E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e re e PS, ngelen jashtë Islami e Harasani

TIRANE - 210 anëtarë të Asamblesë së re Socialiste zgjodhën dje, kryesinë dhe sekretariatin e ri të partisë. Mes rreth 30 kandidaturash, prej të cilëve 10 gra dhe 20 burra, anëtarët e Asamblesë rikonfirmuan Gramoz Ruçin, jo vetëm kryetar të forumit më të lartë, pas Kongresit të partisë, por i dhanë atij votat më maksimale.
Ruçi mori 190 vota si kryetar i Asamblesë Kombëtare, në garën pa rival, ndërsa 177 vota ai mori si anëtar i kryesisë. Burimet nga PS bënë të ditur se kreu socialist Rama kishte propozuar që votimi për kreun e Asamblesë të bëhej i hapur, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga Ruçi. Në listën e kandidatëve që u propozuan nga Rama që në fillim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare u vu re mungesa e Kastriot Islamit dhe e Andis Harasanit, ashtu siç pritej, pas marrëdhënieve të përkeqësuara që pas zgjedhjeve të vitit 2009. Por, në këtë listë ishin dhe rezultuan fitues dy prej më kritikëve, Ben Blushi dhe Arben Malaj.

Blushi rezultoi i katërti në radhën e fituesve ndërsa Malaj rezulton të jetë i dhjeti në listën përfundimtare të kryesisë. Në kryesi, megjithëse, Rama tha se kishte zgjedhur njerëz me kontribute nuk rezultuan të jenë emra që kanë qenë aktivë në Parlament dhe jashtë tij, përgjatë gjithë kësaj kohe, si Taulant Balla, ndërkohë që disa nga emrat e propozuar prej Ramës nuk kanë ndonjë kontribut të shquar në PS. I dyti më i votuar në kryesi rezulton të jetë nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe, i ndjekur nga Mimi Kodheli, e cila ishte më e votuara ndër anëtaret gra. Rama ka vendosur që të mos e ndryshojë numrin e anëtarëve të kryesisë së re edhe pse pas kongresit u fol se do të kishte shtim të numrit të kryesisë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Asambleja PS, zgjidhet kryesia e re, Rama: Gur themeli drejt fitores

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›