Vettel me krahë

Kampioni aktual i botës në Formula 1, ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel mori fitoren e tij të katërt nga pesë garat e deritashme këtë sezon duke triumfuar të dielën në garën për Shpërblimin e Madh të Spanjës.
Lewis Hamilton në McLaren përfundoi i dyti, vetëm 0.6 sekonda prapa, duke e vënë nën presion 23-vjeçarin gjerman në xhirot e fundit në përfundimin e garës që shumëkush e kishte parashikuar se do të jetë një duel mes ngasësve dominues të Red Bullit.
Kolegu i Hamiltonit, bashkëkombësi britanik, Jenson Button doli i treti duke mposhtur ngasësin tjetër të Red Bullit, australianin Mark Webber për pozitën e fundit në podium, i ndihmuar nga strategjia prej tri ndaljeve në pit-stop për dallim nga katër të tjerëve.
Pas tyre, heroi lokal, Fernando Alonso në Ferrari përfundoi i pesti para Michael Schumacherit në Mercedes, por një xhiro prapa Vettelit, i cili shtoi epërsinë e tij në renditjen e përgjithshme ndaj Hamiltonit në 41 pikë. Britaniku, kampion i botës nga viti 2008, mbetet ngasësi i vetëm që e ka mposhtur Vettelin gjatë këtij sezoni.
“Ishte mjaft vështirë. Në 10 xhirot e fundit dukej sikurse në Kinë, ku gomat ishin shpenzuar”, tha ai për garën në të cilën përfundoi i dyti pas Hamiltonit që përfitoi nga strategjia më e mirë. “McLaren dhe Lewis na e bënë punën shumë të vështirë”, u shpreh ai.
Webber kishte marrë pol-pozitën e tij të parë të sezonit të shtunën, duke u nisur në radhën e parë me Vettelin, por e pagoi çmimin për startin e dobët, ndërsa Alonso dërgoi në festë 78 mijë spektatorët në pistën e Katalonisë duke marrë epërsinë e hershme.
Por, gëzimi nuk zgjati gjatë, pasi Alonso ishte në strategji prej katër ndaljeve në pit-stop dhe u desh të përfundojë garën në goma më të ngadalshme. Kolegu i tij, Felipe Massa ishte njëri prej tre ngasësve që nuk përfunduan garën.
Rezultatet e garës:
1 Sebastian Vettel1:39:03.301
2 Lewis Hamilton+0.6 sek.
3 Jenson Button+35.6
4 Mark Webber+47.9
5 Fernando Alonso+1 xhiro
6 Michael Schumacher+1
7 Nico Rosberg+ 1
8 Nick Heidfeld+ 1
Renditja e përgjithshme:
1 Sebastian Vettel118 pikë
2 Lewis Hamilton77
3 Mark Webber67
4 Jenson Button61
5 Fernando Alonso51
6 Nico Rosberg26
7 Nick Heidfeld25
8 Felipe Massa24