë. O Pashka çliruese nga hidhërimi!, thuhet në urimin e kryepeshkopit Anastas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›