E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mblidhet në seancën e fundit plenare të sesionit të parë të Legjislaturës XVIII

Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e mërkurë, më 23 dhjetor 2009, ora 17:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:
 
1. Diskutime për  çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 17.12.2009.
3. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve dhe protokollit të saj, për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve gjatë qarkullimit në zonat kufitare.
4. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ripranimin e personave.
5. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ripranimin e personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm.
6. Projektligj Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve.
7. Projektligj Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar.
8. Projektligj Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore.
9. Projektligj Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat tatimore në Republiken e Shqipërisë të ndryshuar.
10. Projektligj Për një shtesë në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 Për akcizat të ndryshuar.
11. Akt normativ nr. 9, datë 11.12.2009 Për mënyrën e funksionimit e burimet e financimit të sistemit të Tachograph Digital në Shqipëri.

Të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtja e tyre, gjendja ekonomike në vend, reformat fiskale dhe ndikimi pozitiv në përmirësimin e klimës së biznesit, arritjet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit 2009 si: anëtarësimi në NATO, pranimi i aplikimit si vend kandidat për tu anëtarësuar në BE, liberalizimi i pritshëm i vizave, ishin ndër çështjet kryesore të trajtuara nga deputetët gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës.
 

Kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën përpara deputetëve në mbyllje të sesionit të parë, vlerësoi punën intensive të bërë nga Parlamenti, punë e cila, sipas Kryeministrit, qëndron në bazë të disa arritjeve madhore historike të Shqipërisë, në rrugën e integrimit të saj drejt Bashkimit Europian dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën europiane.
Ky Parlament me një përkushtim të madh miratoi disa ligje dhe reforma që bënë të mundur që 27 vende anëtare të Bashkimit Europian të vendosin pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, tha Kryeministri Berisha.
Parlamenti, nënvizoi më tej zoti Berisha, bëri të mundur që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë të ecte me një shpejtësi të paimagjinueshme.
Reformat e miratuara nga Parlamenti, tha ndër të tjera Kryeministri, e bindën Parlamentin Europian që, sapo të përmbushë detyrimet teknike, Shqipëria të gëzojë heqjen e vizave.
 
Më tej, Kryeministri u shpreh se Parlamenti miratoi me dhjetëra ligje dhe marrëveshje për mbrojtjen e biznesit, veçanërisht biznesit të vogël. Zoti Berisha vuri në dukje se në kohën e krizës më të thellë, biznesi shqiptar u përball me arbitraritetin më të madh të disa qeveritarëve vendorë të cilët rritën ndjeshëm taksat vendore për biznesin, 3-4-fishuan taksën e gjelbërimit, në një kohë kur ky i fundit zvogëlohej progresivisht çdo ditë. Parlamenti, theksoi ndër të tjera Kryeministri, qëndroi në mbrojtje të biznesit duke vendosur kritere mbrojtëse për të.

Reforma në sistemin e transportit për zyrtarët ishte një tjetër arritje e këtij sesioni. Zoti Berisha vlerësoi se kjo reformë i bën nder, pikë së pari, Parlamentit, pasi vendit i duhen zyrtarë të shërbimit dhe të shërbesave, ndërkohë që kjo reformë i dha fund një trashëgimie absurde të diktaturës. Kjo reformë, vlerësoi ndër të tjera Kryeministri, bëri të mundur shkurtimin e shpenzimeve, parashikimin, ndonëse në një kohë të vështirë, të rritjes së rrogave dhe pensioneve dhe shënoi goditjen e radhës ndaj fenomenit të korrupsionit.

Një tjetër moment i rëndësishëm në të cilin Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij, ishte miratimi i ligjit anti-mafia, që hapi një kapitull të ri në luftën ndaj këtij fenomeni
Ligji, nënvizoi Kryeministri, është një mbështetje e fuqishme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për suksesin e tyre në këtë luftë të vështirë.
 
Duke u ndalur në mungesën e opozitës në Parlament gjatë këtij sesioni, Kryeministri Berisha i bëri ftesë kreut të Partisë Socialiste të mos pengojë partinë e tij të hyjë në Parlament.
Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste është një vlerë e padiskutueshme kombëtare dhe theksoi se të tilla janë partitë të cilat janë të angazhuara në ndërtimin e shtetit ligjor dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Gjithashtu, zoti Berisha përshëndeti hapat që kjo parti ka bërë në reformimin e trashëgimisë së saj dhe anëtarësimin, së fundmi, në Partitë Socialiste Europiane.
Kryeministri Berisha tha se shpresonte që vitin e ardhshëm opozita të jetë e pranishme në Parlament dhe garantoi hapësirë të plotë për të. Në frymën e  konsesusit dhe bashkëpunimit, tha zoti Berisha,  opozita do të marrë pjesë në reforma, do të jetë një bashkëautore e vërtetë në rrugën e integrimit.

Përsa i përket kërkesës së vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive, Kryeministri theksoi se Parlamenti nuk mund të shndërrohet në gjykatë.
Kryeministri rikonfirmoi se ai dhe mazhoranca që drejton është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë legjitime të opozitës , që nuk bie ndesh me Kushtetutën, dhe ligjet që ka miratuar Parlamenti
Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri u shprehu deputetëve mirënjohjen për punën e bërë gjatë këtij sesioni dhe u bëri urimet më të mira edhe zgjedhësve të tyre.
Pas shqyrtimit, deputetët miratuan të gjitha projektligjet e parashikuara në rendin e ditës.
 
 
Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme të legjislativit gjatë këtij sesioni, tha se "gjatë këtyre 100 ditëve kemi diskutuar,  shqyrtuar dhe miratuar  70 ligje, shumë herë më tepër se çjanë miratuar gjatë së njëjtës periudhë të legjislaturës së kaluar". Kryetarja Topalli u shprehur mirënjohjen e thellë të gjithë deputetëve për përkushtimin dhe u bëri urimet më të mira për festat e fundvitit.
 
Seanca plenare i mbylli punimet në orën 19:30.
 
 
 
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›