Kryetar bashkie në një botë tjetër
Një miku im shqiptar me banim në Londër më tregoi këto ditë një ngjarje kureshtare. Në muajin prill, kur i biri, Iliri, mbushi plot 18 vjet, në kutinë postare të shtëpisë gjetën një letër të dërguar nga kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson. Dhe letra, gjithë-gjithë nja 200 karaktere, kish ardhur bash për Ilirin. E lexova dhe mu duk një letër e bukur. Afërmendsh, nuk është se në të kish ndonjë gjë që të linte pa mend. Ishte një letër shumë e thjeshtë; më e thjeshtë nuk bëhej. E pavarësisht kësaj (ndoshta pikërisht për këtë) ajo letër më bëri përshtypje. Dear Ilir, fillonte letra. Dhe më pas vijonte: Urimet më të mira për datëlindjen tuaj të 18-të. Është një përvjetor që dallon nga çdo përvjetor tjetër. Tash e tutje ju do të keni të drejtën të votoni për të zgjedhur një anëtar Këshilli komunal, një anëtar të parlamentit, apo dhe kryetarin e bashkisë së Londrës. Ju vetë mund të konkuroni, gjithashtu, për të marrë përgjegjësira të tilla.
Të kuptohemi, letra që fillonte me këto fjalë nuk është një letër personale që Kryetari i Bashkisë së Londrës ia dërgon Ilirit. Sipas shumë gjasave, ajo është një letër standard, që qytetari nr. 1 i Londrës ua dërgonte atë ditë të gjithë atyre që mbushnin 18 vjeç. Të njëjtën letër ua ka dërguar, me siguri, të nesërmen e të pasnesërmen të gjithë atyre që kanë mbushur 18 vjeç një e dy ditë më vonë se sa Iliri. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Nuk mund tu dërgohet dhjetra mijra 18 vjeçarëve një letër e personalizuar. Do të duhej një burokraci gjigande për ta bërë këtë gjë; e sdo kish kuptim. Por ky fakt nuk e zhvleftëson gjestin në fjalë. Së pari, është sublimimi që i bëhet momentit kur shënohet legalisht formimi dhe pjekuria civike e dikujt. Është për tu sublimuar, apo jo? Secili prej nesh e ka përjetuar datëlindjen e 18-të si një moment të veçantë të jetës (tek-tuk ka vende që moshën e pjekurisë civike e kanë më të vogël, apo më të madhe; por 18 vjeç është një standard shumë i përhapur; edhe në Shqipërinë komuniste në këtë moshë fitoheshin e ushtroheshin të drejtat e përgjegjësitë civike, të cilat në të vërtetë njiheshin vetëm formalisht). Në këtë kuptim, është plot domethënie një letër e ardhur prej kryetarit të bashkisë. Së dyti, është mënyra se si është formuluar kjo letër. Sapo pamë që kryebashkiaku i Londrës nënvizon të drejtën për të zgjedhur, dhe kjo është ledhatuese, inkurajuese e frymëzuese në një moshë të tillë për tu zgjedhur.
Më tej, letra në fjalë merr një formë kinse konfidenciale: Kam mbushur dhe unë 18 vjeç, dhe atëmot Princi William sapo kish lindur (vihet theksi në këtë pikë për të kultivuar krenarinë për familjen mbretërore e për sistemin qeverisës të quajtur monarki kushtetuese? Sipas shumë gjasash, po. M.N), trupat britanike sapo kishin rimarrë nën kontroll ishujt Falkland (kjo është një ngjarje që nxit një krenari të një lloji tjetër; është krenari për përmasën imperiale të Britanisë së Madhe; dhe me siguri nuk është i paqëllimtë ky evokim i historisë së tridhjetë viteve më parë. M.N), dhe Lufta e Ftohtë ishte në pikun e saj. Ishte një botë më e zymtë se sa kjo, në të cilën po jetojmë. Por e dini se cila ishte gjëja e parë që unë bëra, sapo mbusha 18 vjeç? Shkova në një pub dhe piva një krikëll birrë si i rritur e me të rriturit; me masë, sigurisht (me shumë inteligjencë u kujton të rinjve se, përtej të gjitha problemeve që ka kjo botë e përtej të gjitha detyrimeve që u lindin për motive anagrafike qysh nga ky moment e tutje, gjesti më i parë me të cilin ka kuptim ta përurosh moshën e burrit mund të jetë dhe një krikëll birrë me miq në një pub, ku deri në atë moment ka qënë e ndaluar të futeshe. M.N).
Si Boris Johnson, ashtu dhe Iliri, janë londinezë. Dhe i pari gjen mënyrën për tia kujtuar të dytit këtë fakt. Si? Duke i thënë, se ju po mbushni 18 vjeç në një nga momentet më të bukura në historinë e Londrës. Sytë e gjithë botës janë drejtuar nga ne të gjithë, pasi verën e ardhshme do na duhet të organizojmë lojrat olimpike (e tepron pak, pasi Londra ka jetuar momente më të bukura e më të lavdishme se sa ato të një olimpiade sportive; por e tepron me qëllim; don ti egzaltojë patriotikisht bashkëqytetarët e vet rioshë. MN). Këto lojra janë duke krijuar mundësi të panumërta për të gjithë të rinjtë; janë duke krijuar dhe një numër të madh vendesh pune.
Dhe në fund e mbyll: Qysh kur kam mbushur 18 vjeç, unë kam bërë jetën e një qytetari e shtetasi të rritur në qytetin më të madh e të bukur që gjendet mbi faqe të dheut. Shpresoj që dhe ju të jeni duke jetuar qysh tani me këtë ndjesi. Ju mund ta bëni Londrën edhe më të bukur.
Kjo ishte letra. Mendoni, se kjo letër thellë-thellë është menduar si një operacion marketingu elektoral e politik? Nuk besoj, pasi letra të tilla janë tanimë një praktikë e vjetër e komunikimit të kryetarit të bashkisë së Londrës me qytetarët e vet, e për këtë shkak mund ta ketë humbur magjinë e ndjelljen elektorale. Por edhe sikur të mos ish kështu, efekti i fisëm e mund motivimin hileqar të këtij gjesti. Në fund të fundit, kjo letër nuk ka asgjë të përbashkët me marifetet elektorale të këtushme. Cilat? Ato urimet për datëlindjen në formë sms-ësh e letrash elektronike, të cilat kanë 100% synime elektorale. Nuk kanë asnjë domethënie tjetër. Rrjedhimisht, ta shpifin. Nëse do tmë qëllonte të merrja mesazhe të tilla vetëm gjatë një fushate elektorale, unë do tu bëja një reply me shënimin: Faleminderit, por urimet që prisja më kanë ardhur. Këtë tuajin nuk e quaj urim. Po jua kthej ta mbani për vete.
