E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: " Sot ne jemi më të forta, më të sigurta, më dinjitoze! Është fat të rrisësh fëmijët në një Shqipëri me imazh tjetër, përkrah kombeve të lira.

              Fjala e Kryetares së Kuvendit me gratë e të rejat e Gramshit.   Të dashur zonja, të dashura nëna, të dashura vajza,   Nuk kam si të mos jem e emocionuar kur ju shoh sot këtu, të gjitha bashkë. Kur shoh në sytë tuaj, kur lexoj në fytyrat tuaja, se jemi më të forta, më të sigurta, kjo na jep një shpresë të madhe.
Në të gjithë jetën time politike, nga të gjitha takimet që kam pasur, takimet me zonjat dhe vajzat janë për mua takimet më emocionuese dhe unë ju falënderoj nga zemra që keni ardhur të gjitha sot këtu në këtë takim.   Të dashura mike, Gratë kanë të gjithë të drejtën për të qenë të lira, për të qenë të mbrojtura, për të qenë të arrira, por nga të gjitha të drejtat e grave më e madhja është e drejta për të qenë nëna të lumtura.
Nëna, qënia e shenjtë dhe e pakrahasueshme, me një zemër të madhe që di vetëm të falë e të dhurojë dashuri.   Unë sot dua ti them nënës time, por edhe çdo nëne shqiptare, që ka zemrën e madhe në pafundësi, e sytë të thellë të mbushur me dashuri: Falemnderit
Falemnderit për çdo përkëdhelje, për çdo buzëqeshje, për çdo fjalë të ngrohtë, për çdo përqafim të ëmbël që i dhuroni fëmijëve!
Ju, me dashurinë dhe mençurinë e nënës jeni  frymëzimi dhe inkurajimi më i madh i çdo fëmije.   Shpirti i një gruaje është një strehë e madhe ku gjen vetëm ngrohtësi. Ndaj sot dua tu jap një mesazh gjithë baballarëve: Gjëja më e rëndësishme që një baba mund të bëjë për fëmijët e tij është të dojë nënën e fëmijëve të tij. Ndaj duhet ti kuptoni, duhet të përkujdeseni, duhet ti doni. Janë nënat e fëmijëve tuaj dhe i rrisin ata me të njëjtën dashuri që nënat kanë rritur çdo djalë derisa janë është bërë burrë.   Por këto vajza të bukura, këto nëna të reja të përkushtuara, shpeshherë janë viktima të dhunës. Jeta e këtyre vajzave e nënave ndodh që të goditet, ndonjëherë të këputet, aftësitë e tyre intelektuale dhe afektive të kompromentohen në mënyrë brutale.
Duke u bërë bashkë, ne nuk do ta lëmë dhembjen e tyre pa zë. Vetëm duke u bërë bashkë do të kuptojmë se ata që ushtrojnë dhunë, në fakt janë frikacakë.
Duke u bërë bashkë, shoqëria nuk do të jetë më indiferente.
Duke qenë bashkë do të kuptojmë, siç thotë Oriana Fallaci, Të jesh grua është e jashtëzakonshme. Është një aventurë që kërkon kurajo, është një sfidë që kurrë nuk mbaron.
Gratë nuk kanë nevojë për mëshirë. Jepuni grave rastin e përshtatshëm dhe ato mund të bëjnë çdo gjë.
Ne, nënat dhe motrat, që kemi ndjeshmërinë femërore, që kemi ndjeshmërinë prej nëne, dimë të jemi të brishta, po aq sa dimë të jemi të forta.   Ju, zonjat që krijoni jetën, ju vajzat që nesër do të keni fëmijët tuaj, ju jeni gjeneratori i vazhdimësisë së jetës.
Ndaj dhe ju, më shumë se kushdo, e dini se sa e rëndësishme është e ardhmja e fëmijëve tanë.
Ju e dini se çdo të thotë të rrisësh fëmijë. Ju e dini sa fat është të rrisësh fëmijët në një Shqipëri që sot ka një imazh tjetër në botë, ju e dini se sa e rëndësishme është për ju dhe fëmijët tuaj të thoni me krenari: Jemi shqipëtarë, jemi pjesë e famijes së kombeve të lira, jemi pjesë e një vendi të sigurtë, jemi pjesë e NATO-s.
Sot ne  jemi më të forta, më të sigurta, më dinjitoze!   Të dashura e të nderuara  zonja dhe vajza,   Rrugët sot nuk janë më aq të gjata. Rrugët nuk janë më me gropa e baltë. Sot energjia nuk mungon. Sot rrogat janë rritur. Sot pensionet janë rritur. Sot varfëria është përgjysmuar.
Unë jam krenare kur shoh se Shqipëria ka ndryshuar, jam krenare që ne arritëm të vemë në vend dinjtetin e mësueseve, infermiereve, pensionistëve duke rritur rrogat dhe pensionet. Më shumë do të bëjmë në mandatin e ardhshëm,  sepse gratë e meritojnë, nënat e meritojnë, familjet e meritojnë, e mbi të gjitha fëmijët e meritojnë.
Infrastruktura ka ndryshuar, rrugët janë ndërtuar, ujësjellësit janë shumëfishuar, furnizimi me energji është përmirësuar. Kjo ka bërë që fëmijët të shkojnë më shpejt e më të sigurt në shkollë. Kjo ka bërë që ata, ndryshe nga pak vite më parë, të mos mësojnë më në dritën e qiriut. Kjo ka bërë që ata të jenë më të shëndetshëm e më të gëzuar. Sot të gjitha shkollat janë me laboratorë kompjuterikë ku të rinjtë lidhen me të gjithë botën dhe kjo i bën të barabartë me të gjithë fëmijët e botës.
Por unë ju premtoj se vitin e parë të mandatit tonë të dytë ata edhe do të lëvizin të lirë si të gjithë të rinjtë e tjerë europianë, nënat do të lëvizin të lira të takojnë fëmijët, vëllezërit, motrat, gjyshet do të lëvizin pa viza për të parë mbesat e nipat e tyre. Të gjithë shqiptarët do të lëvizin të lirë.
Ne kemi treguar se dimë të mbajmë fjalën. Ne i mbajmë premtimet.   Të dashura mike, Edhe nga Gramshi, ftoj çdo grua, çdo nënë, çdo vajzë të re, edhe ato që katër vite më parë ishin skeptike, edhe ato që nuk shkuan për të votuar, edhe ato që nuk na kanë votuar:
Bashkohuni me ne!
Ejani me ne!
Gratë janë me ne!
Bashkë, këtë vend do ta bëjmë edhe më të bukur. Bashkë do të nxjerrim familje të tjera, shumë familje të tjera nga varfëria. Bashkë do të ndihmojmë çdo grua në nevojë, çdo nënë në vështirësi. Bashkë do të kujdesemi edhe më shumë për çdo fëmijë. Bashkë do të rrisim edhe më shumë të ardhurat në çdo familje, do të rrisim më tej mirëqenien. Bashkë do të jemi më të forta, më të sigurta.   Ne do të jemi bashkë për të drejtat tona dhe të fëmijëve tanë.
Ne do të jemi bashkë për të ardhmen.
Ne do të jemi bashkë për progresin.
Ne do të jemi bashkë për të vazhduar projektin e madh të Shqipërisë që ndryshon. Unë besoj te ju.
Unë ju falënderoj!   Unë shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar çdo grua, që ka gjetur kohën dhe ka pasur mundësinë për të shkuar dhe për të aplikuar për letërat e njoftimit dhe kartat e identitetit.
Keni bërë detyrën. Keni treguar se keni një ndërgjegje të lartë shoqërore.
Në të njëjtën kohë shfrytëzoj këtë rast për ti bërë ftesë çdo mikeje, çdo gruaje, çdo nëne, çdo vajze, që deri tani nuk ka pasur mundësinë për të shkuar për të aplikuar: shkoni dhe aplikoni!
Thuajini bashkëshortëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni! Thuajini fëmijëve tuaj dhe bashkë me ta shkoni dhe aplikoni! Thuajini nënave dhe baballarëve tuaj dhe bashkë shkoni dhe aplikoni!
Kjo është detyra jonë. Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne si shqiptarë, si Shqipëri, në këtë moment.
     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›