E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimet e pasurisë, sa korrektë janë zyrtarët e lartë

Qendra për Transparencë publikoi raportin vjetor

Ambasadorja britanike: Studimi është një armë e fortë në luftën kundër korrupsionit

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë paraqiti dje raportin e saj vjetor për verifikimin e deklaratave të pasurisë të zyrtarëve të lartë. Në harkun kohor në një viti e gjysmë, qendra ka investiguar deklarimin e pasurisë të 119 zyrtarëve të lartë si deputetë, ministra, ish-ministra, gjyqtarë e prokurorë, zyrtarë lokalë si dhe zyrtarë të lartë të administratës. Në raportin e paraqitur dje mori pjesë ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, e cila e konsideroi vëzhgimin si një armë të fortë në luftën kundër korrupsionit. Projekti, i mbështetur nga ambasada britanike, evidenton problemet në deklaratat e pasurive të zyrtarëve. “Ky lloj studimi është një armë e fortë në luftën kundër korrupsionit. Luftimi i korrupsionit është gjithmonë një prioritet si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera evropiane, si Mbretëria e Bashkuar. Progres-raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë e tha shumë qartë se korrupsioni është ende një problem serioz dhe i përhapur për Shqipërinë. Progres-raporti i KE-së thekson gjithashtu zhvillimin e rolit dhe kapacitetit të medias dhe shoqërisë civile në jetën publike dhe konkretisht në rastin e luftës kundër korrupsionit”, - tha ambasadorja britanike. Drejtuesi i qendrës, Sami Neza, deklaroi në këtë prezantim se ky është viti i tretë që qendra publikon raportin për investimin e pasurive të zyrtarëve të lartë. Sipas Nezës, raporti përmbledh cilësinë e deklarimit të zyrtarëve. Sipas tij, një zbatim të mirë ka gjetur ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ku sipas raportit, vetëm tek një pjesë e zyrtarëve lokalë haset ky problem. I pyetur nga media në lidhje me rastet problematike që hasen në raport, Neza tha se për këtë çështje duhet të merren institucionet përkatëse. “Ne i bëjmë i thirrje Prokurorisë të ndjekë çështjet, pasi siç ka thënë ILKDP-ja dhe jo ne, që ka probleme në ndjekjet penale të zyrtarëve me probleme në deklaratat e tyre të pasurisë”, - tha Neza. “Për sa i përket Qendrës për Transparencën, ajo dërgon në ILKPD të gjitha rastet e dyshuara, duke e futur çështjen në linjën e ligjit”, - tha ai.

Raporti

Raporti i hartuar nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë ka investuar 119 zyrtarë të lartë të vendit. Ligji detyron 4500 zyrtarë të deklarojnë pasurinë referuar ligjit për deklarimin e pasurisë në vitin 2003 dhe atij për parandalimin e konfliktit të interesit. Qendra ka seleksionuar 24 deputetë dhe ministra ose 17 për qind e tyre, 34 zyrtarë të lartë të administratës publike, kryesisht drejtues të rëndësishëm të institucioneve, ndër ta edhe doganierë, tatimorë, regjistrues pasurie etj., 31 zyrtarë të pushtetit lokal, kryesisht kryetarë bashkie të qyteteve të mëdha apo bregdetarë si dhe komunave bregdetare apo që rrethojnë qytetet e mëdha, 30 gjykatës dhe prokurorë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe akuzës ose 5 për qind e numrit total të gjykatësve dhe prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në të gjithë vendin. Raporti njëkohësisht përfshin investigimin për pasuritë e këtyre zyrtarëve dhe konfliktin e interesit si dhe ka matur indikatorë të tjerë jashtë deklaratës së pasurisë për të përshkruar perceptime shtesë lidhur me situatën ligjore të zyrtarëve.

Konkluzionet e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë

Në prezantimin e djeshëm të raportit vjetor të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë morën pjesë aktorë të shoqërisë civile, deputetë, zyrtarë të drejtësisë, gazetarë si dhe përfaqësues nga institucionet. Të pranishmit folën mbi të dhënat e raportit. Drejtuesi i qendrës, Sami Neza, tha se propozimet e qendrës janë marrë parasysh nga institucionet, por ai tha se ka ende shumë për të bërë. Neza tha se qendra ka propozuar se duhet të përmirësohet deklarata e pasurisë në mënyrë që të shmangen gabimet teknike në plotësim e saj, një propozim që Inspektorati i Lartë e ka marrë në konsideratë. Njëkohësisht, ai tha se edhe propozimi për shtimin e rrethit të familjarëve për deklarimin e pasurisë është marrë parasysh.

Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i qeverisë së djathtë dhe shtoi se raporti i qendrës shërben për të rritur efikasitetin e kësaj lufte. Deputeti Fatbardh Kadilli e vlerësoi këtë raport, duke deklaruar se raporti ia ka arritur qëllimit për të bërë transparencën e deklarimit të pasurive. Drejtuesi i ISB-së, Artan Hoxha, tha se propozimet e qendrës duhet të shihen më gjerë, në mënyrë që të përmirësohet më tej procedura dhe transparenca e deklarimit të pasurisë. Këshilltari i Kryeministrit, Pjerin Marku, shtoi se ligji i miratuar në vitin 2005 për parandalimin e konfliktit të interesit po gjen zbatim të gjerë në administratën shtetërore. Ai ngriti shqetësimin e prekjes së të dhënave personale të zyrtarëve në momentin e investigimit të tyre.

Të dhënat e raportit

Gabime teknike në plotësimin e deklaratës së pasurisë

Gabimet teknike jo domosdoshmërisht çojnë në fshehje të pasurisë. Ato kryesisht shkaktohen për shkak të mungesës së përvojës dhe trajnimit të zyrtarëve për plotësimin e deklaratave. Vështirësia vjen ndër të tjera edhe për shkak se deklaratat e pasurisë nuk janë të kornizuara qartë, ku deklaruesi nuk ka nevojë të shkruajë shumë, por vetëm të çekojë mbi tabelat e gatshme.

Gabime financiare në plotësimin e deklaratës së pasurisë

Kuptohet çdo shmangie nga detyrimi për të deklaruar vlera të pasurive të ndryshme, si shtëpi, makinë, këste kredie, dhurata etj. Edhe në këtë rast gabime të tilla nuk çojnë domosdoshmërisht në fshehje pasurie, por gjithsesi përbëjnë një indikacion për të kontrolluar edhe më thellë raste të tilla.

Fenomeni i transferimit të pasurisë

Transferimi i pasurisë është tipik për gjykatësit dhe prokurorët që kanë marrë ose dhënë pasuri nga të tjerët në masën 30 për qind të gjithë numrit të tyre ose 62 për qind të të gjitha rasteve të konstatuara në të gjitha kategoritë e zyrtarëve të investiguar. Ka raste dhurimi të vilave, apartamenteve, makinave. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai ose vëllai.

Konflikt Interesi

Zbatimi i ligjit për konfliktin e interesit ka parametrat më të mirë. Megjithatë, ndër zyrtarët lokalë të investiguar ka tri raste të shfaqjes së konfliktit të interesit ose 10 për qind në formën e favorizimit të bizneseve private të vetë zyrtarëve, ndërsa zyrtarët e lartë të administratës qendrore kemi po ashtu tri raste në formën e papajtueshmërisë së postit me biznesin privat. Ndër politikanët apo ministrat kemi vetëm një rast të këtij konflikti, një rast i kapur tri vjet më parë, por ende i pakorrigjuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›