Majko: Do iki nga PS. Kandidon për një post zyrtar në OKB
Pandeli Majko, dy herë kryeministër i Partisë Socialiste dhe një herë kandidat për kryetar i saj, ka vendosur ti japë fund karrierës politike në këtë parti për të nisur një karrierë të re në organizmat ndërkombëtarë. Ai ka konkurruar në një vend pune në kupolën e Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork. Intervistën për të qenë zv/sekretar i Ban Ki Mun, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Majko e ka bërë të ditur për kolegët e tij të kryesisë së PS-së në mbledhjen e së premtes, mbledhja e parë e zhvilluar që pas zgjedhjes së kryesisë së re të PS-së. Majko e ka nisur rrëfimin e tij duke justifikuar fillimisht për kolegët mungesën e tij në votimin e Asamblesë Kombëtare më 3 dhjetor. Ai tha se kishte folur me kryetarin e partisë dhe kryetarin e Asamblesë, zotin Ruçi për këtë arsye dhe bëri të ditur se ato ditë ishte në Amerikë për të dhënë intervistën në OKB, ku ka kandiduar për Zëvendëssekretar për Evropën Juglindore, Rusinë dhe Kaukazin. Mësohet se Edi Rama e ka vlerësuar lart karrierën e Majkos dhe ka thënë se nëse ai do të marrë këtë detyrë kjo do jetë një nder jo vetëm për PS-në, por për Shqipërinë.