Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve
TV Klan: Kryetari i opozitës, z. Rama ju ka dërguar një letër ku ju ka kërkuar që të shpallni anti-kushtetues duke mos e votuar, amendimin që Qeveria i ka bërë ligjit për inspektoriatit ndërtimor. Si do i përgjigjeni kryetarit të opozitës?
Është një rast për të përsëritur ftesën për deputetët e Partisë Socialiste për të ardhur, për të diskutuar, për të shqyrtuar, për të diskutuar pastaj në seancë plenare edhe për këtë ligj të cilin zoti Rama e ka merak.
Por, do të shtoj edhe diçka tjetër. Çështja e sigurisë publike dhe kombëtare është kryesisht çështje e pushtetit qendror dhe ajo që ka ndodhur me pallatin në Gjirokastër nuk mund të ndodhë më. Ne nuk mund ta lejojmë. Këtu secili merr përgjegjësitë e veta, por unë shfrytëzoj këtë rast që të ftoj deputetët për ta diskutuar edhe këtë ligj për të cilin zoti Rama ka dërguar letër, është rasti.
TV News 24: Zonja Topalli ju i bëtë thirrje sot Kryetarit të Partisë Socialiste që të lejojë deputetët e partisë së tij të vijnë në Kuvend, por ndërkohë shprehët edhe besimin se në muajin janar, pra në vitin e ri parlamentar këta deputetë do të zënë vendet e tyre. Po nëse kjo nuk do të ndodhë? A do këtë një nismë nga ana juaj, sepse është folur për zëvendësimin e deputetëve të opozitës që nuk janë ulur ende në Parlament? Çfarë do të bëhet me vendet bosh?
Në një vend që funksionon me një sistem demokratik, më zgjedhje të lira dhe ndershme ka një rregull bazal që është: mazhoranca ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të qeverisur. Opozita ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të bërë opozitën parlamentare. Kështu që unë uroj që ata do të jenë në Parlament dhe do të ushtrojnë mandatin e tyre për ti sjellë debatit politik këndvështrimin opozitar.
TV News 24: Nëse ata nuk vijnë?
Unë nuk kam arsye për të ecur me hipoteza të tilla. Unë, si Kryetare e Kuvendit, dëshiroj që zoti Rama ti lejojë të vijnë në Parlament dhe apeli është për zotin Rama ti lejojë deputetët të vijnë dhe të ushtrojnë mandatin e tyre. Ti lejojë deputetët që të vijnë dhe të sjellin këndvështrimin opozitar në Kuvendin e Shqipërisë. Ti lejojë deputetët që të përcjellin mendimin e të gjithë votuesve socialistë, të cilët më 28 qershor kanë votuar që Partia Socialiste të bëjë detyrën e shenjtë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme të opozitës. Si Kryetare e Kuvendit kam për detyrë të garantoj çdo deputet, siç e përcakton Kushtetuta dhe ligji mbi të cilin funksionin Parlamenti, ata do të kenë të gjithë hapësirën për të realizuar dhe për të bërë të mundur detyrën dhe misionin e tyre si opozitarë.
Top Channel: Zonja Topalli përse besoni që Partia Socialiste do të vijë në Parlament në dy muajt e mbetur nga afati kushtetues si 6-mujor dhe nuk erdhi në këto 4 muaj? Keni një sinjal që kjo do të ndodhë? Pyetja e dytë, për ju në këto 4 muaj Parlament të kësaj legjislature të re ka qenë më e lehtë apo më e vështirë të drejtoni Parlamentin pa opozitën?
Ju jeni gazetarë që keni ndjekur Parlamentin. Në çdo seancë, por jo vetëm, edhe në Komisionet palamentare. Fakti që gjatë këtij sesioni janë kaluar 70 ligje në 100 ditë, janë bërë 169 mbledhje të komisioneve parlamentare, mbi 210 orë pune diskutimesh dhe shqyrtimesh tregojnë se ky Parlament ka funksionuar me intensitet dhe me përgjegjësi dhe me seriozitet të madh. Si Kryetare e Kuvendit unë dëshiroj të shoh opozitën në rolin e saj, në detyrën e saj. Unë nuk kam asnjë sinjal. E vetmja gjë që unë di është se në një sistem demokratik, që fuksionon mbi zgjedhje të lira dhe të ndershme, opozita e ka vendin në Parlament. Deputetët që kanë marrë mandatin duhet të vijnë të ushtrojnë këtë mandat në Parlament për të përcjellë mesazhet, për të përcjellë interesat e votuesve, për të cilat ata kanë marrë besimin. Ndaj dhe i bëj ftesë zotit Rama që ti lërë deputetët të vijnë në Parlament, ti lërë deputetët e Partisë Socialiste.
Opozita është një pushtet i jashtëzakonshëm moral. Kam qenë vetë 8 vjet në opozitë. E kam bërë me pasion dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë e di mirë sa i rëndësishëm është roli i opozitës, ndaj dhe e përsëris ftesën: 1 herë, 10 herë dhe 1000 herë. Në Parlament deputetët do të kenë të gjitha hapësirat për të zhvilluar aktivitetin e tyre, për të shpalosur këndvështrimin e tyre opozitar. Natyrisht, më ka munguar opozita në Parlament. Si Kryetare e Kuvendit, si person dhe si një deputete që jam prej 15 vitesh në Parlament, që e vlerësoj më shumë se kushdo tjetër rolin e opozitës. Është shumë i shenjtë, shumë i rëndësishëm. Është pushtet moral.
Gazeta Shekulli: Zonja Topalli ju përmendët rreth 70 ligje të miratuara, ndërkohë që mungojnë në këtë listë një sërë ligjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, gjykatat administrative, ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, etj. Si do të zgjidhet kjo? Së dyti, disa deputetë socialistë i kanë nisur institucionit të Kuvendit një letër ku kërkojnë sqarime në lidhje me statusin e tyre juridik dhe ekonomik karshi Kuvendit. Keni një përgjigje për ta?
Siç e dëgjuar nga raporti i të gjitha punimeve të Kuvendit gjatë kësaj periudhe, në këtë sesion janë miratuar ligje në masën 70 përqind më shumë se për të njëjtën periudhë në legjislaturën e kaluar. Kjo është diçka për tu vlerësuar, apo jo? Kuadri jonë ligjor është një kuadër i plotë. Natyrisht, ka ligje të tjera që do të kalojmë, prandaj thashë që kalendari i sesionit të ardhshëm është po aq i rëndësishëm dhe me po aq sfida të rëndësishme. Sepse, ne po liberalizojmë vizat, sepse ne po bëjmë të mundur lëvizjen e lirë shqiptarëve në korrikun e ardhshëm. Në të njëjtën kohë ne po punojmë natë e ditë. Vërtet sot është nata e Krishtlindjeve dhe së shpejti kemi natën e Vitit të Ri, por këtu administrata punon paradite dhe pasdite me përgjigjen e pyetjeve të pyetsorit që ka ardhur nga Bashkimit Europian. Nuk ka kënaqësi dhe krenari më të madhe sesa brenda një sesioni të bësh të mundur dhe të arrish të marrësh miratimin e 27 vendeve të Bashkimit Europian për miratimin e kërkesës. Të marrësh pyetsorin për të filluar menjëherë punën. Të marrësh një rezolutë të Parlamentit Europian që thotë shqiptarët në korrikun e ardhshëm, sapo të mbyllen këto detyrime të fundit, të lëvizin pa viza. Një komb që ka qenë i izoluar për gati një shekull. Nuk ka gjë më të rëndësishme për të rinjtë, për nënat, për prindërit që të lëvizin të lirë. Natyrisht, do kisha dashur edhe unë që të kishim kalur ligjin për gjykatën administrative. Ndaj, i ftoj deputetët socialistë që të vijnë dhe të kalojmë reformat që kërkojnë një numër të caktuar votash. Por, nuk është se kjo ka penguar pjesën tjetër të punës së rëndësishme. Ligji anti-mafia, ligji në mbështetjetë biznesit, ligji për luftën ndaj krimit, ligji mbi paketën fiskale, ligji për buxhetin janë ligje reformash që lëvizin në themel strukture. Janë ligje të standardeve, ligje të sfidave të mëdha, ligje të reformave të mëdha që bëjnë këtë vend të ecë me këto ritme që ka ecur. i vetmi vend me rritje ekonomike pozitive në rajon dhe në Europë. Sigurisht, për këtë Qeveria dhe Kuvendi ka të gjitha arsyet për të qenë krenarë. Kjo përbën arsye për të qenë mirë me veten tënde, për të qenë mirë me ndërgjegjen politike, me ndërgjegjen shoqërore dhe me ata që kanë votuar.
Përsa i përket pyetjes së dytë, deputetët e njohin mirë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
TV Vizion+ : Pra zonja Topalli ju nuk lëvizni nga pozicioni juaj, por i kërkoni Partisë Socialiste të lëvizë. Në kushtet e një dialogu për të hyrë në Parlament, nuk keni asgjë tjetër për ti ofruar Partisë Socialiste nga çfarë i keni ofruar gjatë të gjithë kësaj periudhe?
Ofrojmë çdo gjë që është e ligjshme dhe Kushtetuese. Si Kryetare e Kuvendit, jo se ia ofroj unë, por ia ofron Kushtetuta dhe Rregullorja të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë e kontrollit parlamentar, mundësi të pyetjeve drejtuar Qeverisë, mundësi të interpelancave, mundësitë e punës, të kompromiseve dhe negociimeve brenda komisioneve parlamentare. Ju i keni ndjekur komisionet parlamentare. Në komisionet parlamentare në shumë raste dhe në shumë ligje janë bërë negociata të rëndësishme midis opozitës dhe maz