E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici Skënder Hita: Pas personave me maska nuk janë studentë, por individë të rekrutuar nga organizatorët brenda dhe jashtë vendit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita iu bëri thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna, ndërsa Tirana prej tre ditësh, po përballet me protesta të dhunshme, të nisura fillimisht para ministrisë së Arsimit.

Në një konferencë për shtyp, Kryepolici deklaroi se pas personave të maskuar, që kanë sulmuar institucionet shtetërore dhe biznese private, nuk janë studentë, por individë të rekrutuar, sipas tij, për qëllime të errëta të organizatorëve nga brenda dhe jashtë vendit.

Hita po ashtu bëri me dije se deri më tani kanë mbetur të plagosur 71 efektivë policie, disa prej tyre me lëndime të rënda. Ai iu bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë që nxënësit dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuara.

“Iu bëj thirrje prindërve, mësuesve, pedagogëve që të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentëve të përdoren apo përfshihen në akte dhune të organizuara. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, kërkojnë dhe kundërshtojnë por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet dhe djegur e shkatërruar pronën e qytetarit.

Pas maskave që udhëheqësin protestën, me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë të rekrutuar, për qëllime të caktuara, të errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste brenda dhe jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme, asnjë nga personat nuk rezultoi studentë. Ndërsa nga të ndaluarit në natën e dytë, pas djegies dhe plaçkitjes masive në disa biznese dhe institucione, një numër shumë i vogël ishin studentë.”, tha ai.

DEKLARATA E PLOTE E DREJTORIT TE POLICISE:

Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.

Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.

U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.

Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve.

Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.

Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.

Fakti eshte se nga te gjithe te ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.

Të dashur punonjës të Punonjës të Policisë së Shtetit, sot dua t’u jap një garanci të qartë:

Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.

Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.

Çdo orë shtesë shërbimi do tju njihet dhe do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.

Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.

Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.

Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.

Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:

Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!

Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›