ARKEKSPO 1, Tirana në projektet e pesë arkitektëve të rinj shqiptarë
Në ambientet e MTKRS është çelur ekspozita e arkitekturësARKEKSPO 1-Tirana në Projekte, projektet e pesë arkitektëve të rinj shqiptarë. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 Janar 2010. Kuratori i ekspozitës është Gjergj Bakallbashi. Qëllimi i ekspozitës është të kontribuojë drejt diskutimit të vazhdueshëm për Tiranën, kulturën dhe trashëgiminë e saj hapësinore. Projektet e paraqitura janë fryt i një pune disavjeçare studimore, kërkimore dhe profesionale.
Pjesa më e madhe e tyre janë projekte hipotetike, dhe si të tilla shkojnë përtej limiteve që imponon realiteti i përditshëm. Pavarësisht nga fakti që pjesa më e madhe e këtyre projekteve mund të mos realizohet, ato shërbejnë si pika reference si për diskutimin mes profesionistëve të fushës dhe jashtë saj, ashtu edhe për diskutimin mes studentëve të arkitekturës, dhe qytetarëve të Tiranës. Pesë arkitektet janë: Skënder Luarasi, i cili ka kryer studimet për arkitekturë, universitare dhe master, në Wentworth Institute of Technology, dhe në Massachusetts Institute of Technology në Boston, është arkitekt i licensuar dhe është asistent profesor në Shkollën e Arkitekturës të Universitetit të Massachusetts, Amhert. Gjithashtu ka dhënë seminare pranë universitetit UFO dhe Universitetit POLIS. Enida Mitro, ka kryer studimet për arkitekturë, universitare dhe master, në Graz dhe Vjenë. Ka bashkëpunuar me studio të njohura në Paris dhe Vjenë. Aktualisht jeton dhe punon në Vjenë. Egest Gjinali, ka kryer studimet për arkitekturë universitare dhe master, në Shkollën e Lartë Politeknike në Lozanë, Zvicër dhe tani punon për studion Studio 8 në Gjenevë, Zvicër. Gjergj Bakallbashi, ka kryer studimet për arkitekture, universitare dhe master, në Universitetin e Maryland dhe në Harvard University, Graduate School of Design. Pas një eksperience pune në Boston, New York dhe Rotterdam, ka hapur në Tiranë bashkë me arkitektë të njohur vendas dhe të huaj, VIZA Arkitekts. Ka dhënë mësim si profesor i jashtëm edhe në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Politeknik Shtetëror, Tiranë. Armand Vokshi, ka kryer studimet për arkitekturë, universitare dhe master, në Shkollën e Arkitekturës në Firenze. Pas një eksperience të gjerë pune dhe mësimdhëneje në Firenze, hap në Tiranë zyrën e arkitekturës Armand Vokshi Arkitekt. Jep mësim pranë Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin Shtetëror, Tiranë dhe Universitetit Polis.