E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja premton thellimin e hetimeve për Gërdecin

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, konfirmoi dje se organi i akuzës do të vazhdojë hetimin ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me ngjarjen e 15 marsit në fshatin Gërdec të bashkisë së Vorës. “Organi i akuzës do të kryejë hetime edhe ndaj zotit Mediu”, tha Rama. Me shumicë votash, Kuvendi vendosi dhënien e autorizimit Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e ish- ministrit të Mbrojtjes, deputetit republikan Fatmir Mediu për ngjarjen e Gërdecit.
Topi-Rama: Reformë e thelle në Prokurori për të rikthyer besimin e publikut/Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi dje, gjatë punimeve të Konferencës së Prokurorëve, për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Prokurorisë Shqiptare, se prokuroria duhet të fitojë besimin e publikut. “Organi i Prokurorisë duhet të rifitojë besimin tek publiku. Rifitimi i besimit tek publiku është shumë i rëndësishëm, sepse do t’ju bëjë juve që të keni më prestigj në punën tuaj, të ndiheni më të sigurt në punën tuaj", tha Presidenti Topi, i cili vlerësoi promovimin në institucionin e prokurorisë të figurave me integritet dhe profesionalizëm”, tha Topi. Ai vuri në dukje se “sot dëshirojmë të promovojmë figura, të cilat nuk tentojnë të gjejnë lidhje të shkurtra të influencës dhe të politikës, por bazohen mbi staturën e vet. Statura presupozon ndershmëri, integritet, profesionalizëm. Në rast se secili prej jush do të punojë në këtë linjë, nuk do të merret thjesht me proçese që ka gjatë ditës, por do të studiojë, nuk do të merret me tentativat për suport, por do të jetë luftëtar i vendosur i kauzës për të cilën ai është shkolluar dhe punon, për të cilën atij i është besuar ai pozicion, atëherë ne do të kemi shanse, do të kemi një Prokurori që respektohet”, theksoi Kreu i shtetit, Bamir Topi. Më tej, Presidenti i Republikës theksoi barazinë e njerëzve para ligjit, si një tjetër element i rëndësishëm që, sipas tij, “ka të bëjë shumë me psikologjinë dhe me perceptimin public”. “Duhet të zhduket në mënyrë definitive ajo që pëshpëritet sot, gati në sintoni në të gjitha ambientet shoqërore: dikush burgoset me vite për vjedhjen e një celulari, ndërsa të tjerë që mund të kenë bërë vepra kriminale lëvizin të lire”, shtoi ai. Presidenti Topi, shprehu gjithashtu edhe mbështetjen për të ndërtuar një organ akuze pikërisht në standardet e shtetit ligjor, në standardet e një organi, i cili çdo ditë reformohet duke e pasur referencën në organizmat homologe të shteteve më demokratike të Europës dhe të botës. Kreu i shtetit i kushtoi një rëndësi edhe pavarësisë së institucionit të Prokurorisë. “E rëndësishme është që organi i akuzës të rifitojë besimin tek publiku. Politika rinovohet një herë në 4 vjet, ndërsa prokurorët kanë karrierën”, theksoi Topi. Duke iu drejtuar prokurorëve të pranishëm në këtë mbledhje Presidenti tha se “ju jeni një hallkë shumë e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, i cili nuk është më një problem kombëtar, por transnacional”. Këshilli i Përgjithshëm u mblodh dje për të zgjedhur tre anëtarë të rinj dhe sipas Presidentit, “kjo strukturë është mjaft e rëndësishme për Prokurorinë e Përgjithshme, ndaj dhe anëtarët e rinj duhet të jenë ndër më të mirët”. Në qendër të punës suaj, theksoi ndër të tjera Presidenti, është karriera profesionale, e cila duhet të jetë në funksion të ligjit. Ndërkaq, Kryeprokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e vuri theksin në angazhimin maksimal për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Jemi koshientë që sfida që mbart shoqëria shqiptare është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sfidë kjo që na shoqëron në gjithë proçesin tonë për anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Europian dhe NATO-s dhe roli i prokurorisë në drejtim të rritjes se efikasitetit të kësaj lufte është vendimtare”, tha ajo. Gjatë fjalës së saj Kryeprokurorja Rama, u ndal edhe tek disa probleme të hasura në punën e organit të akuzës duke kërkuar impenjim nga prokuroret sidomos për shqyrtimin e kallëzimeve penale dhe referimet e veprave penale, hartimin e kërkesave për masat e sigurisë dhe sigurimin e provave hetimore. Kryeprokurorja Rama, kërkoi një përfaqësim sa më dinjitoz të akuzës në proceset gjyqësore, duke kërkuar një rol më aktiv të tyre në Gjykatë. Po ashtu kryeprokurorja Rama vlerësoi tepër të rëndësishëm edhe etikën e punonjësve të prokurorisë.
Zgjidhen 3 anëtarët e rinj të Këshillit të prokurorisë/ Mbledhja e prokurorëve ka zgjedhur 3 anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë. Olsian Çela prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Sokol Stojani prokuror Prokurorinë e Përgjithshme dhe Përparim Kulluri prokuror i Rrethit Gjyqësor Shkodër janë tre anëtarët e rinj të zgjedhur dje. Emrat e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Prokurorisë i shtohen prokurorëve të cilët ishin dhe mbeten pjesë e këtij këshilli deri në përfundimin e mandatit 3 vjeçar, Arqilea Koca, Adnan Kosova dhe Artan Madani. Ndërkohë gjatë kësaj mbledhje u propozuan 12 kandidatura prokurore në rrethe të ndryshme të vendit të cilët morën pjesë në votim. Por nga votimet me shumicë votash janë miratuar vetëm tre prokurorët Çela, Stojani dhe Kulluri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›