E Shtunë, 31 Tetor 2026

DIREKTIVA ANDEJ DHE REALITETI KËNDEJ

Presidenti, kryetarja e Parlamentit dhe Kryeministri vunë theksin këtë javë në domosdoshmërinë e ndryshimit të konceptit të të ushtruarit të profesionit të diplomatit. Në konferencën e ambasadorëve ata kërkuan prej tyre që të punojnë në funksion të interesave jo vetëm politike, por edhe ekonomike të Shqipërisë. Cili është opinioni juaj mbi këtë temë?

Asnjë dyshim nuk ka që kontakti mes niveleve e sferave të ndryshme të punëtorëve publikë është gjithnjë me shumë dobi. Komunikimi i mirë mes hallkave të veçanta është jetik për çdo sistem që pretendon të jetojë e të funksionojë. Edhe diplomacia e një vendi në vetvete s’është veçse një sistem tërësor e bashkëveprues. E tillë duhet konsideruar dhe si e tillë duhet trajtuar. Mbledhja dyditore e qeverisë me ambasadorët shqiptarë patjetër që kontribuon në këtë linjë, u jep mundësinë njerëzve të parashtrojnë pikëpamjet e politikat, por edhe të shkëmbejnë informacionin dhe eksperiencat, ato andej me këto këndej kufirit. Është një rast i artë për të qartësuar dilema, konsoliduar qëndrime, madje edhe për të saktësuar formulime lidhur me politikën e jashtme e zhvillimet e brendshme të vendit, por edhe për çështjet për të cilat punonjësit diplomatikë janë gjithnjë nën presionin e medias e grup-interesave në vendet ku punojnë. Fjala këtu është si për strategjitë e zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe sidomos për politikat e instrumentet konkrete për realizimin e tyre, ashtu edhe për pozitën që ka shteti ynë ndaj zhvillimeve rajonale e deri atyre globale. Kjo platformë nuk mund të jetë shpikje e frymëzim i një momenti. Ashtu siç krijohen e piqen dora-dorës e në vazhdimësi kohore, proceset e politikat e ndryshme duhet edhe të komunikohen e transmetohen po kështu: në mënyrë të përhershme e pa ndërprerje. Dhe me sa dimë tamam kjo është një hallkë që vazhdon të çalojë në sistemin e diplomacisë tonë. Kjo vjen jo vetëm për shkak të paqëndrueshmërisë së madhe të politikave, legjislacionit, taksave, tarifave, rregullave pronësore etj., por edhe për dy shkaqe të tjera: I pari është diskrecioni d.m.th liria e madhe që i japin vetes titullarët e rinj për të interpretuar gjërat sipas shijes e dijes së tyre –shpesh të mangët, të superpolitizuar e difektoze, gjë që i vë në siklet të madh “terminalet” tona diplomatike jashtë vendit, halli i të cilave nuk është edhe aq se “si e ka ligji” por “si e do shefi”, këtë çështje apo qëndrim. I dyti ka të bëjë me mungesën e kanaleve të konsoliduara e të besueshme për furnizimin e ambasadave me informacionin e nevojshëm. Ende nuk ka as agjenci përgjegjëse për prodhimin e një materiali të përhershëm të certifikuar për ambasadat, dhe as kanale të përhershme e të përgjegjshme për këtë furnizim.

Prandaj them se një takim i vetëm në fund viti, natyrisht që as nuk i shlyen deficitet e krijuara gjatë vitit e as nuk ngre dot ndonjë mekanizëm për funksionimin këtej e tutje.

***

Po kthehemi te çështja. E ndoqa edhe unë konferencën e ambasadorëve. Nuk di se përse zëdhënësit dhe mediat këmbëngulin aq, për ditë të tëra që ta thërrasin pikërisht me këtë emër pompoz: Konferencë e Ambasadorëve! Një emër që më shumë sesa një grumbullim të thjeshtë të krerëve të ambasadave tona me urdhër të titullarit të ministrisë, na kujton konferencën e Fuqive të Mëdha të 1912-ës. Atë që u mbajt në Londër dhe që ne e njohim mirë për “qethjen” e pamëshirshme që u bëri trojeve shqiptare, bazuar kryesisht në logjikën e faktit të kryer, të mosprishjes së qejfit të më të fortit, kryesisht për hatër të garantimit të qetësisë së Evropës. Në fakt, vetëm të asaj Evrope nga vinin vetë ambasadorët. Gjithçka mbi një logjikë të thjeshtë e pragmatiste: Çka është kapur nga serbët e grekët, është kapur tashmë. E mbyllim këtë punë që të mbyllen sherret e Ballkanit. Harxhet e Konferencës u bënë. Dosja e kufijve u vulos. Të pranishmit pinë edhe shampanjë. Evropa, kuptohet, nuk u qetësua aspak (dy vjet më vonë plasi Lufta e Madhe). Ndërsa faturën e pagoi... Shqipëria. Tamam siç ndodh në klubet tona sot, ku bosat, shefat e deputetët hanë e pinë e ngrihen e shkojnë, ndërsa fatura gjithnjë i mbetet më hallexhiut. Atij që s’pati radhë të thotë asnjë fjalë në tryezën e shtruar. Pikërisht nga ajo ngjarje botërore pra, doli ky emër: Konferencë e Ambasadorëve. Ajo asokohe sigurisht ishte vërtet e tillë, sepse mbrapa çdo ambasadori qëndronte një shtet, madje një fuqi e madhe botërore që vendoste për fatet e shteteve të tjera. Pa kishte edhe një axhendë të pasur politike dhe disa plane gjeopolitike për të shqyrtuar e miratuar. Tamam Konferencë. Tamam e Ambasadorëve. Kot na i zgjuat kujtime të tilla të këqija.

Po në rastin tonë, ç’kishim? Ajo që pamë, ishte një sallë e madhe mbushur plot me nëpunës – shumica rekrutë të rinj të partisë në pushtet, që zgjasnin kokat drejt podiumit dhe mbanin shënime. Kishte dhe nga ata që për ndonjë arsye, nuk i zgjasnin aspak kokat, përkundrazi, i fshiheshin vështrimit nga tribuna. Nga ata pra, që praktika dhe kolegët më të vjetër i kanë mësuar se në Republikën tonë, sa më pak të dukesh e sa më pak akoma të njihesh, aq më gjatë mund ta hash bukën... e ambasadorit. Pastaj, në një konferencë ambasadorësh, ata që flasin e i japin tonin sallës janë vetë ambasadorët, apo jo? Asnjë ambasador nuk pashë unë t’i jepte frymë debatit. Asnjë diplomat të vetëm. Ata që bllokuan podiumin, që folën e molloisën sa deshën për “ide” diplomatike ishin pikërisht njohësit e prakticienët më të dobët të diplomacisë sonë. Krerët politikë të dikastereve e qeverisë, të cilët duke bërë thirrje për “rregullim të imazhit të vendit”, harrojnë se askush nuk na e prish e kërcënon këtë imazh të vendit, më shumë se sa ata vetë. Por diplomatët tanë vijuan gjithsesi të mbanin shënime në copa letrash, gjithë vëmendje e respekt. Këtë e dëshmonte plotësisht mënyra se si pastaj ato copa letrash i palosnin me kujdes e i sistemonin në xhepat e brendshëm a portofolat e tyre. Janë direktiva, jo shaka.

Ndonjë nihilist e dashakeq mund të thoshte madje, se atje nuk kishim asgjë më shumë sesa një mbledhje tufëzuese të disa ofiqarëve mesatarë të pushtetit, thjesht për të marrë disa porosi politike nga eprorët. Më saktë akoma: për të shfaqur një skenë ku qeveria përcjell ide dhe direktiva të reja për diplomacinë tonë moderne, e cila, siç thamë, mbante vazhdimisht shënime. E ç’mund të bënte tjetër? Se për të folur as që ia lëshon kush podiumin. Podiumi është i zënë nga politika jonë antidiplomatike, që gati sa nuk na tha me gojën plot se cila ishte kërkesa më e fortë e pritshmëria më sublime që ajo kishte ndaj diplomacisë. Domethënë, fitoren e zgjedhjeve politike në 2009(!). Gjë që - sipas një mendjeje - mund të arrihet fare mirë përmes përqendrimit ekskluziv të të gjithë misionarëve tanë diplomatikë vetëm në një punë: në shpalosjen e arritjeve të mëdha ekonomike të kësaj shumice. Shkurt muhabeti, them se një emër më i shfryrë, si p.sh. “Takimi jetor i ambasadorëve shqiptarë me Ministrinë e Jashtme”, do t’i shkonte më shumë kësaj mbledhjeje. Del e tepron për një rast të tillë.

Vijmë tani tek lënda. Jo vetëm ju, por edhe gjithë opinioni u mësua të mendojë se kjo “konferencë” pati një mesazh themelor për të dhënë. Nuk është pra aspak e vërtetë - siç mund të mendojë nihilisti në fjalë, se ambasadorët u thirrën kështu totalisht e me ngut, thjesht për t’i përdorur si një “audiencë me kumbim ndërkombëtar” për t’u bombarduar me informacion “suksesesh” e për t’i lëshuar pastaj si kasnecë të lajmit se më në fund, pas kaq e kaq vite kërkimesh, Shqipëria ka gjetur qeverinë që meriton. Dhe që për këtë arsye s’ka pse e ndryshon. Jo, nuk është kështu. Konferenca pati një substancë të prekshme dhe një direktivë të re që lidhej me të. Kishte ardhur koha për një ndërrim rrënjësor të kursit, si rrjedhojë, dhe të prioritetit të punës së ambasadave. Së paku Kryeministri dhe ministri i Jashtëm ishin bindur për këtë. Të dy më të vonuarit sigurisht.

E them këtë sepse ideja për t’i mëshuar fort aspektit ekonomik në diplomaci, nuk është aspak e re. Qysh në fillimet e tranzicionit është ndier qartë, si kotësia e krekosjes së diplomacisë sonë si formuluese e qëndrimeve të mëdha të skenës politike ndërkombëtare, ashtu edhe nevoja për të forcuar brenda saj komponentin ekonomik, që nga disponimi i informacionit të nevojshëm mbi burimet dhe mundësitë që ofron vendi, mbi ligjet e procedurat, mbi lehtësitë dhe avantazhet e krahasuara, e deri tek aftësimi i saj (ose profilimi më i mirë i personelit diplomatik) për të interpretuar drejt zhvillimet ekonomike, për të lobuar e promovuar interesat investuese apo tregtare në vendet ku punojnë në interes të vendit që përfaqësojnë. Kjo bindje ka shoqëruar dora-dorës gjithë këta vjet të tranzicionit. Këtë e di mirë direkt nga eksperienca ime. Kam punuar disa vjet në Ministrinë e Jashtme dhe e kam prekur me duar si të thuash si injorimin dhe “pozitën e dorës së dytë” që ka pasur gjithnjë skuadra e vogël “ekonomike” brenda këtij dikasteri. Edhe pse ata 4-5 personat e punësuar atje bënin një punë të shkëlqyer, me sforco sigurisht sepse sikundër thamë, kur vetë hierarkie diplomatike i injoronte ashtu, merret me mend se sa vështirë ishte t’u imponoheshe ministrive të linjës - ku ndodhej e prodhohej informacioni ekonomik. Është interesant se edhe pse në dosjen e ministrit (kur udhëton jashtë shtetit apo kur pret këtu homologun e huaj), lënda ekonomike zinte më shumë se gjysmën e axhendës, përsëri askush nuk ngacmohej të forconte realisht këtë sektor në administratën tonë diplomatike. Të preferuarit e diplomacisë sonë mbetën gjithnjë diplomat e gjuhëve të huaja, histori-gjeografisë dhe letërsisë.

Këtu zë fill tani edhe dyshimi im. Sa sinqerisht e kemi këtë punë? Domethënë a thua vërtet ka një bindje se profili ekonomik e lënda ekonomike në diplomacinë tonë duhet të ketë një rol parësor? Unë kam 20 vjet që e kam këtë bindje, por nëse atë e kanë edhe shefat e sotëm, për këtë s’kam se si të mos dyshoj. E para, këtë dyshim ma ushqen vetë praktika e emërimit të ambasadorëve shqiptarë. Kriteret e përzgjedhjes. Kandidaturat për ambasadorë dalin e nga nuk dalin, por meazallah se të liston njeri nëse je... ekonomist. Raste të tilla numërohen me gishtat e njërës dorë. Kriter më i fortë p.sh. është që të kesh ndonjë mbiemër që të kujton nomenklaturën e vjetër sesa të kesh njohje të plotë të lëndës ekonomike. Kjo e fundit është parë gjithmonë si një “deficit” nga bota qiellore e diplomacisë sonë.

Fakti i dytë ka të bëjë me lehtësinë me të cilën Kryeministri e shtron këtë proces të rifokusimit ekonomik të diplomacisë. “Shihni se mos mbaroni ndonjë master në ekonomi”, - i fton ai si pa të keq. A thua se është fjala për të blerë ndonjë kravatë. Natyrisht, përveç mungesës së seriozitetit lidhur me vështirësinë dhe peshën sfidën e edukimit e profilimit ekonomik, kjo flet edhe për një prioritarizim absolut të kriterit politiko-partiak e personal. Sepse shumica e ambasadorëve janë të zgjedhurit personalë. As në mendje nuk i shkon Kryeministrit tonë që, meqë u dashkan kaq shumë ekonomistë, t’i heqë një pjesë syresh që s’e ka këtë formim e t’i zëvendësojë me ekonomistë kualiteti të lartë. Se nuk ka pak të tillë apo jo, që as që e kanë nevojën të bëjnë një “master”. Sepse janë doktorë e profesorë, tamam për ekonomi. Të tjerë ekonomistë vijnë çdo ditë, me kualitete të certifikuara nga universitete me emër në botë. Nuk është se ka mangësi në burime njerëzore apo jo. Përse atëherë kjo thirrje për shkollim të sforcuar të ca besnikëve, që të kujton thirrjen partizane të pasluftës për t’u mësuar urgjent komisarëve rolin e munguar të drejtuesit e administratorit “të shtetit të ri që lindte prej gërmadhash?” Ose edhe thirrjen e mëvonshme të partisë për të mbajtur pranë pushkës e kazmës, edhe... librin.

Le që ka një hap edhe më të thjeshtë akoma e më domethënës për të demonstruar bindjen e fortë të qeverisë për forcimin e kursit ekonomik në diplomacinë tonë. Më i shpejti e më i kollajshmi teknikisht. Ky është ndërrimi i ministrit të Jashtëm me një ekonomist. Natyrisht një ekonomist që edhe “diplomacinë e lartë” nuk ka asnjë arsye ta njohë më pak sesa zoti Basha.

Kryeministri tha këtë javë se brenda vitit 2009 do të përfundojë procesi i privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore. A mendoni se me përfundimin e këtij procesi shteti në vendin tonë nuk do të jetë më operatori më i madh ekonomik në treg, rol të cilin ai po e luan aktualisht?

Një saktësim. Shteti edhe sot nuk është aspak operatori më i madh ekonomik në vend. Ka shumë vite, qyshkur mbi 75 % e prodhimit tonë të brendshëm bruto raportohet si kontribut i sektorit privat. Tani kjo shifër është më shumë se 80. Me këtë nivel ne jemi më të privatizuar edhe sesa disa ekonomi të zhvilluara evropiane e botërore. Privatizimi sigurisht është një drejtim i dobishëm dhe thelbësor për tranzicionin. Por nuk është një synim totalitar. Askush s’mund të thotë se një vend që e ka 90 % këtë shifër dominimi të sektorit privat, rron më mirë sesa dikush që e ka, fjala vjen, 80 % ose edhe më pak. Askush nuk ka thënë e s’mund të thotë madje se synimi final i reformave duhet të jetë rrumbullakosja 100 për qind e ekonomisë në duart e sektorit privat. Nuk mund të thuhet kjo kurrsesi. Në njëfarë kuptimi do të ishte mohim i rolit të shtetit në ekonominë moderne. Rol i cili (siç tregon eksperienca botërore) në praktikë rezulton shumë më i lartë jo vetëm nga sa e parashtrojnë doktrinat liberale. Por edhe nga sa e pranonte gjerësish bota e zhvilluar deri më sot. Kriza më e fundit po e nënvizon edhe më qartë këtë rol. Kemi edhe lëvizje në sens të kundërt. Shtete që po marrin përgjegjësi të sektorit privat mbi kurriz.

Jo çdo shpallje privatizimi pra, duhet duartrokitur menjëherë e verbërisht. Duhet t’i japim vetes pakëz kohë e të mendojmë edhe për efikasitetin e këtij aksioni, gjë që influencohet së tepërmi, jo vetëm nga modeli i zgjedhur e nga procedura konkret, por edhe nga koha dhe nga rrethanat konkrete kur bëhet. Në këtë kontekst duhen parë edhe rezervat tona për këtë shpallje të re e të beftë të Kryeministrit tonë. Asgjë me zarar nuk ka në parim nëse ato përqindje minoritare që shteti mban kot së koti në ARMO apo Telekom, në KESH/Shpërndarje apo AMC e kudo qoftë, të privatizohen e t’i marrë e t’i gëzojë ai që din t’i administrojë më mirë. Por ato janë vlera monetare dhe për më tepër pasuri e publikut. Kështu që një merak për shitjen sa më të mirë duhet ta kemi patjetër. Në fakt, shqetësimi i parë që duhet të kishte qeveria duhet të ishte: llogaridhënia e saj mbi atë se si janë përdorur përqindjet që ka shteti në këto kompani deri më sot. Si menaxhohet ky rol prej bashkëpronari dhe sa ka fituar arka publike nga kjo bashkëpronësi? Nëse atje puna është bërë lëmsh e nëse ortaku e luan “shtetërorin” tonë si ia do qejfi, kjo është një punë që e do një lloj llogaridhënieje apo jo.

Pastaj të vijmë tek privatizimi, ku gjithashtu kemi vërejtje thelbësore si për momentin krejt të papërshtatshëm (në mes të krizës botërore presim blerës me oferta maksimale), ashtu edhe për nxitimin për t’i hequr qafe “në bllok” të gjitha përqindjet njëherësh. Kjo është një punë që s’ha logjikë. Ndërmarrjet studiohen e peshohen një nga një. Nuk kanë të njëjtën natyrë. E as të njëjtin stad të pjekurisë për t’u privatizuar.

Mediat në mbarë vendin kanë lajmëruar se disa regjisorë shqiptarë kanë depozituar filmat e tyre në konkursin për çmimin “Oskar”, kuptohet në seksionin e filmave joamerikanë. Duke pasur parasysh popullsinë e vogël të vendit tonë, a paraqet fakti i mësipërm një realitet në kulturën mbarëbotërore apo thjesht është një ëndërr?

Nuk e njoh fare këtë fushë. Natyrisht, s’do ishte keq që të kishim edhe ne ndonjë “Oskar”. E kush nuk i do “Oskarët”?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›