Rama-Berishës: Ftesa ime, për ta kthyer 18 marsin në ditën e një konsensusi historik Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes një letre të hapur të paraqitur mbrëmjen e sotme, i drejtohet kryeministrit Berisha duke vlerësuar se moshapja e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit është frikë nga e vërteta. “Do të kisha dashur sot t’ju shtrëngoja dorën për kurajën, por fatkeqësisht nuk mund t’ju shpreh veçse keqardhje për frikën tuaj nga e vërteta që gjendet në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Do të kisha dashur shumë që sot Komisioni i Ligjeve të kishte hapur rrugën e zgjidhjes së problemit të rëndë që ekziston , jo mes meje dhe jush, as dhe mes partive e kampeve tona politike, por në mes të rrugës që ndan të shkuarën me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, ku prej 20 vitesh nuk bëhen dot zgjedhje të lira, të ndershme, të pakontestueshme si në çdo vend tjetër evropian”, thuhet në letrën e hapur të kryesocialistit. Ai thotë se shkruan “me shqetësim të madh sot në vigjiljen e 18 marsit kur të gjithë brenda e jashtë Shqipërisë dëshirojnë ligjërimin e një marrëveshjeje dinjitoze që i jep vendit drejtimin e daljes nga kriza politike dhe vetë parlamentit një frymëmarrje të re demokratike. “Ja pse këtë letër zoti Kryeministër duhet ta konsideroni një ftesë për ta kthyer 18 marsin në ditën e një konsensusi historik për një hetim që siç e kemi pohuar pareshtur, nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë, as delegjitimimin e parlamentit të dalë prej atyre zgjedhjeve të korruptuara, por vetëm çmontimin e mekanizmit të korrupsionit që ka kapur sistemin e administrimit
zgjedhor në Shqipëri, siç e tregon rrëqethshëm prova e kutisë së Ruzhdies”, u shpreh kreu i opozitës.