Xhaferaj: Plani i ri rregullues i qytetit, gati brenda 6 muajve
Kandidati i koalicionit Aleanca për Qytetarin në Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, premton planin rregullues të përgjithshëm të qytetit brenda gjashtëmujorit të parë të mandatit të tij.Duke folur për kundërshtarin e tij në këtë garë, ai shprehet se Dako ka punuar vetëm për biznesin e tij të betonit, duke lejuar një kaos me ndërtimet në Durrës.
Z. Xhaferraj, si e vlerësoni punën e Bashkisë dhe të kryetarit të saj Dako, gjatë mandatit që po mbyllet?
Zoti Dako thotë se alternativa e tij është puna. Kam përshtypjen se ai ka punuar vetëm për vete dhe aspak për Durrësin dhe qytetarët e tij. Ai ka vënë Bashkinë në funksion të firmës së tij private të betonit. Aq shumë, sa bilanci i saj është rritur nga 3 milionë euro para katër vitesh në 12 milionë euro sot. Ai e ka larguar Bashkinë nga njerëzit. Ky është nga dëmet më të mëdha që ai i ka shkatuar qytetit, njerëzit nuk e shohim më Bashkinë si shtëpinë e tyre të përbashkët për të zgjidhur hallet. Z. Dako nuk ka ndërmarrë asnjë investim madhor që do të nxiste zhvillimin e qytetit, madje ai nuk ka qenë i zoti as të shfrytëzojë buxhetin që ka pasur në dispozicion. Çdo vit, mbi 30 për qind e buxhetit të Bashkisë mbetej pa u realizuar, në një kohë kur njerëzit duan që të mos përmbyten sa herë bie shi. Kjo është skandaloze. Të mos flasim pastaj për shkatërrimin e hapësirave urbane, për zvogëlimin e gjelbërimit, për betonizmin e çdo sipërfaqeje të lirë, apo për dëmin që po i shkaton qendrës së qytetit. Kjo është alternativa e rivalit tim socialist, kjo është rruga e tij. Dhe, alternativa jonë nuk mund të jetë kurrsesi e tillë, sepse alternativa e koalicionit Aleanca për Qytetarin ka në themel interesat e njerëzve. Unë do tia kthej Bashkinë qytetarëve, Bashkia do të jetë porta e hapur për zgjidhjen e halleve të gjithsecilit. Alternativa jonë do të jetë alternativa e punës, sepse ne do të ulim taksat, do të shtojmë dhe nxisim zhvillimin e biznesit dhe do të ulim papunësinë. Alternativa jonë do të jetë për një Durrës që meriton më shumë, për një Durrës që duhet të zhvillohet si në qendër, ashtu edhe në periferi. Mbi të gjitha, alternativa jonë do të jetë alternativa e vetë qytetarëve, pasi Bashkia çdo gjë do ta bëjë së bashku me qytetarët dhe për qytetarët. Unë besoj se dallimi është shumë i qartë dhe ju siguroj se edhe njerëzit e dinë këtë gjë.
Cilat janë prioritetet e programit tuaj 4-vjeçar?
Unë nuk pretendoj se kam shkopin magjik dhe do ti zgjidh të gjitha problemet menjëherë. Në këtë mënyrë, mandati ka prioritetet e veta, të cilat janë: përcaktimi i strategjisë së zhvillimit të qytetit, punësimi, përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Durrësi patjetër që duhet të shndërrohet në një qytet të vërtetë europian, i cili zhvillohet në tërësinë e shtrirjes së tij. Ndërtimi i unazës së madhe nis nga rruga e re që do të ndërtohet përgjatë portit në drejtim të Kallmit dhe në Currila. Kjo rrugë degëzohet kah Kodra e 12 Shkallëve, për tu lidhur me rrugën Aleksandër Goga. Duke shtuar këtu edhe ndërtimin e Kampusit të ri Universitar në Spitallë, Durrësi merr një drejtim të ri zhvillimi, i cili nuk është më i përqëndruar në një qendër, por shtrihet njëtrajtësisht në të gjithë qytetin. Prioriteti tjetër i mandatit tim do të jetë punësimi. Papunësia sjell një numër problemesh sociale, që nga pasiguria për të ardhmen deri tek kriminaliteti. Ne do ta zgjidhim këtë problem përmes uljes së taksave të biznesit të vogël deri në 50 për iqnd, gjë që do të shtojë numrin e bizneseve e mundësinë e tyre për të riinvestuar dhe zgjeruar aktivitetin, rrjedhimisht edhe numrin e punëtorëve. Hapja e Kampusit të ri Universitar, ku do të përqëndrohen afro 10 mijë studentë, do të jetë një tjetër front punësimi, sepse zona atje do të kërkojë një infrastrukturë të gjërë shërbimesh. Parku Industrial dhe Parku Energjitik në zonën e Porto Romanos janë një tjetër mundësi punësimi. Jo pak i rëndësishëm është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, madje është shumë i rëndësishëm. Pastrimi i qytetit, rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve, kryesisht në zonën e Plazhit dhe të ish-Kënetës, izolimi dhe gjelbërimi i vendgrumbullimit të mbeturinave urbane në Porto Romano, gjelbërimi i çdo sipërfaqeje të lirë urbane, rikonstruksioni i rrugëve të lagjeve, shtimi i numrit të kopshteve etj.
Ju premtoni investime që i kalojnë kufijtë dhe mundësitë e një bashkie për ti realizuar. Si do të sigurohen fondet për këto investime që ju premtoni gjatë mandatit tuaj, nëse zgjidheni kryebashkiak i Durrësit?
Programi im 4-vjeçar kërkon një fond prej afro 100 milionë euro për tu realizuar. Është i vërtetë fakti se gjatë katër viteve të kaluara buxheti i përgjithshëm i Bashkisë së Durrësit ishte afro 53 milionë euro. Por, ulja e taksave dhe tarifave nuk do të thotë domosdoshmërisht ulje e të ardhurave. Mos harroni se kur qeveria uli taksat në vitin 2005, numri i bizneseve të vogla u dyfishua dhe të ardhurat në të vërtetë u shtuan. Pra, ulja e përshkallëzuar e taksave dhe tarifave deri në masën 50 për qind përgjatë katër viteve do të shoqërohet me shtimin dhe zgjerimin e biznesit, çka në fakt do të sjellë përmirësimin e nivelit të të ardhurave. Për më tepër që do të sjellë edhe uljen e nivelit të papunësisë. Nga ana tjetër, ne do të konkurrojmë për përfitimin e fondeve më të mëdha nga grantet konkurruese të buxhetit të shtetit, pasi do të kemi projekte të qarta për objektet që duam të realizojnë. Ne do të bashkëpunojmë shumë më ngushtë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, me Fondin për Zhvillimin e Rajoneve dhe me partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar konkretizimin e sa më tepër projekteve. Në këtë drejtim, unë jam i sigurt se ulja e taksave nuk do të ndikojë aspak mbi nivelin e të ardhurave. Përkundrazi, ky veprim do të shtojë investimet private, do të rrisë fuqinë blerëse, do zhvillojë dhe rrisë ekonominë e qytetit dhe do të përmirësojë kushtet e jetës së njerëzve.
Ju flisni për projekte të mëdha infrastrukturore por edhe kulturore e sociale, ndërkohë që Bashkia e Durrësit nuk ka ende një plan të përgjithshëm rregullues. Ju keni një zgjidhje për këtë çështje?
Plani i përgjithshëm rregullues për një qytet është kushtetuta e zhvillimit të tij. Durrësi nuk e ka një të tillë dhe kjo është një nga arsyet që qyteti ka këtë zhvillim kaotik, jo vetëm në ndërtime, por edhe në jetën shoqërore, në zhvillimin ekonomik, etj. Durrësi do të ketë planin e përgjithshëm rregullues brenda gjashtë muajve të parë të mandatit tim. Fillimisht, ai do të diskutohet gjerësisht me publikun dhe grupet e interesit, dhe më pas do të miratohet. Ky plan i përgjithshëm rregullues do tu japë fund ndërtimeve kaotike dhe çdo qytetar që kërkon të zhvillojë pronën e tij do ti ketë të qarta mundësitë e zhvillimit. Nga ana tjetër, plani i përgjithshëm rregullues do ti japë fund zhvillimit të pronave të izoluara, gjë që penalizon pronat e tjera. Në Durrës do të ndërtohet në mënyrë komplekse në bazë kuartalesh, ku asnjë pronë të mos mbetet e penalizuar. Plani i përgjithshëm rregullues do të ndihmojë impaktin që do të ketë ndërtimi i unazës. Unaza do të bëjë që Durrësi, për herë të parë në historinë e tij, të zhvillohet në formë rrethore dhe të ketë disa qendra. Përveç qendrës historike, që të gjithë e njohin, qendra tjetër e re do të krijohet në zonën ku do të ndërtohet Kampusi Universitar. Unaza është një projekt madhor, por do të realizohet brenda mandatit. Ndërkohë, plani i përgjithshëm rregullues do të miratohet shumë shpejt dhe do të shoqërohet me të gjitha rregulloret për zbatimin e tij.
Plazhi i Durrësit mbetet qendra më e madhe për thithjen e turistëve në vend. Edhe pse ka një kërkesë në rritje, plazhi i Durrësit nuk ofron shumë për pushuesit. Ju në programin tuaj, si mendoni ta përmbysni këtë situatë?