Kupa e Folut Ballkanik në Tiranë
Ansambli “Tirana” rrëmben kupën e festivalit të Folkut në Turqi. Sipas një tradite të krijuar prej kohësh, në datat 10-15 tetor, u zhvillua ne Izmir të Turqisë, Festivali i Folkut Ballkanik, ku merrnin pjesë 12 vende të rajonit e më gjerë. Ky festival i ka fillesat e tij në vitet 1935 -1936 dhe ka për qëllim bashkimin kulturor të vendeve të të njëjtit rajon gjeografik dhe përcjelljeve të vlerave më të mira të trashëguara në vite. Për herë të parë në këtë festival merrnin pjesë dy trupa shqiptare, nga Shqipëria dhe Kosova. Ansambli "Tirana", pjesë e Qendrës Kulturore me të njëjtin emër, nën udhëheqjen artistike të Xhelo Çunës dhe koreografinë e mjeshtrit Rexhep Çeliku, bëri një paraqitje dinjitoze në këtë ngjarje, duke merituar edhe trofeun e festivalit. Natën e fundit të aktivitetit u organizua një mbrëmje në nder të Ansamblit "Tirana", i cili u vlerësua me vendin e parë dhe mori kupën e Festivalit të Folkut Ballkanik. Pavarësisht emrit që mban ansambli, ritmet e ofruara, nuk mbeteshin brenda kufijve të kryeqytetit, por përfshinin gjithë gjeografinë shqiptare, nga veriu në jug. Kjo ishte edhe arsyeja pse u vlerësuan maksimalisht këngët, vallet, por edhe interpretuesit. Ky nuk është çmimi i parë, me të cilin nderohet ky ansambël.