E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhja e Presidentit sipas karakteristikave shqiptare

Të lexosh njërën nga esetë kontemporane të Montefiores: “Revolucionet janë vendore” nën titullin “Terrorizmi nën kamera” do të thotë të ndalesh, të reflektosh mbi gjithçka që mendoje se dije për sa u përket atyre. Pa ndalesë përkufizimesh, çka njerëzimi i njeh prej lindjes së tij, revolucioni lëviz si gjë e gjallë (mendoj unë), sepse dhe i tillë është përderisa kryhet nga njerëzit për ide, për të ndryshuar me patjetër diçka në emër të tyre, sado e vogël qoftë, gjë që ndodh çdo ditë, çdo çast për vetë esencën ekzistencialiste të tyre të bashkuar në këto ide. Por natyrisht tipizimi i përkufizimit mbetet rezistenca e përjetshme për përmbysje sistemesh (akti final i revolucionit) kryesisht të dinastive. Parathënia e sinkronizuar e Fahri Balliut rreth këtyre eseve rrit dimensionet e brendisë. Ndonëse Montefiore nuk e përmend E.Hoxhën në radhën e diktatorëve shumë dimensionalë që zotëruan njerëzimin ndërkombëtarisht si Hitleri, Osama Bin Laden, Stalin, Pol Pot deri tek Husein e Gedaf, për keqardhjen time Fahri Balliu e mbyll radhën e tyre me të. Keqardhje kjo, vetëm për pak ndërgjegje kombëtare ndaj ndërkombëtares kundrejt bilancit jo kryekëput negativ të veprës së E.Hoxhës. Sensibilitetit sado pak patriotik pse ne (për të mos u shprehur në mënyrë të rëndomtë: shajmë veten tonë) theksojmë ndërkombëtarisht të keqen tonë, argumentin ta jep Montefiore: “Revolucionet janë të gjithë të ndryshëm, secili është vendas”. Kjo, si uverturë për të hyrë në temë. Suksesi i parë i çdo revolucioni krijon iluzionin e lirisë demokratike. A s’është kështu me ne pas 20 vjetësh? Nëse çdo vendimmarrje me karakter konsensual do të përbënte një revolucion të vogël, të qëndrojmë vetëm në çështjen e zgjedhjes së presidentit si çështje e nxehtë e ditës.

Ka shumë paqartësi: të natyrshme, konfuzion të stimuluar, kalkulime të rafinuara, intriga politike etj. etj., kundrejt mungesës me qëllim të theksit mbi principin:
1. Të metodologjisë së zhvillimit të zgjedhjeve (që në demokraci kanë karakter plebishitar).
2. Të pastërtisë morale të figurës së Presidentit.
Ndaj principit bëhet bojkot për të mos u njohur nga opinioni publik, që të mos bëhet pengesë në manipulimin e zgjedhjes së Presidentit, interes ky i të gjitha palëve. Më paqësisht e drejtësisht ka folur vetë Presidenti i sotëm për Presidentin e ri. Sepse vetëm kushti kryesor për pastërtinë e figurës së Presidentit është anashkaluar politikisht e mediatikisht. Pranimi në garë presidenciale i kandidaturës së Nanos ishte handikapi më regresiv ndaj moralit të shqiptarit apo atij popullor. Sentenca filozofike e Sokratit thotë: “Çdo riciklim i keq në politikë, është njëmijë herë më i dëmshëm se sa veprimi më i keq i kësaj politike”. Ndërsa Max Weber, sociolog gjerman, parashtron tre arsye pse qytetarët u binden liderëve, në rastin tonë liderit për President:
1. Për prestigjin historik.
2. Forca tërheqëse apo karizma e tij.
3. Vendosmëria e patundur ndaj ligjit për shkak të virtyteve personale të tij.
Rasti “Nano” nuk i ka pasur asnjëherë e i ka humbur të trija prej kohësh. Sidomos prej viteve të fundit midis qenies e mosqenies në problemin shqiptar, por edhe me “botokset” fizike e politike ka humbur “dhuratën vetjake të hirësisë” (Weber), pra ka humbur krejt prestigjin. Dikush së fundi (tek Balla) u prononcua në mënyrë diskrete: Nano humbi shansin që nuk pranoi të ndërmerrte në kohë një lëvizje që iu propozua – pra një tjetër pazar për Nanon dhe me Nanon. Për çka shqiptarëve iu mbetet vetëm të thonë: Shyqyr Zotit që humbi shansin! - sepse vullneti i tyre është i pallogaritshëm. Qytetarët shqiptarë janë shqetësuar me lobimin e ekzagjeruar të ambasadorit Arvizu ndaj Nanos. Ndonëse jemi mësuar, madje kërkojmë të zbatohen orientimet europiane ashtu si dhe ato amerikane (më prioritari për ne) sepse duam të hyjmë në Europë. Por orientimi i tyre duhet të mbështetet në opinionin publik, pra në sensibilitetin për zgjidhje vendase, pra të karakterit shqiptar, pa rënë ndesh me atë ndërkombëtar. Megjithatë slogani (sepse deri tani kështu mbetet) “Presidenti duhet konsensual” ka bazë të shëndoshë të karakterit vendas për t’u bërë realitet, megjithëse konflikti PS-PD mbetet konstant. PD ngul këmbë që Presidenti do të jetë nga mazhoranca e PS-së, që do të jetë medoemos nga e majta, duke përfshirë dhe shoqërinë civile. Pa u ndalur në mundësitë e partive të vogla (çka personalisht do ta merrja në konsideratë), apo në shoqërinë civile, çka do të ishte prioriteti im, për çdo rast në PD-PS, marrë më vete, gjenden figura të kënaqshme për pastërti morale e integritet. Marrim vetëm nga një shembull për ilustrim të problemit. Për insistimin e PD-së do të ishte shumë i pajtueshëm në interesin e përgjithshëm profili i Fatos Bejës: jo autoritar, por me personalitet të konsoliduar. Siç do të ishte nga PS-ja profili i Kastriot Islamit, që përfaqëson karakterin më demokratik të mendimit “ndryshe” nën thundrën e Ramës, krahasuar me Blushin, pa këllqe personale por me potencë klanore e nepotike. Çdo figurë përqasëse në karakteristika individuale me çka thamë, që mund të qëndrojë fort mbi palët do të ishte e mirëpritur. Kujdes do pasur që PD-ja të mos abuzojë me pushtetin për kandidatura jo të pranueshme. Shqiptarët janë lodhur nga mangësitë jetësore e PD ka 8 vjet në pushtet. Ndaj për paralele të përsëritjeve të rrethanave politike (8 vjet më parë Nano), është e natyrshme që rotacioni të jetë i dëshirueshëm, cilido që të jetë Rama. Shqiptarët nuk janë shëruar akoma nga diktati komunist e mbi ta ushtrohet njëlloj diktati i politikës së ditës me qëllim për t’i çoroditur. Ndaj, duhet kujdes që revolucioni për liri e demokraci i viteve ’90-të të mos përfundojë në antirevolucion antidemokratik. Si çdo revolucion, edhe ai yni pati figurat fillestare të tij, si Azem Hajdari e dhjetoristët e tjerë që siguruan praktikisht gjethet e fikut për “burrat më të fortë” realisht apo të potencuar nga rrethanat vendase ( Katovica alla shqiptare e Ramiz Alisë). Siç edhe duhet pasur parasysh që, nga mjegullnaja e revolucionit përfitojnë ekstremistët (rasti Rama) me parimin e Leninit: “Pa u bërë keq, nuk bëhet më mirë”. Shqipëria nuk duhet të bjerë as edhe një sekondë më keq, sepse historia njeh revolucione paqësore si ai i Mandelës apo modeli “Gandi”. Na duhet vetëm që revolucionin paqësor ta kultivojmë brenda vetes e të derdhim pa kufi dashuri për njëri-tjetrin, cilido qoftë ai, që zgjidhjet e problemeve të jenë vendase.
28 maj 2012

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›