Kryeprokurori Touron takon Berishën: Spanja mbështet Shqipërinë për integrimin në BE Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Candito Conde-Pumpido Touron dhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio gjatë takimit me Kryeministrin Berisha

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha prit sot Prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, Candito Conde-Pumpido Touron dhe delegacionin që e shoqëronte. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio. Kryeministri shqiptar, pasi e falënderoi Touron për vizitën, i shprehu mirënjohjen për ndihmën që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në rritjen e performancës së Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë me Shqipërinë në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Ai i transmetoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e Spanjës dhe gatishmërinë e institucionit që ai drejton, që të dy vendet të luftojnë bashkërisht kundër krimit të organizuar. Zoti Touron vlerësoi gjithashtu ecurinë dhe progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj të integrimit evropian, duke theksuar se “Spanja, e cila aktualisht ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, do t’i japë mbështetjen e plotë Shqipërisë në këtë proces”.