Kryeqyteti, në një diskutim për kulturën dhe trashëgiminë e saj hapësinore
Pesë arkitektë të rinj shqiptarë janë bashkuar në një ekspozitë të përbashkët, të çelur në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “ARKEKSPO 1 – Tirana në Projekte”, synon të kontribuojë drejt diskutimit të vazhdueshëm për Tiranën, kulturën dhe trashëgiminë e saj hapësinore. Projektet e paraqitura, kuruar nga Gjergj Bakallbashi, njëkohësisht edhe pjesëmarrës, janë fryt i një pune disavjeçare studimore, kërkimore dhe profesionale. Pjesa më e madhe e tyre janë projekte hipotetike, dhe si të tilla shkojnë përtej limiteve që imponon realiteti i përditshëm. Pavarësisht faktit që pjesa më e madhe e këtyre projekteve mund të mos realizohen, pjesëmarrësit duan që ato të shërbejnë si pika reference si për diskutimin mes profesionistëve të fushës dhe jashtë saj, si dhe për diskutim mes studentëve të arkitekturës dhe qytetarëve të Tiranës. Skënder Luarasi, Enida Mitro, Egest Gjinali, Gjergj Bakallbashi dhe Armand Vokshi, të gjithë të ardhur nga përvoja ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, mundohen të reflektojnë profesionalisht mbi kryeqytetin e tyre. Nesër, në orën 17:00, në kuadrin e ekspozitës, në bashkëpunim me Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë, do të organizohet një pritje ku edhe do të shtrohen çështje për t’u diskutuar.