Kryetarja e Kuvendit: Çdo gjë që ka bërë Parlamenti, çdo reformë, çdo progres integrues ka ndikim direkt te fëmija, te e ardhmja e tij.
Çdo gjë që ka bërë parlamenti, çdo reformë, çdo progres i mëtejshëm i proceseve integruese, ka lidhje direkt te fëmija, te fati i tij. Shqipëria në NATO, është një impakt për fëmijët, që jep siguri, që jep begati, në jetën e tij, në të ardhmen e tij dhe për fëmijën e fëmijës së tij. Rritja ekonomike është një impakt pozitiv për çdo qytetar, rritja e rrogave është impakt direkt tek fëmija, kapërcimi i krizës globale në mënyrën më të butë në Shqipëri, ndryshe nga vendet që na rrethojnë, është gjëja më e mirë që vendimarrja politike mund të sjellë mpaktin pozitiv ndaj fëmijës. Kështu u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj përshëndetëse në takimin e organizuar nga Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kryetarja e Kuvendit theksoi gjithashtu se: "Çështja e fëmijëve, nuk është vetëm çështje e qeverive, nuk është vetëm çështje e politikës, në radhë të parë duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh të pushtetit lokal. Janë kryetarët e bashkive që duhet të ndryshojnë konceptin në raport me qytetin. Raporti fëmijë- qytet është shumë i ngushtë. Kemi nevojë për një rritje të kulturës së veprimtarisë tek çdo fëmijë. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: Unë ju falenderoj shumë për këtë ftesë dhe ju përgëzoj për temën që keni zgjedhur. Natyrisht, Bashkëpunimi Italian për zhvillimin në Shqipëri ka vite e vite në Shqipëri, por tema për të drejtat e fëmijëve është shumë e veçantë dhe unë ju përgëzoj për këtë. Unë jam shumë e kënaqur që ky bashkëpunim i Italisë me Shqipërinë i shtrirë në Shkodër, Elbasan, e Vlorë ka rezultate konkrete në përmirësimin e kushteve për fëmijët, ashtu siç do dëshirojë që ky bashkëpunim të shtrihej edhe në qytete të tjera. Unë jam e sigurtë se ne do ta bëjmë një gjë të tillë. Diskutime të tilla mbi të drejtat e fëmijëve unë i kam gjithnjë për zemër, sepse gjithmonë e kam thënë se fëmijët nuk janë minipersona me mini të drejtja, përkundrazi, të drejtat e njeriut fillojnë tek të drejtat e të vegjëlve dhe kjo nuk është një klishe. Pa dyshim, ska gjë më të shtrenjtë për çdo qytetar, por në mënyrë të veçantë për nënat, sesa fëmijët. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, numri i përgjithshëm i fëmijëve në Shqipëri është rreth 1 milion e 400 mijë, nga rreth 3 milion e 4 00 mijë banorë që ka Shqipëria, duke përfaqësuar mbi 1/4 e popullsisë. Strukturat sociale të vendit tonë kanë një rol shumë të rëndësishëm, në të cilat prioriteti kryesor, janë fëmijët. Duhet të ketë një angazhim dhe një vëmendje akoma më të madhe për këtë shtresë që është gjëja më e bukur, që një shoqëri ka. Pavarësisht hartimeve dhe ratifikimeve të konventave ndërkombëtare, unë jam e ndërgjegjshme, se diferenca të mëdha ekzistojnë midis këtyre konventave, këtyre ligjeve ndërkombëtare dhe realitetit të përgjithshëm të jetës së tyre. Jo të gjithë fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre, por ndryshimi i kësaj gjendjeje fillon nga secili prej nesh; që axhenda jonë duhet të ketë fëmijët prioritet, të ketë gjithmonë një zë të veçantë në buxhet për fëmijët, të ulim braktisjen e shkollës prej fëmijëve. Ashtu siç vendimmarrja fillon në shtëpi nga tryeza, si nënë, si prind, ajo që ne vendosim për ç'ka fëmijët do të bëhen në të ardhmen, ashtu ndodh në tryezat e politikanëve, në tryezat e institucioneve ndërkombëtare. Tryezat e politikës janë shumë të rëndësishme për vendime të mëdha për fëmijët, sikurse është ulja e braktisjes së shkollave. Të gjithë ne jemi shumë të lumtur që jemi një ndër vendet me përqindjen më të ulët të braktisjes së shkollave dhe kemi përqindjen më të lartë të arsimimit të fëmijëve. Ne jemi ndër vendet që kemi përqindjen e vdekshmërisë foshnjore më të ulët se disa vende shumë më të mëdha dhe shumë të fuqishme ekonomikisht. Ne e kemi përqindjen 8.1 %, Britania e kishte 8.2 %, të tjerat edhe më të lartë. Megjithatë unë ndihem mirë që gjatë viteve të fundit në punën time si Kryetare e Kuvendit, krahas ratifikimit të konventave, kemi miratuar edhe një sërë ligjesh shumë të rëndësishme për fëmijët dhe, këtu përmend ligjet: - Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it.
- Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare; që është një temë shumë delikate tek e cila fëmijët janë pjesa më e ndjeshme.
- Për organizimin, funksionimin, procedurat dhe detyrat e
Komitetit Shqiptar të Birësimit,
- Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit,
- "Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit". Po ashtu ratifikimi në kohë të shpejtë të konventave e marrëveshjeve si: - "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Konventës së OKB-së "Për të drejtat e fëmijëve" për shitjen e fëmijëve, prostitucionin dhe pornografinë me fëmijë".
- "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Konventës së OKB-së "Për të drejtat e fëmijëve" për përfshirjen e fëmijëve në konflikte të armatosura".
- "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën "Për juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen, zbatimin dhe bashkëpunimin, në lidhje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve".
- Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën "Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës".
- Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit.
Po gjatë kësaj periudhe, Kuvendi është nismëtar në një sërë inisiativash për fëmijët si Dita e hapur, një projekt që hap dyert e Kuvendit për të gjithë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme. Rreth dy herë në javë unë takohem me të rinjtë në sallën e seancave dhe bisedoj me ta për çdo gjë, që ata mendojnë se është e rëndësishme për jetën e tyre, për shkollën e tyre, për mësuesit e tyre, për mënyrën se si ata shqetësohen për provimet, për çdo gjë dhe unë si kryetare ua transmetoj këto cështje ministrave përkatës.
Salla e seancave plenare përveç fëmijve, mbushet shpesh me të rinj të Parlamentit Rinor, e po ashtu kemi zhvilluar seanca të posaçme me temën Stop dhunës në familje, temë që është trajtuar në aspektin e sensibilizimit, për të cilin shoqëria jonë ka shumë nevojë.
Lufta kundër dhunës në familje nuk mund konsiderohet si çështje private, ndërkohë që është një çështje publike. Kam bindjen më të thellë se, pamvarësisht rritjes së numrit të denoncimeve në polici, që tregon se ka një shkallë ndërgjegjësimi, ne jemi ende larg në vetëdijen dhe ndërgjegjësimin tonë në lidhje me realitetin, e asaj që ndodh në familjet shqiptare.
Mund të them se çdo gjë që ka bërë Parlamenti, çdo reformë që është bërë, çdo proces i mëtejshëm i problemeve integruese, ka lidhje direkt te fëmija, te fati i tij. Shqipëria në NATO, është një impakt për fëmijët, që jep siguri, që jep begati, në jetën e tij, në të ardhmen e tij dhe për fëmijën e fëmijës së tij
Rritja ekonomike është një impakt pozitiv për çdo qytetar, rritja e rrogave është impakt direkt tek fëmija, kapërcimi i krizës globale në mënyrën më të butë në Shqipëri, ndryshe nga vendet që na rrethojnë, është gjëja më e mirë që vendimarrja politike mund të sjellë impaktin pozitiv ndaj fëmijës. Po unë mendoj se nuk është vetëm çështje e qeverive, nuk është vetëm çështje e politikës, në radhë të parë duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh të pushtetit lokal. Ne kemi qenë fëmijë vet, ne kemi pasur oborre, ne kemi pasur fusha sporti. Shikoni pak këtë qytet. Ku kanë për të shkuar fëmijët? Ku ti çojmë fëmijët sot? Në cilin kënd të qytetit, në cilën fushë të qytetit? Në cilin oborr të një shkolle? Janë kryetarët e bashkive që duhet të ndryshojnë konceptin në raport me qytetin. Raporti fëmijë- qytet është shumë i ngushtë. Kemi nevojë për një rritje të kulturës së veprimtarisë tek çdo fëmijë. Unë dua të falenderoj çdo nënë, për punën e jashtëzakonshme që ato bëjnë me fëmijët, për edukimin, e tyre, në qytetin e Trianës, Shkodrës, Lezhë etj. Faleminderit të gjithëve