E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kriza imponon nevojën e një koordinimi efektiv mes vendeve të BE-së”

Meqenëse Spanja, që prej 1 janarit të këtij viti, ka marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian, për këtë gjashtëmujor Kryeministri Jose Luis Zapatero dëshiron të diskutojë sa më shpejt me kolegët e tij në Këshillin Europian krijimin e një bashkimi të vërtetë ekonomik, me një koordinim të politikave të detyrueshme, të pajisura me stimuj dhe “instrumente riparuese”. është pikërisht kjo, ajo që Kryeministri spanjoll ka deklaruar në Madrid para një grupi gazetarësh europianë: “Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Europa mbylli procesin e gjatë të zgjerimit me 27 shtete. Tani nuk kemi më justifikime. Ajo duhet të përqendrohet mbi objektivat e reja dhe kriza imponon nevojën e një koordinimi efektiv të politikave tona ekonomike.
“Në gjashtë muajt e presidencës spanjolle, objektivi është një ‘cilësi’ më e mirë e politikës sonë ekonomike të përbashkët”. është e vërtetë se pikërisht Traktati i Lisbonës, që ia ka besuar drejtimin e Bashkimit Europian Presidentit Van Rompuy, ka reduktuar ndjeshëm fuqitë e presidencës së radhës. “Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, presidenca gjashtëmujore e Bashkimit Europian duhet të bëhet një fabrikë idesh dhe propozimesh”, ka shpjeguar Zapatero. Po ashtu ai bëri me dije se në mbledhjen e jashtëzakonshme të 11 shkurtit, ku mendohet se do të shtrohet çështja e reformimit të strategjisë së Lisbonës, do të propozojë që Europa, në përcaktimin e prioriteteve të saj ekonomike për dhjetëvjeçarin e ardhshëm, “të pajiset” me instrumente që i detyrojnë shtetet anëtare të mbajnë premtimet e bëra, ashtu siç ndodh në fushën e politikës së bilancit.
Brenda qershorit, në përfundim të presidencës spanjolle, Europa duhet të pajiset me një plan të ri dhjetëvjeçar të quajtur “EU2020”, që do të zëvendësojë “strategjinë e Lisbonës”, që kishte fiksuar objektivat e reformës ekonomike për dhjetëvjeçarin 2000-2010. “Strategjia e Lisbonës ishte e korruptuar si për sa i përket analizës së situatës, ashtu edhe për përcaktimin e objektivave”, shpengoi Zapatero.
Më tej ai shtoi “se ajo dështoi, pasi mungonin angazhimet e qarta që do t’i detyronin shtetet anëtare të vepronin”. Linjat e guidës mbi bazë vullnetare nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme. është absolutisht e nevojshme që strategjia e re për vitin 2020 të ketë një natyrë të detyrueshme nga pikëpamja ligjore. Pikërisht mbi përcaktimin e një sistemi stimujsh dhe detyrimesh korrekte, presidenca e radhës dëshiron të diskutojë me krerët e qeverive në mbledhjen tjetër në 11 shkurt. Sipas Kryeministrit spanjoll, BE duhet të përcaktojë “një interes të përbashkët europian, që është një interes ekonomik, për të përballuar rregullin e ri botëror”, që do të përvijohet me shfaqjen e Kinës dhe fuqive të reja ekonomike në skenën botërore.
Mbi këtë bazë, programi “UE202”, duhet të rimarrë disa nga objektivat e strategjisë së Lisbonës, si krijimi i “shoqërisë së njohjes”, të ushqyer nga investime të mëdha në fushën e kërkimeve dhe të edukimit. Veç të tjerash, edhe krijimi i një tregu të përbashkët energjie, të një rrjeti dixhital të përbashkët për administrimin publik dhe të një tregu financiar europian. Por se cilat duhet të jenë masat e detyrueshme, Zapatero nuk ka dhënë më shumë detaje. “Kjo është nyja që duhet zgjidhet dhe për të cilën duhet të diskutojmë”.
Edhe për sa i përket hipotezës së sanksioneve, që përfshin eksesin e shteteve anëtare në fondet e BE-së, Kryeministri spanjoll është treguar i paqartë: “Ky është një argument që do ta vendosim në tryezën e bisedimeve, ndaj unë nuk mund të them asgjë para kohe rreth këtyre përfundimeve. Por duhet ta marrim këtë gjë shumë seriozisht, nëse vërtet duam një politikë ekonomike europiane dhe jo vetëm një politikë monetare”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›