E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret Ministrin e Punëve të Jashtme të autoritetit palestinez, Riyadh Al-Malki

Kryetarja e Kuvendit priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të autoritetit palestinez, z.Riyadh Al-Malki. Zoti Riyadh Al-Malki, shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ai i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga Kryetari i Parlamentit të Palestinës, si dhe dëshirën dhe ftesën për një vizitë të afërt zyrtare të saj në Palestinë. Duke pranuar me kënaqësi këtë ftesë, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi vizitën e z. Al-Malki si historike, pasi është e para e këtij niveli pas 20 vitesh. Do të ishtë kënaqësi e imja, tha ajo, të rikthehem në Palestinë, pasi ruaj kujtime shumë impresionuese nga momentet kur, para disa vitesh kam qenë e angazhuar si vëshguese e KE-së në zgjedhjet në vendin tuaj. Shqipëria, tashmë anëtare e NATO-s është në koordinim të plotë me qëndrimet e Alenacës dhe BE-së, për çështjet e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë. Kryetarja e Kuvendit dhe z.A-Malki biseduan edhe për rritjen e mundësive të bashkëpunimit ekonomik me Palestinën, vend që siç tha zoti Al-Malki, ka një rritje ekonomike prej 6 përqind, me tendencë rritjeje deri në 10 përqind. Zoti Al-Malki tha se Palestina po njeh një progres të jashtëzakonshëm ekonomik dhe institucionet palestineze po bëjnë të gjithë përpjekjet për të ofruar mundësi dhe shanse të reja zhvillimi. Ai tha se Palestina sheh te Shqipëria një vend dhe një popull mik dhe interesi ynë është për rritje të mëtejshme, jo vetëm të vizitave të nivelit të lartë, por edhe të shkëmbimeve ekonomike e tregtare.


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›