Privatizimi i INSIG-ut, vlerësim i ri për uljen e çmimit tavan
Ministria e Financave tenton sërish të shesë të gjithë paketën e kompanisë së sigurimeve INSIG. Pasi për të disatën herë procesi i privatizimit të kompanisë në fjalë nuk është finalizuar dot, Ministria e Financave ka vendosur të amendojë ligjin “Për përcaktimin e formës dhe formulës së privatizmit të INSIG, SH.A-së”. Projektligji u miratua dje vetëm me votat e mazhorancës dhe në mungesë të deputetëve të opozitës në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Ndërsa përfaqësuesja e Financave, Lindita Rusmajli nuk ka ditur t’i përgjigjet interesimit të deputetëve demokratë nëse ka patur ose jo kërkesa për të blerë kompaninë INSIG. “Nuk di të them nëqoftëse ka patur kërkesa” - u shpreh Rusmajli. Ndërsa deputetët këmbëngulën se pavarësisht procesit të dështuar të deritanishëm të privatizimit, kërkesat nuk pengohen dot. “Sot jemi 3 vjet më vonë dhe vlerësimi i bërë në atë periudhë rezulton i pavërtetë, nuk i përshtatet realitetit. Për më tepër dhe konsulenti që punon në Ministrinë e Financave dhe merret me këtë çështje ka këshilluar që kjo referencë të hiqet dhe të hapet rruga për një vlerësim të ri të aseteve të INSIG-ut, përpara se ai të dalë për shitje. Kemi arritur në kushtet kur duhet të amendojmë ligjin, procesi nuk ka ecur, është bllokuar”, u shpreh Lindita Rusmajli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Duke iu referuar projektligjit, ndryshimi i parë parashikon gjeografinë e tregut; neni 1 citon se “në pikën 2, të nenit 2, shprehja në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar” zëvendësohet me shprehjen “në tregun kombëtar dhe/ose ndërkombëtar”, që nënkupton se ka shumë gjasa që kompania t’i shitet ndonjë investitori shqiptar, pasi në nenin 2 projektligji ka parashikuar heqjen e çmimit si kusht ligjor të përcaktuar në nenin 4 të ligjit nr.10 168, datë 22.10.2009, duke parashikuar që vlerësimi i të drejtave të aksioneve të shtetit pranë shoqërisë aksionere INSIG të miratohet nga Këshilli i Ministrave pasi të jetë bërë vlerësimi nga këshilltari i privatizimit në përputhje me rregullat që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave. Kompania shtetërore e sigurimeve ka zotëruar vendin e parë të klasifikimit prej vitesh për lidhje kontratash, për shkak edhe të disa të drejtave ekskluzive (si kartoni jeshil, apo sigurimi i mjeteve të shtetit). Ndërsa situata sot flet për të kundërtën. Referuar informacionit që i paraqitet të interesuarve për shitjen e INSIG-ut, thuhet se norma e fitimit të kompanisë për vitin 2009 ishte rreth 9 për qind, kurse të ardhurat vetëm për tregun e Shqipërisë ishin diku te 7.8 milionë euro. Në total INSIG ka humbur nga fitimi rreth 300 mijë euro, krahasuar me vitin 2008, për pasojë edhe pozicion në treg. Në Shqipëri INSIG e zotëron tregun e sigurimit Jo-Jetës në masën 12.4 për qind, kurse të Jetës në 20.3 për qind (viti 2009). Në dy vendet fqinje, Kosovë dhe Maqedoni, shoqëria zotëron treg përkatësisht 8.3 për qind dhe 3 për qind. Sipas vlerësimit të bërë tre vjet më parë nga konsulenti “BNP Paribas”, asetet e “INSIG”-ut kishin një vlerë prej 5.8 miliardë lekësh. Por në vitet e fundit ecuria e shoqërisë në treg nuk ka qenë aspak pozitive. Pjesa e tregut të “INSIG”-ut në fund të vitit 2010 ishte 8.4%, nga 15.2% që ishte në fund të vitit 2008.