E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudina Seseri lë mandatin, kthehet në Amerikë

Share

(E PERDITESUAR)- Pasdite në zyrën e Gramoz Ruçit si kryetar i grupit kuvendor socialist, në zyrën e kreut të PS-së, Edi Rama, dhe në zyrën e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ka mbërritur letra e firmosur nga deputetja e PS, Rudina Seseri, e cila shprehte dëshirën për të lënë mandatin e deputetes së qarkut Durrës. Rudina Seseri, pas një kohe të gjatë mungesash në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ka lënë me dëshirën e saj mandatin e deputetes. Burime zyrtare nga PS-së bënë të ditur për gazetën Tema se Seseri ka depozituar pranë sekretarisë së grupit një kërkesë ku i bën të ditur partisë se për arsye personale ka vendosur të lërë mandatin e saj të deputetes të fituar në qershor 2009. Prej kohësh Seseri i është rikthyer jetës së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhe është martuar me një shtetas amerikan dhe ka pasur një punë të mirë në profesionin e saj si ekonomiste para se të kthehej në Shqipëri. Seseri ishte ylli i ri i PS-së, me të cilën Edi Rama është mburrur jo pak para zgjedhjeve të vitit 2009. Ajo ka qenë shumë aktive në debate televizive dhe në media, por pasi mori mandatin e deputetes u shkëput pak e nga pak nga politika.

Dëshiroj t’ju shpreh falenderimet e mia për mundësinë e rrallë që më ofruat për tu përfshirë në jetën politike në Shqipëri dhe për vlerësimin që keni treguar në vazhdimësi. Ky angazhim qe një eksperiencë unike për të kontribuar, së cilës i jam përgjigjur me kontributin tim të gjithëkohshëm dhe të gjithëanshëm. Mbi të gjitha, ju falenderoj që më rilidhët nga afër me bashkëqytetarët e mi, sidomos me popullin e Krujës, ndaj të cilit mbetem mirënjohëse dhe krenare. Lejomëni, gjithashtu, tju siguroj për mbështetjen time të palëkundur përmes ekspertizës time profesionale në sfidën madhore të rimëkëmbjes së Shqipërisë, shkuan Seseri për Ramën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›