Familjarët e viktimave të 21 janarit, letër Arvizut: Nuk do ketë paqe pa u vënë drejtësia (LETRA E PLOTE)
Familjarët e katër viktimave të 21 janarit 2011, në prag të një vjetorit të kësaj ngjarje kanë kërkuar ndihmë nga Ambasada Amerikane për drejtësi për humbjen e të afërmve të tyre. Në një letër dërguar ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, të cilën e ka gazeta Tema, familjarët e katër viktimave kanë mbledhur bashkë firmat e tyre për të kërkuar mbështetje dhe drejtësi për zbardhjen e këtij krimi, që ata e quajnë një krim shtetëror, një vrasje të tmerrshme të njerëzve të thjeshtë nga shteti i tyre. Në fund të letrës prej katër faqesh, me nota ku dallohet qartë dëshpërimi për drejtësinë e munguar deri më tani, familjarët e katër burrave që u vranë atë ditë nga Garda e Republikës thonë se nuk do të ketë kurrë paqe pa u vënë në vend drejtësia e këtyre vrasjeve .
Në këtë përvjetor ne e kemi më të vështirë të shkojmë tek varret e tyre se sa ditën kur i varrosëm. Sepse dhe ata nuk kanë gjetur dhe nuk do të gjejnë prehje pa u bërë drejtësia. Edhe ata si fëmijët e tyre do të na pyesin:
Pse më vranë kur po rrija me duart në xhepa në bulevard para kryeministrisë? Ziveri
Pse më vranë kur po rrija ngjitur e po shikoja nga tenda e ABC News? Hekurani
Pse na vratë kur po qëndrimin në anën tjetër të Bulevardit kur po qëndronim paqësisht në të drejtën tonë? – Faiku dhe Aleski.
Më tej familjarët i drejtohen Arvizut duke i kërkuar që të nxisë dhe të mbështesë prokurorinë në zbardhjen e kësaj vrasje duke i thënë se filmimet nga të gjitha mediat kanë treguar se plumbat erdhën nga garda kur demonstrata po shpërndahej. Duke hedhur dyshime për hetimet, ata shkruajnë: Vrasjet lindën të qarta, por po bëhen përpjekje për ti turbulluar rrugës me qëllim që e vërteta të mos dalë kurrë. Filmimet e të gjitha mediave televizive të pranishme në bulevard me 21 Janar kanë treguar se armët e zjarrit nga Garda e Republikës u përdorën kur demonstrata po shpërndahej. Nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë për asnjë hetim të stërholluar për të provuar se me 21 Janar 2011 forcat e komanduara nga kryeministri Sali Berisha nuk shpëtuan asnjë jetë, por morën jetë, shkruajnë familjarët e katër të vrarëve. Më tej ata citojnë dhe deklaratat e kryeministrit Berisha duke thënë se këto vrasje ngjajnë si vrasje të një diktature. Pabesia e madhe në vrasjet e 21 janarit është se njerëzit janë vrarë si në diktaturë duke menduar se janë në demokraci. Përsëritja pas një viti e të njëjtit qëndrim cinik nga kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së tij tregon mungesë të plotë reflektimi dhe pendese. Por mburrja me përdorimin e armëve të zjarrit kundër civilëve të thjeshtë është në vazhdën e presioneve të qeverisë për intimidimin, devijimin dhe mundësisht bllokimin hetimi të vrasjeve. Letrën me nota mallëngjyese familjarët e mbyllin me apelin se sdo ketë paqe pa drejtësi. Nuk do të ketë paqe dhe qetësi të vërtetë në Shqipëri pa u bërë drejtësia për vrasjet e 21 Janarit. Drejtësia për 21 Janarin është më shumë se një çështje personale e jona. Është një çështje e funksionit ose jo të shtetit ligjor në Shqipëri.



