E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesimi në KiE dhe Deklarata e Brajtonit

Sipas Statutit të Këshillit të Europës i miratuar disa dekada më parë, çdo shtet anëtar i kësaj Organizate ndërkombëtare me rrotacion 6-mujor dhe duke iu përmbajtur rendit alfabetik të emërtimit të tij merr kryesimin e radhës së Komitetit të ministrave të KiE. Nëpërmjet këtyre kritereve të pandryshueshme, rasti e solli që gjatë javës së kaluar t’i dorëzohej drejtimi i organit kryesor vendimmarrës pikërisht Shqipërisë, e cila u pranua në Këshillin e Europës më 1995, pasi kryesisht pezulloi ekzekutimin e dënimit me vdekje deri në suprimimin përfundimtar të tij nga e drejta procedurale penale kombëtare. Ky pranim synonte që edhe vendi ynë të kontribuonte gjithnjë e më shumë në promovimin e lirisë, paqes, demokracisë dhe drejtësisë, të cilat ishin objektivat kryesore që vunë themelet e krijimit dhe zgjerimit të Këshillit të Europës. Njëherazi, ky pranim obligonte Shqipërinë që t’i përshtatej një karakteristike kryesore të këtij rendi komunitaro – kontinental, siç është përparësia e tij në raport me të drejtat e shteteve anëtare, si edhe efekti i drejtpërdrejtë i një seri traktatesh apo konventash të zbatueshme, në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Dhe, të mos harrojmë që sistemi europian në këtë fushë është ndoshta më i zhvilluari në botë. Dhe, Gjykata Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut vlerësohet kudo si burim i vyer publik, jurisprudenca e së cilës i jep substancë premtimeve qendrore të një shoqërie të qytetëruar.

Sidoqoftë, radha e drejtimit ministror të KiE gjithnjë është vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet si një shans pozitiv për çdo qeveri që drejton në periudhën gjashtëmujore përkatëse. Në këtë vështrim, dhënia kësaj here Shqipërisë e kryesimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës ndërkohë që i krijon mundësi të reja për një rol më aktiv të diplomacisë së vet në nxitjen e dialogut politik edhe të planit multilateral, gjithashtu i jep një shtysë më të madhe për të realizuar në një rrafsh të epërm brenda vendit premtimet dhe angazhimet e mbrojtura nga KiE, ose të shtruara në emër të saj, të cilat përkojnë me kërkesat që dalin përpara vendit tonë për një sërë reformash kyçe në drejtime të domosdoshme gjatë integrimit europian. Pra, dorëzimi i këtij mandati kuptohet që ia shton Shqipërisë përgjegjësitë për t’iu përmbajtur zotimeve të marra dhe ia prezanton qartazi zbatimet në dimensione më të gjera. Por, me sa duket, e gjithë gama e këtyre përgjegjësive nga një pjesë e politikës shqiptare dhe nga Qeveria e mbajtur prej saj ose nënvlerësohet, ose të paktën keqkuptohet. Mund të thuhet kështu pa e tepruar aspak, përderisa në zhvillimin e aktit formal të ofrimit të poltronit të lartë të Strasburgut, autoritetet tona qeveritare u shprehën se kjo qenka “një nga ceremonitë më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë” dhe se kjo qenka e aftë të vendosë e të përmbushë në emër të 47 shteteve pjesëmarrëse të kësaj organizate ndërkombëtare prioritete të tilla, si riformatimet gjyqësore në KiE. Po kjo, ç’të jetë: Shprehje e delirit të madhështisë, shfaqje ekstreme e marrëzisë, apo edhe dufmë e shfrenuar e hipokrizisë?!

Sidoqoftë, nëse formati i këtyre radhëve nuk mund të na lejojë për të analizuar mungesën e vullnetit politik të mazhorancës qeverisëse në hartimin dhe aplikimin e disa reformave kryesore brenda vendit, nuk mund të mos përmendet që në stafetën e kryesimit në KiE, që iu dorëzua Shqipërisë, bën pjesë edhe jetësimi i një Deklarate të shpallur në Takimin e Konferencës së Nivelit të Lartë mbi të Ardhmen e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbajtur në Brajton më 19 – 20 Prill 2012, me nismën e Kryesisë së Mbretërisë së Bashkuar të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Me anë të kësaj Deklarate shprehet përkushtimi i thellë e i palëkundur i shteteve palë dhe i përmbushjes së detyrimit të tyre ndaj Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, për t’i siguruar cilitdo brenda juridiksionit të vet të drejtat dhe liritë e përkufizuara në këtë Konventë. Ata riafirmojnë përkrahjen e tyre mbi të drejtën për aplikim individual pranë asaj Gjykate, si gur themeli i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të përcaktuara në KEDNJ.

Në hyrjen e tekstit të Deklaratës së Brajtonit bëhet e ditur se, shtetet palë dhe Gjykata Europiane e Strasburgut ndajnë përgjegjësinë për realizmin e zbatimit të Konventës, duke zgjidhur në mënyrë të efektshme të gjitha shkeljet në nivel kombëtar. Në përmendjen e konstatimit që është kjo Gjykatë, e cila vepron si roje për shkeljet e patrajtuara në nivel kombëtar, shtetet palë angazhohen që aty ku Gjykata gjen shkelje, të respektojnë gjykimin përfundimtar të saj. Gjithashtu, në këtë tekst shprehet përgjegjësia e përbashkët për të siguruar prakticitetin e mekanizmit të Konventës, si edhe vendosmëria për të punuar në partneritet që të arrihet kjo, duke u bazuar te puna e rëndësishme e Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare të KiE, ashtu sikurse edhe te Komisioneri për të Drejtat e Njeriut dhe te të tjera institucione e organe të Këshillit, si edhe duke punuar me frymë bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe institucionet kombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Meqenëse tashmë është krijuar bindja se Protokolli Nr. 14 i KEDNJ veçmas s’mund të favorizojë zgjidhje afatgjata dhe tërësore mbi problemet me të cilat përballet sistemi i Konventës, nuk mund të mos theksohet nevoja e ndërmarrjes së masave të mëtejshme për t’u siguruar që ky sistem të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe liritë e mbi 800 milionë njerëzve në Europë. Prandaj, Konferenca e zhvilluar në Brajton u përqendrua në disa drejtime të rëndësishme, si: Zbatimi i Konventës në nivel kombëtar, si pjesë e punës së tyre më të gjerë në spektrin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit; bashkëveprim më të gjerë ndërmjet Gjykatës së Strasburgut dhe autoriteteve kombëtare, duke nxitur dialogun si mjet në të kuptuarit e përmirësuar të roleve të tyre përkatëse; aplikimet në Gjykatë, e cila të vazhdojë t’u përmbahet në mënyrë strikte dhe konsekuente kritereve të pranueshmërinë, me qëllim që të forcohet besimi në rigorozitetin e sistemit të Konventës; përpunimi i aplikimeve, në mënyrë që Gjykata të jetë në gjendje të hedhë poshtë aplikimet e papranueshme, me sa më pak ndikim në burimet e saj; cilësia e gjykimeve, që ndikojnë në autoritetin dhe besueshmërinë e Gjykatës, e cila ndihmon gjykatat kombëtare që ta aplikojnë në mënyrë më precize Konventën; ekzekutimi i gjykimeve të përfunduara të Gjykatës, për të siguruar që ato të kenë efektin e duhur, përfshirë edhe me anë të zbatimit të masave të përgjithshme që zgjidhin çështje më të gjera sistemike. Deklarata përfundon me ftesën që u bën kryesimeve të ardhshme të Komitetit të Ministrave, që të sigurojnë ritmin e mëtejshëm të reformës së Gjykatës dhe zbatimin e Konventës.

Mirëpo, meqë Shqipërisë i erdhi radha e kryesimit më të afërt, pra vetëm rreth një muaj pas përfundimit të Konferencës së Nivelit të Lartë mbi të Ardhmen e Gjykatës për Të Drejtat e Njeriut, a mund t’i verë ajo në lëvizje të gjitha kapacitetet e saj për të drejtuar denjësisht dhe rigorozisht në gjashtë muajt e ardhshëm këtë proces progresiv të dimensionit kontinental? Ngarkesat politike që përjeton aktualisht shteti ynë nuk mund të fshehin rëndësinë e përcaktimit të rolit të tij, përpara se t’i gjendet ndonjë emërtim i saktë kompetencave për t’u ushtruar prej tij. Gjithashtu, këtë ngarkesë të re specifike nuk mund ta nënvlerësojë as fakti që Shqipëria nuk përmendet si problematike në marrëdhëniet me Gjykatën e Strasburgut, veçanërisht për disa dosje me përmbajtje komplekse. Sepse, në këtë “zbrazëti” nuk kanë ndikuar zgjidhjet “e admirueshme” të çështjeve brenda vendit, se sa numri relativisht i ulët i banorëve të tij dhe sidomos paqartësitë dhe pamundësitë që kanë këta për të përgatitur aplikimet përkatëse, për të pritur me durim kalitës zgjidhjet e tyre, ose për të ringjallur besimin e humbur tek e drejta dhe drejtësia në Shqipëri. Siç është po kaq e vërtetë që në Sekretariatin e asaj Gjykate mbeten ende të pagjykuara çështje nga Shqipëria, fashikujt e të cilave datojnë që në vitin 2002 e këndej. Madje, disa prej tyre kanë objekte drithëruese nga klinikat psikiatrike.

Ndonëse, në përgjithësi asnjë sistem në këtë fushë nuk mund të jetë i përsosur dhe zhvillimet dinamike i perfeksionojnë ata në vazhdimësi, sfidat e sotme të gjyqësorit në Shqipëri nuk kanë të krahasuar. Janë aq shumë problematike sa që vështirë të përballohet denjësisht edhe reformimi i procedurave kombëtare që shtetet palë të KiE bëjnë në emërimin e kandidatëve të kualifikuar për t’u përzgjedhur si gjyqtarë të Gjykatës Europiane. Jo se në Shqipëri ata mungojnë plotësisht, por çfarë mund të thuhet kur për gjyqtarë pilot të Strasburgut nga Shqipëria, që duhet të shqyrtojnë çështje të shkuara prej këtej, nuk plotësohet lista prej tre emrash? Çfarë mund të thuhet, gjithashtu, që edhe ata të dy që janë propozuar mbajnë postet e gjyqtarëve kushtetues brenda vendit, të cilët për veprimtarinë në Strasburg mund të vlerësohet fare mirë, se kanë konflikt interesi. Çfarë mund të thuhet, kur një prej emrave të listuar i takon një gjyqtareje kushtetuese e zgjedhur nga mbështetje apo ndikime politike të mirëfillta dhe me mungesë të një karrierë profesionale të kompletuar? Mirëpo, ajo çka duhet t’i bëjë autoritetet qeverisëse shqiptare që të mos i bien gjoksit në erë përpara homologëve të tyre nga 46 shtetet palë të tjera të Këshillit të Europës, më së shumti është ballafaqimi i tyre me nevojën urgjente që ka vendi për hartimin dhe kurorëzimin e reformës kombëtare gjyqësore, në radhën e 12 prioriteteve kyçe drejt integrimit europian. Vazhdimi i një gjendjeje apatie dhe mosveprimi në këtë drejtim do ta zhyste krejt sistemin e drejtësisë në batakun e padrejtësisë dhe, rrjedhimisht, në korrektimin e asaj proverbës së vjetër, sipas së cilës: “Drejtësia vonon, por nuk mënon”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›