E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqëzata anti-njeri në Shqipëri

Nga Sokol Kondi

Shqipëria e njëmijenjë halleve, një ditë të bukur u ngrys me një hall të ri, i cili madje i tejkalon për nga rëndësia dhe përmasat aq shumë të tjerat, sa që prej disa kohësh duket sikur është shndërruar në hallin e vetëm. Ky rrezik i jashtëm që po na kanoset, i ka sheshuar të gjitha problemet e brendshme, të cilat kanë përfunduar në kalendat greke, dhe ka krijuar një aleancë të gjërë për shpëtim që ka bashkuar shumëkënd. Vetëm pasi të mposhtim këtë të keqe të madhe mund tu rikthehemi sërish çështjeve të përditshme që na shqetësojnë! Kjo hije e kobshme dhe ogurzezë që na paskësh pllakosur vendin u quakërka homoseksualizëm, që është një term që përdoret kohët e fundit gjithnjë e më shpesh për të kategorizuar ata njerëz që kanë orientime seksuale të ndryshme nga ato të shumicës. Nuk është e volitshme të merremi me semantikën, e cila, në formën e lartpërmendur mund të përfshijë vetëm një pjesë të individëve që janë palë në këtë çështje. Për shtjellimin e saj ka ekspertë tejet më kompetente që mund të jepnin argumenta me bollëk. Qëllimi është të merremi me fenomenin duke e aktualizuar me kontekstin e vendit ku jetojmë. Ndaj me termin homoseksual në vijim do të nënkuptojmë të gjithë individët LGBT (Lesbike-Gei-Biseksualë-Transeksualë).

Së pari parada, parakalimi, apo protesta (në thelb janë të ngjashme) që shoqatat e tyre në Shqipëri kanë lajmëruar se do të realizojnë së shpejti, ka irrituar një pjesë të shoqërisë, e cila ka reaguar në mënyra jo gjithnjë orthodhokse. Shqetësimi i parë që qytetarët e indijuar ngrënë është: përse këta njerëz duan ta shfaqin në publik atë çka janë? Në fakt, të duket një pyetje me vend. Përse pra një homoseksual duhet të ngrejë krye e të ulërasë: Më shihni, unë jam homoseksual!. Kjo do të ishte absurde, po aq e pakuptimtë sa ti thojë dikujt: Unë jam unë. Asnjë person me orientim normal seksual gjatë bisedave me miqtë e tij nuk u thotë këtyre të fundit në forme lajmi sensacional se i pëlqejnë femrat (në rastin se është mashkull) apo se i pëlqejnë meshkujt (në rast se është femër). Përse atëherë homoseksualët duhet tu thonë qytetarëve se u pëlqejnë meshkujt (në rast se janë meshkuj) dhe se ju pëlqejnë femrat (në rast se janë femra), apo se u pëlqejnë nga pak të dy (në dy rastet e tjera), kur tekefundit kjo gjë dihet që në momentin që dihet se dikush ka orientime të ndryshme seksuale. Në dukje e zbërthyem këtë dilemë, por ka gjasa që të mos të jetë kaq e thjeshtë saç paraqitet. E para, që në ngritjen e këtij shqetësimi, mendoj se kjo bëhet mbi baza të gabuara, apo të paragjykuara. Personalisht nuk kam dëgjuar asnjë përfaqësues të këtij komuniteti të ketë thënë publikisht se do të parakalojnë për të treguar atë çfarë janë. Në dijeninë time, parakalimi do të bëhet për të protestuar për të drejtat e mohuara dhe për dhunën psikologjike apo fizike me të cilën ndeshet ky grupim. Por edhe sikur qëllimi i vërtetë i këtij parakalimi të ishte manifestimi i unit, pra i asaj çfarë je, edhe kjo mund të ishte mëse legjitime dhe e drejtë. Në fakt, kur ekzistenca jote vihet në dyshim dhe kërcënohet deri në pikën e asgjësimit apo të asimilimit, edhe një absurditet si të thënit unë jam unë kthehet në një domosdoshmëri dhe merr trajtat e një logjike të shëndoshë. Uni merr kuptim vetëm kur është në konflikt me jo-unin. Grekët e lashtë nisin të quanin Europa të gjitha kolonitë e tyre vetëm në momentin e kërcënimit të jashtëm që paraqitej nga mësymjet persiane. Kur rreziku nuk ekzistonte, as Europa nuk ekzistonte. Ajo mori kuptim vetëm kur rreziku u shfaq. Europa në mitologjinë greke ishte një virgjëreshë aq e bukur, sa që edhe vetë Zeusi nuk i rezistoi dot, por u shndërrua në një dem fluturues, e rrëmbeu dhe e përdhunoi. Pra përballë çdo përdhunimi shfaqet edhe nevoja për ta mbrojtur unin.

Duke u kthyer në kohën dhe hapësirën tonë, dikush mund të thotë: e çtë drejta i janë mohuar homoseksualëve në Shqipëri më shumë se të drejtat që mund tu jenë mohuar romëve, dhe të varfërve të tjerë në të katërta skajet e vendit?. E të mendosh që këta të fundit, edhe pse më të margjinalizuar, nuk kanë parakaluar kurrë! Kjo është e vërtetë, por fakti se këto grupime nuk kanë mundur të organizohen për të mirën e tyre të përbashkët, nuk mund të demonizojë një grupim tjetër që është i aftë dhe ka vullnet ta bëjë këtë. Forma organizimi kolektiv për një interes privat apo publik legjitim duhet të jenë të mirëpritura në një shoqëri që vuan së tepërmi nga mungesa e formave të bashkëpunimit reciprok solidar. Nga ana tjetër, vërtet nëpër kronikat e lajmeve tona nuk kemi dëgjuar raste të shpeshta diskriminimi të kësaj kategorie njerëzish (gjithnjë nëse na lejohet ti kategorizojmë), por mungesa e dhunës fizike apo e diskriminimit në vendet e punës për shkak të orientimit të ndryshëm seksual mund të ketë një fytyrë të dyfishtë. Për shembull mund të jetë edhe derivat i mosshfaqjes, apo të vijë si pasojë e përpjekjes për ta fshehur këtë dukuri. Të dyja këto bashkë prodhojnë një dhunë të ashpër psikologjike, e cila është po aq e rëndë sa ajo fizike (për këtë mund të pyesni psikologët). E pra, problemi në këtë rast ka gjasa të mos ekzistojë vetëm në dukje, pasi mundohet të kamuflohet, të zvarritet, të fshihet, i detyruar nga rrethanat e një mentaliteti shoqëror, i cili në masë e përbuz, e urren dhe e dënon moralisht të qenin homoseksual. A ka arsye më të madhe për të protestuar ndaj një shoqërie në të cilën një individ e ka të pamundur ti thotë prindit të tij atë çka ai është dhe ndihet në të vërtetë?! A ka arsye më të madhe për të ulëritur ndaj kësaj intolerance të mishëruar në trysninë që detyron qindra qytetarë të ndërmarrin një zgjedhje të detyruar prej heremiti nga opinioni i masës dhe jo nga vullneti i tyre i lirë?! Të vinte keq tek shihje disa të rinj të nënshtruar nga ky realitet i hidhur në një emision televiziv, në të cilin madje ruanin anonimatin e tyre pikërisht për ti shpëtuar drapërit të opinionit publik apo të familjes! A ka arsye më të madhe për të protestuar ndaj një shoqërie e cila të dhunon psikologjikisht deri në atë pikë sa të bën të kesh turp të nxjerrësh fytyrën për atë çfarë je dhe ashtu si je?!

Më shumë se ironike, të duket një pandërgjegjshmëri e plotë kur dëgjon individë komunitetesh fetare të thonë se çfarë e drejte u është mohuar homoseksualëve që protestojnë?! Përgjigja është: Mos vallë iu është mohuar e drejta e fjalës? Mos vallë iu është syrgjynosur e drejta për të patur një identitet? Mos vallë iu është mohuar deri vetë e drejta për të ekzistuar!? Por edhe pse këto dukuri nuk janë përkthyer medoemos në episode dhune fizike, dhuna psikologjike ka bërë që vazhdimisht kjo pakicë të jetojë nën terror, nën përbuzje, tallje dhe diskriminim të vazhdueshëm moral. Mjafton të dëgjosh dhunën verbale që ushtrohet nëpër emisione mediatike apo urrejtjen që mbillet ndaj tyre për ta kuptuar këtë. Është e frikshme teza e një drejtuesi të njohur televiziv, sipas të cilës, homoseksualët mundet të parakalojnë vetëm pasi ta kenë zbutur dhe bindur më parë opinionin publik përmes shfaqjes së figurave të shquara publike, se ekzistenca e tyre nuk është edhe aq perverse. E përkthyer ndryshe, nëse një fenomen i tillë nuk ndodh, atëherë është më mirë që homoseksualët të qëndrojnë në strofkën e tyre, sepse shoqëria nuk do ti kuptojë. Përveçse paraqet një konflikt me vetveten, kjo tezë bie ndesh edhe me mekanizmat ligjorë, sepse çdo qytetari, të drejtën për tubim individual apo kolektiv, nuk ia garanton opinioni publik, por Kushtetuta. E çtë thuash më pas për ata që thonë se për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve duhet të jesh domosdoshmërisht homoseksual. Njerëz të tillë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis njeriut politik dhe atij biologjik. I pari e merr emërtimin e mësipërm pikërisht sepse del nga sfera private

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›