E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli:" Nënë Tereza, karakteri i fortë i genit shqiptar".

Figura e një prej personaliteteve më të shquara botërore, humanistes së madhe Nënë Tereza erdhi sot në ekspozitën e piktorit Gjovalin Paci, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë.

Ekspozita e titulluar Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores është në serinë e veprimtarive, që Kuvendi po organizon në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në hapje të ekspozitës, tha se nuk njeh personalitet tjetër të shekullit XX, më të admiruar se Nënë Tereza. Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar punimet ekspozitës, u shpreh se në portretet e Pacit, shihet shpirti i madh i humanistes Nënë Tereza, që simbolizon karakterin e fortë të genit shqiptar.

Kjo ekspozitë përfshin katër periudha: periudha e fëmijërisë së Nënë Terezës, periudha e zgjimit të shpirtit humanitar, periudha e tretë është aksioni i madh humanitar i saj dhe periudha e katërt është ajo që, Gjovalin Paci e quan midis qiellores dhe tokësores.
Ajo që është më e veçanta në këtë aktivitet është salla, në të cilën bëhet. Është salla ku u mor vendimi që Nënë Tereza të mos lejohej të vinte në Shqipëri dhe është salla, ku u mor vendimi që të mos përmendej emri i Nënë Terezës. - u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Piktori Paci duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e këtij aktiviteti, tha se Nënë Tereza i dha shekullores vlera të reja universale me forcën e shpirtit të madh përtej çdo bukurie njerëzore. Njerëzimi krenohet me emrin e saj, ne lartësohemi si bijtë e tokës sonë amtare

Piktori i njohur Gojvalin Paci, me një mjeshtëri unike sjell figurën e Nënë Terezës në gjininë e portretit në 80 punime, në teknikat akrilikut, mix, akuarelë dhe kompozime në telajo.

Ekspozita u ndoq me interes të veçantë nga emra të njohur të botës së artit dhe kulturës, përfaqësues të Trupit Diplomatik, dhe intelektualë të tjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›