Kryesia e PS, Ruçi rizgjidhet kryetari i grupit
Gramoz Ruçi rikonfirmohet si kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Zgjedhja e tij është bërë unanimisht nga anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste.
“Sot u zhvillua mbledhja e parë e Kryesisë së Partisë Socialiste pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kryesia propozoi unanimisht emrin e Gramoz Rucit për Kryetar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, vendim që do të formalizohet në mbledhjen e grupit sot në mesditë. Kryesia u njoh, gjithashtu, edhe me kalendarin e aktiviteteve të javës që vjen, kur edhe qeveria e re do të nisë zyrtarisht punën” thuhet në njoftimin e selisë rozë.
Kështu grupi parlamentar i PS-së i cili do të mblidhet rreth orës 12:00 pritet të rikonfirmojë emrin e Ruçit për drejtimin e grupit në këtë sesion parlamentar.
Gjithashtu mësohet se kryesia e PS-së vendosi që të hapë edhe garën për kreun e Partisë Sociasliste pasi kreut aktual Edi Rama i mbaron mandati më 26 shtator.
Ndërkohë, Partia Socialiste pritet sot që të zgjedhë edhe kandidatin për postin e nënkryetarit të Kuvendit, post që i takon socialistëve, pas zgjedhjes në krye të Kuvendit të aleatit të tyre, kreut të LSI-së Ilir Meta.
Një nga kandidaturat e përfolura për postin e nënkryetares është ajo e ish-nënkryetares së Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Arta Dade.
Ndërkohë pritet që në mbledhjen e grupit parlamentar të diskutohet edhe për nisjen e seancës së parë të Kuvendit si dhe shqyrtohen emrat për kryetarët e komisioneve parlamentare.