E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti, grushte mbi emigrantët shqiptarë

Nga Aleksander Marku
Incident në gadishullin e Peloponezit, "njeriu i perëndisë" mësyn pa shkak mbi 4 të rinj. Elefterotipia" kërkon pa rezultat reagimin e mitropolisë. 

ATHINE- Grushte nga një prift ndaj emigrantëve". Kështu titullohet një prej artikujve të gazetës prestigjioze greke "Eleftheriotipia". Sipas saj, një prift grek nga zona e Ilias në gadishullin e Peloponezit, është bërë tmerri i emigrantëve javët e fundit, ndërsa karakteristike për t'u përmendur është edhe heshtja tolerante e mitropolitit të zonës si dhe e organeve vendore.
Incidenti më i fundit i këtij "njeriu të perëndisë" ka ndodhur në datën 16 janar, në mes të ditës, pikërisht në qendër të Amaliadhës, në një prej kafeneve të saj, ku ai ka gjuajtur pa asnjë shkak me grushte 4 të rinj nga Shqipëria. Emigrantët shqiptarë po pinin kafen e tyre të qetë, kur befasisht u sulmuan nga ky prift-boksier, i cili pasi iu përmbysi tavolinën, filloi t'i gjuante ata me grushte dhe shqelma në gjithë trupin. "Pamë një gjë të zezë që erdhi mbi ne dhe na gjuante. Pas shokut të parë kuptuam të çuditur se po na gjuante një prift. Nuk bëmë asgjë. Thjesht ai nuk do që në këtë zonë të ketë emigrantë. Sillej si një qen i tërbuar....", - dëshmojnë emigrantët shqiptarë. Madje, "trimëria" e priftit nuk mbaroi tek grushtet e para, por ai ka ndjekur shqiptarët deri afër një supermarketi, ku edhe atje u zhvilluan skena të paimagjinueshme .
"Kishte zgurdulluar sytë, fliste fjalë të pakuptueshme dhe gjuante me grushte të rinjtë, ndërsa rasoja e tij valëvitej në ajër...", - deklaruan për mediat dëshmitarët okularë të kësaj ngjarjeje të padëgjuar ndonjëherë në Greqi. Pas telefonatave në rajonin e policisë, një patrullë policore ka mbërritur në vendngjarje, por prifti ka kundërshtuar të hipë në makinën e policisë dhe kështu tre policë e kanë shoqëruar deri në ndërtesën e rajonit, ku edhe është kritikuar "rëndë" për sjelljen e tij. Pak orë më vonë u la i lirë, pasi katër emigrantët shqiptarë nuk denoncuan kundër tij. Sipas pronarëve të kafeneve në qendër të qytetit, prifti në fjalë edhe herë të tjera ka ushtruar dhunë ndaj emigrantëve të huaj, duke theksuar se për të, emigrantët e huaj janë burim i të këqijave. Ndërsa gazeta "Eleftherotipia" ka komunikuar edhe me Mitropolinë qendrore për sjelljen e këtij prifti, ku nuk ka marrë ndonjë koment për ngjarjen, por thjesht përgjigjen se "nuk është informuar zyrtarisht nga policia". Duhet theksuar se edhe në datën 28 maj të 2008-ës, ky prift kishte shkaktuar një aksident duke përplasur me makinën e tij dy të rinj me motoçikletë dhe duke i braktisur ata të plagosur në mes të rrugës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›