Kryetari padit bashkëkombësin që e quajti “qen i Thaçit”

Prokurori komunal i Gjilanit, Arben Ismajli ka ngritur akt akuzues ndaj një serbi nga Parteshi, i cili e ka fyer dhe sharë kryetarin e kësaj komune, Nenad Cvetkoviq.
“Do t’ua q... nënën ty dhe të gjithë të tjerëve në Komunën e Thaçit. Ju jeni qentë e Thaçit”, i ka thënë Stojkoviqi kryetarit të Komunës së krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në kuadër të procesit të decentralizimit.
Stojkoviq do të ndiqet për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për çka parashihet dënimi prej 6 muajve deri në tri vjet burgim, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.
Sipas propozim-akuzës, ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në zyrën e kryetarit të Parteshit. Derisa kryetari ishte duke i përgatitur disa raporte për t’i dorëzuar në Qeverinë e Kosovës, Stojkoviq kishte hyrë në zyrën e kryetarit pa paralajmërim, me ç'rast e kishte sharë, fyer dhe kërcënuar.
Pasi që i ishte afruar kryetarit, ai e kishte goditur tavolinën me grusht, duke thënë: “Ju jeni tradhtarët më të mëdhenj. Nuk do të ju shkojë gjatë, do ta shihni”.
Ndërsa, duke dalë nga zyra e kryetarit, ai i ishte hakërryer: “Ju jeni qentë e Thaçit”.
Nenad Cvetkoviq ka konfirmuar se është informuar nga prokuroria që ndaj sulmuesit të tij është ngritur padi.
Sipas Cvetkoviqit, problemi ka filluar pasi ai në emisionin “Slobodno Srpski”, që transmetohet në RTK, ka deklaruar se Zoranit i ishte siguruar një vend pune, porse më pas babai i tij kishte ardhur dhe kërkuar që në vend të tij ta punësojë djalin e vogël.
“Ne e kemi punësuar djalin tjetër. Por, atij i ka mbet hatri pse unë këtë e kam thënë publikisht para mediave. Arsye tjetër nuk ka”, ka thënë kryetari i Parteshit.
Komuna e re e Parteshit ia ka financuar gjithashtu Zoran Stojkoviqit një projekt për klub shahu me 2 500 euro, si dhe e ka ndihmuar me 500 euro për një trajtim mjekësor./Indeksonline/
Por, kjo duket se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për Komunën, e cila financohet nga buxheti i Kosovës./Indeksonline/