E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesit e masakrës së Dubravës do të ndëshkohen

Nga Express më 22 maj 2011 në ora 19:00

Të gjithë ata që kanë përgatitur masakrën e Burgut të Dubravës, për veprat e tyre do të ndëshkohen, gjegjësisht do të përgjigjën penalisht, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ai këto komente i bëri të dielën me rastin e shënimit të 12-vjetorit të masakrës mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës. Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, të mbijetuar dhe familjarë të të vrarëve të kësaj masakre.

“Shumica e njerëzve që kanë qenë në burg, kanë qenë të burgosur për qëllime politike dhe kjo që ka ndodhë në Burgun e Dubravës në vitin 1999 është rast i rrallë, pasi kjo në botën moderne nuk ndodh, sepse edhe terroristët më të mëdhenj në botë nuk trajtohen kështu. Andaj, përgjegjësia penalë për të gjithë ata që kanë bërë veprime të tilla herë-do-kur ka për të ndodhur”, theksoi ministri Kuçi.

Ministri Kuçi u shpreh se në vendin ku ka ndodhur masakra, do të vendoset një pllakë përkujtimore në shenjë përkujtimi për të vrarët dhe të mbijetuarit e kësaj masakre.

Ndërsa, i mbijetuari i kësaj masakre, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani, shpalosi përkujtime nga dita e masakrës.

“Në këtë vend, ku jemi sot, më 22 maj 1999, përkatësisht në mëngjesin e kësaj dite, ka ngjarë masakra më e tmerrshme që ka mundur të ndodhë ndonjëherë. Këtu, na kanë thirr dhe na kanë renditur gardianët dhe në turmën e të burgosurve kanë gjuajtur nga të tri anët, andaj këtu nuk ke mund të shikosh asgjë përveç tym dhe gjak”, ka thënë ai.

Hasani me këtë rast falënderoi Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera që të paktën është bërë një sensibilizim kësaj radhe më i madh për atë që ka ndodh 12 vjet më parë në Burgun e Dubravës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten e kaluar i kanë dhënë mbështetje çështjes së ngritur nga deputeti Nait Hasani për masakrën e Burgut së Dubravës, duke miratuar me shumicë votash rekomandimin që Kuvendi i Kosovës t’u kërkojë organeve të gjyqësisë që të përshpejtojnë veprimet për ngritjen e aktakuzës për dënimin e kriminelëve të luftës.

Në masakrën e Burgut të Dubravës, të bërë nga forcat kriminale serbe, janë vrarë rreth 160 të burgosur shqiptarë dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›