E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e Partisë Socialiste lënë bojkotin, sot do të ulen në Parlament



Partia Socialiste ka marrë vendimin për të hyrë sot në Parlament duke mos i dhënë fund luftës së transparencës së plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Opozita, në seancën e sotme plenare, do të paraqesë projektligjin për hapjen e kutive, duke ia lënë në dorë maxhorancës për vazhdimin ose jo të bojkotit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, para nisjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar deklaroi për popullin opozitar se deputetët socialistë do të hyjnë sot në Kuvend. Ndërsa më pas mbledhja e grupit të socialistëve është zhvilluar pa praninë e mediave, por mësohet se ka pasur debate dhe provokime të herëpashershme. Rama theksoi se në ditën e sotme do të japë një shans për zgjidhjen e krizës. Kryesocialisti siguroi se me mandatin e popullit do të udhëheqin deri në zbardhjen e plotë të zgjedhjeve. Gjithashtu, ai nënvizoi se PS-ja do të jetë sot në Kuvend jo për t’i dhënë fund luftës së saj për hetim të zgjedhjeve, por për të vazhduar betejën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai shtoi se në më pak se 6 muaj refuzimi i PS-së për t’u bërë pjesë e një parlamenti fasadë ka nxjerrë në pah krizën e demokracisë në Shqipëri.
Hetimi
Kreu i PS-së është shprehur se ndërkombëtarët janë njohur mirë me kërkesën e PS-së dhe sipas tij ata nuk e përjashtojnë opsionin e hapjes së kutive. “Ndërkombëtarët janë bërë aleatët tanë të mëdhenj, duke mbështetur transparencën përmes hapjes së kutive. Hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama e ka cilësuar një betejë të fituar. “Ju shpreh mirënjohje dhe këtë betejë të fituar moralisht do ta materializojmë me vendosjen e së drejtës sonë për transparencë pa kushte. Detyra jonë është ta ushtrojmë vullnetin e shqiptarëve pa bërë asnjë hap prapa”, - u shpreh Rama. Kundërshtari, vijoi Rama, ka ushqyer temën e paqenë për djegie mandatesh të deputetëve socialistë. “Pushteti dëshiron shumë që fati i mandateve tona të mbetet në duart e Saliut, Fatosit dhe Ilirit”, - u shpreh Rama. Rezoluta kërkon hetim të plotë dhe të pakufizuar të zgjedhjeve në Shqipëri. Ata nuk e kanë përjashtuar asnjëherë hapjen e kutive. Bojkoti nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja zgjidhje që u la ndaj nesh”, - tha Rama. Lideri i opozitës ka shtuar se PS-ja nuk do të lejojë që shteti shqiptar të mbetet në duart e “obskurantëve” dhe ka paralajmëruar se nëse kërkesat e saj nuk do të plotësohen, marsi do të jetë muaji i protestave masive. “Bojkoti ynë i shumë kritikuar është pikërisht pasqyra që nxori qartë në sytë e të gjithëve krizën e lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri, të cilën nuk e zgjidh dot heqja e pasqyrës së Parlamentit gjysmak, por vetëm transparenca përmes hetimit parlamentar”, - tha Rama.
Qëndrimi
Kreu i partisë më të madhe të opozitës i ka siguruar maxhorancës se PS-ja nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i saj për transparencë.
“Nesër është dita që të marrë fund çdo iluzion i kundërshtarëve të transparencës se Partia Socialiste mund të dorëzohet, të lodhet, të shitet, të nxirret në rrugë, duke u zëvendësuar me një opozitë të kooptuarish e të emëruarish në parlamentin e kutive të mbyllura”, - tha Rama. Sipas tij, maxhoranca u ka thënë gënjeshtra pa fund miqve e partnerëve të huaj të Shqipërisë në adresë të PS-së, nga të gjitha anët e mundshme, për të krijuar tek ata bindjen se PS-ja nuk e njeh rezultatin, pavarësinë e Gjyqësorit, institucionet e vendit dhe kërkon të përmbysë rendin kushtetues me dhunë. “E di që do të vazhdojnë të thonë gjithçka munden, por që nesër nuk do të thonë dot as që Partia Socialiste nuk e njeh Parlamentin, as që deputetët e Partisë Socialiste i dogjën mandatet se duan të djegin Shqipërinë europiane dhe as që Partia Socialiste kërkon një gjë që s’bëhet sepse nuk kërkuaka transparencën e zgjedhjeve, po dashka pushtetin pa zgjedhje”, - u shpreh Rama.

Blushi
Menjëherë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, anëtari i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Ben Blushi, tha se ky 6-mujor ishte harxhuar kot dhe se hyrja në Parlament është tepër e vonuar. Megjithatë, deputeti Blushi tha se së bashku me 4 deputetët e tjerë do t’u binden të gjitha vendimeve të Grupit Parlamentar nëse do të vendosin të dalin nga Parlamenti për të vazhduar bojkotin. Lidhur me nismën ligjore që do të depozitohet sot në Kuvend, Blushi tha se është një iniciativë e shkruar para tre-katër muajsh, duke shtuar se PS në 6 muaj fitoi një të drejtë kushtetuese për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese për tu ankuar. “Do të ishte qesharake që PS-ja të hynte e të dilte nga Parlamenti. Diskutimi ishte që të hyhej në Parlament, të depozitohej projektligji dhe të dilej prapë. Mua më vjen keq që këto muaj u harxhuan kot, por besoj që në rast se ne do të hyjmë e do të dalim, kjo do të vazhdojë ta vërë PS-në në pozitë të vështirë me elektoratin e vet dhe me komunitetin që ka paralajmëruar që hyrja dhe dalja nga Parlamenti është nismë kalamajsh”, - tha Blushi, duke shtuar se “ne jemi pjesë e PS-së për sa kohë që s’na kanë përjashtuar, besoj se shumica e opinionit publik na japin të drejtë sepse ajo që thamë atëherë u vërtetua, që ky 6-mujor nuk do ta çonte PS-në asgjëkund. Nuk arritëm dot të hapim kutitë, të shkaktojmë zgjedhje të parakohshme. Mundësia për të hapur kutitë ishte brenda Parlamentit siç, do të rezultojë dhe po rezulton sot”.

Seanca e parë parlamentare e deputetëve të PS-së

Në bazë të Rregullores së Kuvendit, në seancën e parë parlamentare bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve. Por, megjithëse nuk kanë marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit, mandatet e deputetëve të PS-së janë verifikuar dhe janë cilësuar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga ky komision. Në Rregulloren e Kuvendit parashikohet se deputetët që nuk marrin pjesë në seancën e parë të Kuvendit, në seancën e parë që ata do të jenë prezent në sallën e Kuvendit duhet të bëjnë betimin. Kjo është e parashikuar në nenin 4 të Rregullores, ku shkruhet se menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin. Teksti i betimit është: “Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t’u bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të përpiqem me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim”. Teksti i betimit lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen në këmbë dhe të deklarojnë: “Betohem”.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›