Kush janë deputetët e rinj që pritet të vijnë në listën e PS-së
Gjon Bardhi ose Edison Konomi do të jetë deputeti i ri nga qarku i Durrësit, që zëvendëson emrin e Rudina Seserit pas dorëzimit nga ana e saj të mandatit të deputetes së PS-së. Ndërkohë nëse Pandeli Majko do të fitojë vendin e punës në OKB, në vend të tij nga lista e qarkut të Korçës do të vijë pedagogia Irena Kallço. Burime zyrtare nga PS-ja i thanë Temës se në listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të vitit 2009 i gjashti në listë është emri i Gjon Bardhit, kryetari aktual i Bashkisë së Fushë-Krujës, por atij do ti duhet të zgjedhë mes postit të kryebashkiakut dhe mandatit të deputetit për shkak se nuk mund ti mbajë të dy mandatet sipas Kushtetutës. Nëse ai zgjedh të mbajë detyrën si kryebashkiak, ku është zgjedhur me 8 maj të këtij viti, siç dhe ka shumë shanse të ngjasë sipas burimeve socialiste, atëherë në vend të tij në radhë është Edison Konomi, një emër i ri, ajo që dihet për të është vetëm se punon si drejtor në një filial banke. Ndërsa pedagogia Irena Kallço gjithashtu nuk është aktivizuar më parë në politikë dhe ka qenë një nga emrat që PS afroi në 2009-ën nga shoqëria civile. Ajo do të ketë mundësinë të bëhet deputete nëse Pandeli Majko dorëzon mandatin e tij.
Blerina Gjoka