E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PDK-së në Ferizaj zgjedhet me akuza

Këshilli drejtues i Degës së PDK-së ka zgjedhur, të hënën, Kryesinë e Degës prej 19 anëtarëve, në mes të akuzave të ndërsjella për shantazhime dhe kërcnime. Këto akuza shpërthyen gjatë kohës së dhënies së propozimeve për anëtarë të Kryesisë së Degës.

Ishte i pari Xhabir Morina, zv/ministër i Bujqësisë, i cili kundërshtoi propozimin që edhe ai të jetë kandidatë për kryesi. “Unë as nuk dua të jem i zgjedhur dhe as të zgjedh kënd, në një proces që për mua u përcjellë nga një garë e ashpër dhe e egër”, theksoi ai duke i nxjerr në pah pakënaqësitë e një grupi, brenda Degës së PDK-së në Ferizaj. Edhe pse pa e bërë publike kandidaturën për kryetar të Degës, për shkaqe të statutit të partisë, Morina është konsideruar si një nga kandidatët për kryetar të Degës, derisa nga ana tjetër Agim Aliu, kryetar i komunës gjithashtu gjatë procesit zgjedhor është përmendur si kandidat i vetëm për kryetar Dege.

“Ka mbretëruar logjika e shkopit dhe karrotës, më vjen keq për frymën që është krijuar gjatë këtyre zgjedhjeve, shkopi ka shprehur shantazhet dhe kërcënimet, kurse karota joshjen për përfitime, por të jeni të bindur se kështu nuk është duke fituar askush, të gjithë jemi humbës, si Dega ashtu humbëse është edhe PDK-ja”, është shprehur Morina.

Pas këtyre fjalëve të cilat sollën për një kohë një heshtje të rëndë në mes të “shokëve” të partisë, Morina e lëshoi sallën i përcjellë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, bashkëshortja e tij Lumnije Azemi-Morina, pastaj nga Xhavit Zariçi, kryesues i KK-së dhe nga bashkëmendimtarët partiakë Ali Luzha dhe Gafur Behluli. Në të vërtetë, Behluli i pari u tërhoq nga të qenit anëtar i Këshillit Drejtues siç tha ai për arsye personale, dorëheqje që nuk u pranua nga partia dhe nga i deleguari i saj, Basri Musmurati, për monitorim të zgjedhjeve. Por kjo gjë nuk e pengoi Behlulin që ta braktis takimin, raporton Koha.

I vetmi që e komentoi largimin e pesë anëtarëve të KD-së, nga procesi i zgjedhjes së Kryesisë së re, ishte kryetari i deritashëm i Degës, Ylber Topalli. “ Jemi munduar për një frymë pozitive gjatë zgjedhjeve e jo për këtë frymë të krijuar të shantazheve siç u shpreh Morina, sepse një frymë të tillë e kanë krijuar pikërisht këta që e lëshuan sallën”. Askush pas kësaj nuk foli dhe nuk e zuri në gojë largimin e tyre, përpos kur Musmurati iu drejtua Këshillit Drejtues duke mos u pajtuar me cilësimet e Morinës se “procesi ka qenë një garë e ashpër dhe egër”, por sipas tij ai ishte i “fortë”.

Sipas burimeve të sigurta brenda Degës,në orët e vona të mbrëmjes pritet që kryesia e zgjedhur nga 32 të propozuarit, të zgjedh për kryetar të Degës, Agim Aliun. /Indeksonline/ë
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›