E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i gjykatës së Tiranës jep dorëheqjen

Zgjidhen sot 8 gjyqtarët që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës. KLD shqyrton sot dhe dorëheqjen e Kryegjyqtarit të Tiranës, Albert Mece. 

TIRANE- Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur sot për të hedhur shortin e gjyqtarëve të gjykatave të Apelit për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor. Pjesë e shortit për anëtar të Kolegjit Zgjedhor bëhen të gjithë gjyqtarët e gjykatave të Apelit në vendin tonë, me përjashtim të gjyqtarëvet për të cilët është vendosur fillimi i çështjes penale apo është në fuqi një masë disiplinore.

53 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit kanë paraqitur kërkesën e tyre për tu bërë anëtar të Kolegjit Zgjedhor, ndërkohë shorti do të zgjedhë vetëm 8 prej tyre. Pas nxjerrjes së emrave nga kutia, secili nga përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në short ka të drejtë të përjashtojë një duke mos pasur të drejtën e kundërshtimit asnjë nga partitë e tjera. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit dhe është procedurë e fshehtë. KLD, kur konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë, organizon një hedhje të dytë të shortit, për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga partitë politike. Tetë emrat që mbeten, përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe menjëherë delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Po sot KLD do të marrë në shqyrtim kërkesën për dorëheqje të paraqitur nga kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës Albert Mece. Ai do të kandidojë për anëtar në Gjykatën e Apelit. KLD do të vendosë nëse do të pranojë apo jo kërkesën për dorëheqje të Albert Meces.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›