E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së: Zgjedhje të reja dhe analizë e 28 qershorit

Kuvendi i 12 dhjetorit, ndryshime në statutin e PD-së

1200 delegatë dhe udhëzues i ri për zgjedhjet

Analizë e hollësishme e 28 qershorit mbi bazën e së cilës do të zhvillohen dhe zgjedhjet e 12 dhjetorit brenda PD-së. Një udhëzues i ri i shpërndarë dje për anëtarësinë e kryesisë së partisë tregon rrugët që do të ndiqen hap pas hapi deri në Kuvendin e 9-të të PD-së, i cili do të nisë punimet të shtunën e 12 dhjetorit në orën 10:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Zgjedhjet e reja përmes të cilave do të zgjidhen strukturat e partisë në nivel qendror, do të nisin me delegatët të cilët ndryshe nga kuvendi i 4 viteve më parë, do të jetë më të shumtë në numër, afro 1200. Ata do të zgjidhen në bazë të formulës së mëparshme, 50 nga anëtarësia dhe 50 me votë, ndërkohë që kryesia dhe këshilli kombëtar, me status të PD-së, i cili pritet të rishikohet, do të jenë të delegatë në kuvendin e ri. Lideri i PD-së, Sali Berisha, mblodhi dje Kryesinë e PD-së e cila vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar Zgjedhor më 12 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për të analizuar gabimet në zgjedhje, ku PD nuk arriti të krijonte qeveri të vetën. Kryesia vlerësoi se ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD-së, në një komunikim me mediat, sqaroi se “këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit”. Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e Nënkryetarit të PD-së, z. Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm z. Ridvan Bode. Kryesia e Partisë Demokratike shprehu bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike”, - u shpreh zëdhënësja e PD-së. Në zgjedhjet e 28 qershorit, PD arriti të fitonte zgjedhjet, por u detyrua të bënte koalicion me LSI-në, edhe pse kryesonte mbi PS-në, duke i hapur rrugën qeverisë “Berisha 2”. Kuvendi Kombëtar i Zgjedhjeve i 12 dhjetorit do të finalizojë strukturat e reja brenda partisë të cilat përfshijnë edhe zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, dy nënkryetarëve dhe kryetarit të ri të PD-së dhe nuk ka dyshim se do të jetë kreu aktual i PD-së, njëkohësisht dhe Kryeministër, Sali Berisha. Kongresi i 12 dhjetorit do të zgjedhë gjithashtu dhe kryesinë dhe këshillin kombëtar të kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›