E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Gjakovës akuzohet për keqpërdorim në rastin e Çarshisë së Madhe

Derisa Komuna e Gjakovës po bën përgatitjet për të rifilluar punët në Çarshinë e Madhe, Aleanca Kosova e Re ka ngritur kallëzim penal ndaj Komunës së Gjakovës, duke akuzuar zyrtarët komunalë për shkelje me rastin e punimeve në këtë zonë të qytetit.

Kallëzimi penal është bërë kundër kryetarit të Komunës, Pal Lekaj, drejtoreshës së Urbanizmit, Leonora Rraci, si dhe ndaj drejtorit të Qendrës për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë, Osman Gojani. Padia ndaj Komunës së Gjakovës për rastin e Çarshisë së Madhe ishte paralajmëruar që në fillim të muajit shkurt.

Ndërsa në Prokurori ka arritur më katër mars. Padia e AKR-së është konfirmuar edhe në Prokurorinë e Gjakovës, si dhe në Aleancën Kosova e Re. Në këtë të fundit përveçse është konfirmuar se ky subjekt politik ka ngritur kallëzimin penal për rastin e Çarshisë së Madhe, në Prokurori nuk kanë dhënë detaje.

Kryeprokurori i lëndës, Ali Uka, duke konfirmuar marrjen e lëndës, ka thënë se është bërë denoncim penal kundër kryetarit Pal Lekaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Drejtoresha e Urbanizmit, Rraci, akuzohet për degradim të mjedisit, e drejtori i QTK-së, Gojani, për shkelje të Ligjit për trashëgimi kulturore. “Ne ende nuk kemi vlerësuar nga Prokuroria se a ka bazë për të filluar hetimet”, ka thënë Uka të mërkurën për gazetën.

Por kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, njëri nga të akuzuarit, ka thënë se ky është vetëm një marketing i AKR-së dhe se nuk do të merret me këtë çështje. “Çdokush ka të drejtë të ankohet, por ne kemi respektuar të gjitha ligjet me rastin e punëve në Çarshi. Kjo është vetëm një fushatë e AKR-së”, ka thënë Lekaj të mërkurën.

AKR-ja këtë padi e ka paralajmëruar qysh më 6 shkurt, kur e ka bërë publike përmes deputetes Sevdije Lama, gjatë një takimi me elektoratin. Kjo iniciativë, sipas tyre, është ndërmarrë “pasi ka munguar veprimi i organeve kompetente që, sipas tyre, është dashur ta bënte një gjë të tillë, ndërsa le të jetë si mësim për të gjithë ata që shkelin ligjin”.

Komuna e Gjakovës verën e kaluar kishte nisur renovimin e kalldrëmit në Çarshinë e Madhe. Mirëpo punët janë ndërprerë nga Ministria e Kulturës, pas disa muajve pasi, siç ishte thënë, ka shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

Kjo ishte bërë edhe pas reagimit të qytetarëve të cilët nuk ishin pajtuar me zgjedhjen që kishte bërë Komuna për të shtruar rrugën. MKRS-ja ndërkohë ka dhënë leje për të rinisur punimet, pasi Komuna e Gjakovës ka plotësuar kërkesat e kompetentëve për trashëgimi kulturore. Kryetari Lekaj ka paralajmëruar para disa ditësh se kjo zonë do të rregullohet brenda tre muajve. Punimet, sipas tij, do të nisin këto ditë pas mbylljes së tenderit.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›