E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS-së, qëndrim për pafajësinë e Metës: Dëshmi e rënies së shtetit ligjor

Share

Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh sot në darkë për të mbajtur një qëndrim në emër të kësaj partie ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, e cila shpalli të pafajshëm Ilir Metën, i akuzuar nga prokuroria për korrupsion. PS e cilëson këtë vendim si dëshminë më alarmante të rënies së shtetit ligjor dhe rrëzimin e parimit që të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Në deklaratën e kryesisë së PS-së thuhet: Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron vendimin e djeshëm të Gjykatës së  Lartë të Shqipërisë:

Dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës;

Faktin më tronditës të thërrmimit të parimit kushtetues Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit ;

Provën e përsëritur dhe më të padiskutueshme të kapjes përfundimtare të Gjykatës së Lartë e të vendosjes së pushtetit gjyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të Sali Berishës;

Konsolidim të kulturës së pandëshkueshmërisë, pas tre vendimeve të njëpasnjëshme të së njëjtës Gjykatë për tre raste flagrante të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar;

Konfirmim të lidhjes së shkurtër mes aktivitetit kriminal të politikes në pushtet dhe drejtësisë si garante e kësaj të fundit;

Nëpërkëmbje të parimit kushtetues të drejtësisë shoqërore si baza e shtetit dhe zëvendësimin e këtij parimi me padrejtësinë shoqërore si vazhdë në procesin qeverisës;

Shembullin më të keq të bashkëfajësisë së pushtetit gjyqësor, në mes të një vale të re të korrupsionit me prapavijë qeveritare, me pasoja të rënda për ekonominë kombëtare dhe atë familjare të qytetarëve shqiptarë;

Shtysë të drejtpërdrejtë negative në profilizimin e përvitshëm të Shqipërisë si një regjim hibrid dhe i korruptuar, larg vlerave e parimeve të familjes europiane.

Më tej kjo parti shpreh shqetësim për refuzimin që BE po i bën vendit tonë duke marrë si shembull kërkesën e vazhdueshme të BE-së për një  drejtësi e pavarur e profesionale dhe luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›