Kryesia refuzon kërkesën e Vetëvendosjes

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, ku do të debatohej lidhur me platformën serbe.
Sipas këtij subjekti politik kjo seancë do të duhej të mbahej para takimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij serb Ivica Daçiq, më 17 janar në Bruksel.
Mirëpo, kjo kërkesë e Vetëvendosjes nuk është miratuar për shkak se partia e Albin Kurtit, nuk e ka protokolluar kërkesën e tyre zyrtarisht. E për ta bërë një gjë të tillë Vetëvendosjes i duhen nënshkrimet e 40 deputetëve të parlamentit të Kosovës.
“Sot kemi protokolluar një kërkesë zyrtare, për debat të jashtëzakonshëm në kuvend, ku do të debatohej për platformën serbe. Platforma ka të bëjë kryekëput me rregullimin e brendshëm të Kosovës, pra dialogu ka pësuar ndryshim substancial. Tash për tash i kemi veç nënshkrimet e deputetëve tanë, besoj që gjatë ditës do të kemi nënshkrimet e mjaftueshëm për këtë iniciativë”, tha Visa Ymeri, shef i grupit parlamentar të VV-së.
Nga ana tjetër, nënkryetari i parlamentit, Xhavit Haliti, tha se shefat e Grupeve parlamentare nuk e kanë përkrahur iniciativën e Vetëvendosjes për debat në kuvend, ngase kanë konsideruar se nuk është e protokolluar zyrtarisht.
“Nëse VV i bënë 40 nënshkrime, atëherë do të mund të debatojmë. Kërkesa e tyre është e pa protokolluar zyrtarisht. Kjo rezolutë nuk është asgjë për ne, ngase kuvendi e ka një agjendë për bisedimet, që e ka obliguar qeverinë”, tha Haliti.
Shefi i grupit, parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk ka treguar nëse do ta mbështesin VV-më mm nënshkrimet, por ka thënë se, nesër pala serbe paraqitet në bisedime me rezolutë, kjo nuk është asgjë re, dhe se nuk është shqetësuese.
“Platforma dhe rezoluta serbe për ne nuk janë obligative. Nëse pala serbe e qet rezuluten në tavolinë ne duhet ti themi shtine në gjep e merreni me vete. LDK, konsideron se për çështjet e brendshme të Kosovës nuk ka çka atë bisedohet me Serbinë”, ka thënë Beqir.m.b. /Indeksonline/