Procesi kushtetues, Nano dhe amerikanët
Nga Luan Kurti
Si në një lojë me letra ku secili luan bllofin dhe përpiqet të fsheh të vërtetën, politikanët kryesorë, ata që kanë në dorë jo vetëm ta propozojnë por edhe ta zgjedhin presidentin e ardhshëm të Shqipërisë, po i mëshojnë fjalës proces. Pra procesi duhet të shpjerë natyrshëm tek emri i kandidatit dhe jo kandidati të diktojë procesin. Kjo duket ca e ngatërruar si formulë. Por nëse PD- ja e ka shprehur hapur synimin e vet dhe tenton të shkojë në takimet me një emër të vetin, PS- ja shkon drejt procesit me dorën të fshehur pas shpine dhe me zgërdhimje. Përkthyer kjo sipas formulave të Ramës: unë kam një mendim që skam mendim, por në kohën që unë skam mendim, do të thotë që gjithsesi po mendoj. A mendon mirë a mendon keq kjo është për tu parë.
Po amerikanët çfarë po thonë? Ambasadori Arvizu (por jo i vetmi nga ndërkombëtarët), e ka thënë shkoqur se kërkohet një njeri konsensual që të votohet mundësisht me sa më shumë vota dhe që në raundin e parë. Gjithashtu ai nuk ka ngurruar të artikuloj vlerësimet më të larta dhe preferenciale në raport me figurat që qarkullojnë sot në tregun politiko-mediatik për kandidatin e vetofruar Fatos Nanon. Disa syresh, janë përpjekur ta shohin këtë si jo normale, si një mendim personal, jo si shprehje të një kërkese nga SHBA-të Pasi megjithë vlerësimin që kemi për aleatin tonë më të madh dhe strategjik nuk mundet të na imponojnë askënd, pasi po zgjedhim një president të shqiptarëve dhe këtu nuk ka vend për qoka. Ne jemi një vend sovran dhe me demokraci funksionale (!!!) Thua të kemi mbërritur në këtë shkallë ndërgjegjësimi, pavarësie, pjekurie politike sa që gjërat ti zgjidhim vetë, në mënyrën më të mirë të mundshme, pikë për pikë me kushtetutën dhe me kërkesat e partnerëve tanë ndërkombëtarë?!… Ca e vështirë për tu besuar, po të kihet parasysh jo vetëm e shkuara por edhe e tashmja, kur as për çështjet e reformës zgjedhore dhe parlamentare palët nuk u morën vesh dhe shkelën afatet e përcaktuara. Pikërisht kjo shkallë papërgjegjshmërie vijimsuese, ky handikap ka detyruar ndërkombëtarët të zhvishen nga gjuha diplomatike, të bëhen më konkret dhe të papërgënjeshtrueshëm nga dylbitë apo kulisat partiake që shohin dhe interpretojnë në mënyrë të njëanshme çdo fjalim apo raport serioz për zhvillimet dhe reformat në vend. Parë në këtë këndvështrim cilësimi i zotit Arvizu për Nanon nuk ka në thelb ndjesi apo simpati personale, por niset nga prerogativa se heshtja, mospërfshirja, vëzhgimi në distancë, do thotë lejimi i gabimit të radhës, i një situate pos zgjedhore të kontestuar, i mungesës së funksionimit të mëtejshëm të institucioneve kryesore dhe i kostove të tjera shtesë për shqiptarët. Ai nuk është njeriu që flet me heshtjen, por si mik i sinqertë po deklarohet qartë dhe prerë: Nano është më i miri i atyre që po tëhirrni prej muajsh nën zë dhe me zë, pasi ka staturën dhe disa standarde të nevojshme për burrin kryesorë të shtetit me të cilin ne do kishim nevojën, kërkesën, dëshirën të komunikonim në të ardhmen jo vetëm për çështjet e brendshme, por edhe ato rajonale dhe ndërkombëtare! Thënë ndryshe, kjo evokon mungesën tonë të kurajës, dyfytyrësinë, qëllimet e fshehta politike që gatuhen në prapaskenë, ku përtej deklarimeve presidenti nuk shihet si përfaqësues i unitetit të popullit, si nevojë apo garanci për institucionet kushtetuese të balancuara, por si gep shpëtimi, riciklimi, kalkulimesh, përballje forcash, alibish; si mundësia e artë ku secili nga aktorët politik kërkon të mbledh barin apo të korrat e zgjedhjeve ta ardhshme në hambarin e vet.
Ne nuk mund të bëjmë si të prekur, si burra nderi të prerë, në besë, si dinjitarë dhe të përpiqemi ti bëjmë karshillëk amerikanëve nisur nga të ashtuquajturat standarde, norma demokracie dhe të etikës bilaterale. Përkrahja, mbështetja e tyre gjatë këtyre njëzetë e dy viteve pluralizëm ka qenë e mirëseardhur, një fat i madh i papërsëritshëm, ka ndikuar direkt ose indirekt në zgjidhje të mëdha të çështjeve shqiptare, një zë i shtuar në rritjen e autoritetit dhe prestigjit në kancelaritë më të rëndësishme të globit. Të gjithë e dimë se hyrja në NATO u dedikohet tërësisht atyre dhe smund të bëjmë sarkastikët duke u vetësugjestionuar se parametrat, arritjet tona demokratike qenë determinante. Prishja e raporteve, humbja e një aleati të tillë në një pozë karshillëku prej cubash, do ishte në kufijtë e fatalitetit për zhvillimet e sotme dhe të ardhme, një lajthitje, një humbje kohe e panevojshme. Kujtoni pak vetëm 96-ën kur pati një krisje në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumë shpejt mbërritëm të vetëm por krenar tek 97-ta, në një kaos total të brendshëm, duke nxitur orekset shoviniste të fqinjëve që tentonin ta nxirrnin Shqipërinë në ankand. Theksimi i procesit si shpëtimtar, pa emrin e kandidatit të gjithëpranuar politik, i ngjan zukatjes së gjinkallave nën pemë apo mizave në një gotë, të cilat vërtiten pafund pareteve të qelqta dhe nuk mund të gjejnë rrugën e daljes. Barka me gjithë krijesat e pafajshme (popull) që kanë hipur në bord nuk mund të mbërrijë në bregun e shpresës (BE), në destinacion pa Noen! Adami dhe Eva, krijuesit e racës njerëzore gjithsesi rezultuan mëkatarë dhe Nano nuk mund të jetë nga engjëjt dhe as nga soji i profetëve. Por si shtetarë ai ka të gjitha parametrat, cilësitë e domosdoshme të kalkuluara këto nga një përvojë disa vjeçare për ta ngritur në një stad të ri inkurajues dhe për ta përmbushur më së miri detyrën e presidentit të republikës. Mos të bëjmë sikur nuk shohim, sikur nuk kuptojmë, sikur nuk dëgjojmë, sikur e kemi asin nën mëngë; dhe po qe se gabuam së paku do të kemi justifikimin se këtë herë na morën në qafë amerikanët!