Kryesia e re propozon përjashtimin e Kastriot Islamit nga PS-ja
(E PLOTESUAR)- Partia Socialiste është përfshirë nga disa ndryshime të reja të rëndësishme që kanë të bëjnë me largimin e disa emrave të saj nga grupi parlamentar. Të paktën tre deputetë pritet të largohen nga PS-së, secili për arsye të ndryshme. Kastriot Islami do të përjashtohet për shkak të thyerjes së vendimit politik të partisë, Rudina Seseri ka lënë mandatin për arsye personale dhe Pandeli Majko pret të marrë një detyrë në OKB.
Siç mësohet Kastriot Islami do të përballet me një verdikt të kolegëve të tij të grupit ditën e martë, pas propozimit që bëri kryetari i partisë Edi Rama në kryesi për çregjistrimin e tij. Arsyeja e propozimit ishte sjellja politike e Islamit kohët e fundit në Kuvend, ku në vend që të respektonte verdiktin e grupit për të votuar kundër kandidaturës së Bujar Leskajt në Kuvend, preferoi të mos merrte pjesë në votim. Islami ka mundësinë të mbrohet para grupit të martën, edhe pse ai ka dy vjet që smerr pjesë në këto mbledhje duke bërë kështu një vetëlargim nga partia dhe pse jo zyrtar. Burime nga kryesia e PS-së bënë të ditur për Temën se propozimi i Ramës ka hasur në kundërshtimin e anëtarëve Arben Malaj dhe Ben Blushi, të cilët kanë thënë se para se të merren vendime të tilla, duhet të dëgjohet më parë Islami. Islami nuk ka marrë pjesë në votimin e Bujar Leskajt edhe pse vendimi i grupit të PS-së ka qenë që të votohet kundër kësaj kandidature. Mosmarrja pjesë në votim i ka humbur disa vota kundër opozitës, ndërkohë që vetë mazhoranca nuk ishte solide pasi kishte vetëm 69 vota gjithsej. Por gjithsesi përjashtimi i Islamit ka ardhur dhe si pasojë e qëndrimeve të tij të vazhdueshme kundër PS-së në media dhe në Kuvend. Ndërkohë vetë Islami ka bërë një deklaratë publike në rrjetin social FB ku sqaron se nuk mund të shprehet për sa kohë nuk ka një vendim zyrtar që i bën me dije atij përjashtimin nga partia. Nga shumë gazetarë dhe nga faqe te medias pranë Ramës jam bërë me dije për “propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i PS”. Jam interesuar tek një nga drejtuesit e grupit kuvendor të PS dhe më “rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje”. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje, deklaroi në darkë Islami. Ndërsa në disa media u shpërnda një deklaratë e Islamit që thoshte se po partia po i kërkonte autokritikë njësoj siç bëri PPSH me Mehmet Shehun.
