E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqyteti i kaosit

Bllokimi i komunikacionit, pluhuri e mbeturinat, tashmë janë bërë pjesë e pandashme e jetës së qytetarëve të Prishtinës. Por në pranverën e sivjetmë, kaosi u shtua edhe më shumë. Kryeqyteti është shndërruar në një kantier ndërtimi. Thuajse të gjitha rrugët kanë nisur të ndërtohen apo rinovohen përnjëherë.

Gërmimet filluan së pari në sheshin “Bill Clinton”, pastaj nënkalimi te katedralja, duke vazhduar edhe te “Qafa”, ku është ndërprerë komplet qarkullimi i automjeteve. Kjo ka shkaktuar një kaos në trafik, sepse punimet e tyre kanë filluar nga të gjitha anët në të njëjtën kohë, asgjë duket të mos jetë e koordinuar.

Fadil Belegu, qytetar i Prishtinës, i cili çdo ditë udhëton me makinë për të shkuar në punë, thotë se kjo gjendje kaotike ka filluar t’i shkaktojë stres.
“Kryetari është hapur shumë në ndërtimin e një Prishtine metropolitane, siç e quajti ai gjatë fushatës parazgjedhore. Por për të gërmuar në të gjitha rrugët përnjëherë, nuk duron qyteti”, thotë i shqetësuar Fadili për Express.
Sipas tij, kryetari Isa Mustafa, së pari është dashur të mendojë për qytetarët, e pastaj të fillojë punën.

“Ai e ka vozitësin e tij, nuk mërzitet për timon. Rri në zyrë tërë ditën, e nuk ha pluhur si ne”, thotë Fadili, i cili shpreson që këto ndërtime të kryhen shpejt.

“Edhe pse nuk ka shumë gjasa, sepse në të gjitha anët janë hapur punimet, as këta punëtorë nuk ka kush t’i kontrollojë. Ka raste kur me ditë të tëra nuk punojnë”, thotë i bindur ai.

Përveç qytetarëve, këto punime janë bërë problem i madh edhe për Policinë e Kosovës.

Sylejman Halili, zëvendëskomandanti i Policisë së Trafikut në Prishtinë, thotë se edhe përkundër përpjekjeve të tyre që ta normalizojë kaosin e shkaktuar, kjo nuk është e mundur. “Janë në pyetje dy rrugë mjaft të frekuentuara. Ajo e sheshit “Bill Clinton” dhe te OSBE-ja, aty ky me të vërtetë është krijuar një kaos në komunikacion, për shkak të punimeve në rrugë”, shpjegon Halili për Express.

Për këtë tollovi, ai përgjegjës bën Kuvendin Komunal të Prishtinës për moskoordinim të punëve.

“Është dashur që në fillim Komuna t’i koordinojë punët rreth këtyre ndërtimeve, sepse ato tash po krijojnë tollovi, apo të paktën të bashkëpunojnë me Policinë”, thekson Halili.

Kurse Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar nga radhët e PDK-së në Komunën e Prishtinës, shpjegon se e gjithë kjo dinamikë e punës nga ana e kryetarit, po pasqyrohet falë ankesave nga ana e OJQ-ve dhe mediave.

“Megjithatë, më shumë qëndroj te kjo, që Isa Mustafa tash ka nisur punët vetëm për t’i siguruar votat në zgjedhjet e ardhshme. Sepse në bazë të premtimeve që i ka bërë, ky ka ngecur shumë mbrapa”, thotë Veseli për Express.

Ai shpjegon se e gjithë kjo nguti në punë, po bëhet vetëm për shkak të disa interesave të caktuara.

“Nuk po kuptoj se si po punojnë e nuk po bëhen planifikime dhe analiza të mirëfillta për ndërtimin e rrugëve. Krejt kjo e ka shkaktuar këtë kaos, i cili, jam i bindur, nuk i bën shumë përshtypje kryetarit”, thotë Veseli.

Ndërkaq, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shpjegon se këto punë kurdoherë duhet të përfundojnë.

“Qytetarët kanë qenë të vetëdijshëm, sepse sheshi ‘Bill Clinton’ ka qenë paraparë që vjet të ndërtohet, por i kemi shtyrë punimet për shkak të rrethrrotullimit në Lakrishtë”, sqaron Gashi për Express.

Ai thotë që qytetarët duhet të jenë të durueshëm, sepse këto punë po bëhen për të mirën e tyre. “Punimet shumë shpejt do të përfundojnë, pastaj do të shihet se çfarë punësh ka bërë Komuna”, tha Muhamet Gashi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›